Home KRYESORE A ka një marrëveshje PD-PS për sistemin zgjedhor? Flet Bylykbashi

A ka një marrëveshje PD-PS për sistemin zgjedhor? Flet Bylykbashi

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, thotë se nuk ka asnjë marrëveshje midis dy partive të mëdha për sistemin zgjedhor, as të fshehtë dhe as të hapur.

Ai thekson se e vetmja dakordësi është çështja e votës së emigrantëve që është një çështje që i përket zgjedhjeve të përgjithshme.

“Nuk ka asnjë marrëveshje PD-PS për sistemin zgjedhor, as të fshehtë dhe as të hapur.

Aq më pak sistemi zgjedhor është në diskutim për çështjen e votës së emigrantëve. Sistemet zgjedhore vendosen për të garantuar përfaqësim politik dhe efikasitet në qeverisje dhe jo për të zgjidhur çështje specifike. Vota e emigrantëve do t’i përshtatet sistemit zgjedhor ‎që do të jetë në fuqi në zgjedhjet përkatëse. E vetmja dakordësi publike në tryeza të hapura është që çështja e votës së emigrantëve është çështje që i takon zgjedhjeve të përgjithshme dhe jo atyre vendore dhe se diskutimi për sistemin zgjedhor në Komisionin e Reformës Zgjedhore do të behet pasi të përmbyllen çështjet që prekin zgjedhjet vendore të vitit 2019”, thotë Bylykbashi, që sakaq kalon në akuza duke thënë se “as shashkat për sistemin zgjedhor dhe as ato për votën e emigrantëve nuk mund të shërbejnë si kamerdare shpëtimi për një qeveri ku qytetari nuk ndan dot kush është politikani dhe kush është krimineli. Një qeveri narkosish, që qeveris e ulur në pakot e drogës dhe eurot që ajo prodhon, duhet qëruar sepse përbën rrezik kombëtar! Pa këtë, çdo reformë zgjedhore mbetet thjesht në letër sepse nuk garanton dot zgjedhje që nuk blihen e nuk dhunohen, pra nuk i bën fajde as shqiptarëve në Shqipëri dhe as atyre në emigracion!”

Share: