Home KRYESORE Tabaku i lutet Majkos në komision: Ju jeni njeri i drejtpërdrejt, flisni!

Tabaku i lutet Majkos në komision: Ju jeni njeri i drejtpërdrejt, flisni!

Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë Jorida Tabaku gjatë diskutimit të saj në komision deklaroi se qeveria duhet të mbyllë një herë e përgjithmonë politikën e të bërit propagandë, por të pranojë skandalet të cilat i ka prodhuar për 5 vitet e saj në pushtet. Zonja Tabaku bëri këtë thirrje pak para protestës e cila pritet të nisë përpara Ministrisë së Brendshme.

“Sot 4 kuksianë, katër prindër, katër njerëz të pafajshëm janë në burg, ndërsa , ish-Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri është në liri, Ministri aktual Fatmir Xhafaj, është subjekt i Ligjit Antimafia. Të dy janë pengesë për integrimin e vendit”.

Më tej ajo iu drejtua me këto fjalë Pandeli Majkos:

“Z. Majko ju i pari besoj bini dakort me mua se ju njiheni për fjalimet e drejtpërdrejta. Ju keni thënë që në ato zona ku nuk takuat kriminelë, aty humbët. Ashtu si ishit i drejtpërdrejt për zgjedhjet, bëjeni edhe për integrimin. Ju kërkojmë që të merrni seriozisht datën 28 qershor, datë në të cilën do të njihemi me vullnetin e shteteve anëtare, për hapjen e negociatave me BE.

Sot Ministria e Diasporës është rast unik në botë, e cila gjendet përballë faktit se shqiptarët po ikin nga Shqipëria. Z. Majko, të rinjtë po largohen pikërisht për shkak të krimit në qeveri. Qytetarët shqiptarë meritojnë më shumë nga ne, më shumë nga politika dhe ne duhet ta orfrojmë këtë.

Për këtë arsye i kërkojmë qeverisë dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm, të shikojë seriozisht plotësimin e prioriteteve dhe të mos merret me propagandë, të mos tallë e bëj humor me popullin, por të merret një herë të vetme në këto pesë vite për të ardhmen e shqiptarëve, për të ardhmen e të rinjve shqiptarë”, tha znj. Tabaku./Opinion.al

Share: