Home KRYESORE Pse kanë mbetur rrugës hetimet për 613 kg kokainë në Durrës?

Pse kanë mbetur rrugës hetimet për 613 kg kokainë në Durrës?

Dy muaj pas kapjes së sasisë rekord prej 613 kg kokainë në portin e Durrësit, duket se hetimet kanë mbetur në vend numëro. Ky është konstatimi i televizionit TCH, që raporton se në qeli vijojnë të mbetën vetëm shoferi i kamionit Armando Pezaku dhe menaxheri Donaldo Lushaj. Ndërsa në kërkim ndërkombëtar është shpallur pronari i kompanisë “Arbri Garden”, Arbër Çekaj.

Por kur ka kaluar një kohë relativisht e gjatë, më shumë sesa veprime hetimore deri tani ka patur “ping pong” institucional. Fillimisht nga policia e Durrësit hetimi i kaloi task forcës për operacionin forca e ligjit, një strukturë kjo e ngritur në nëntor të vitit të kaluar.

Më pas dosja nga prokuroria e krimeve të rënda kaloi në prokurorinë e Durrësit. Sipas burimeve konfidenciale, deri tani janë zbuluar lidhje të disa eksponentëve të narkotrafikut, por po punohet për dokumentimin e përfshirjes së tyre, raporton TCH.

Në hetimin e sasisë rekord të kokainës që u kap në Durrës janë përfshirë edhe agjenci të huaja si dhe DEA amerikane pasi ka dyshime se në këtë sipërmarrje janë përfshirë grupe kriminale që operojnë brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë./opinion.al

Share: