Home KRYESORE Memo Ish-Kryeministrit; Për dijeni Kryeministrit

Memo Ish-Kryeministrit; Për dijeni Kryeministrit

I nderuar Z. Ish-Kryeministër i Shqipërisë Z.Sali Berisha

Në cilësinë e një qytetareje të Republikës së Shqipërisë, në përputhje të plotë me të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutën e vendit tim (e cila për hir të së vërtetës tashmë nuk është më ligji themelor i një shteti që përcakton rendin politik, ekonomik e shoqëror të tij, por veçse Ligji themelor i Kryeministrit në detyrë) do të kërkoja vëmendjen tuaj paraprake për këto fjalë që nuk janë gjë tjetër veçse dëshmia e një ankthi kombëtar.

Në sheshin e Teatrit Kombëtar, tek i cili gjendem çdo ditë, në datën 8 gusht u shfaq një dokumentar lidhur me nisjen e 20.000 shqiptarëve drejt Italisë në vitin 1991. Do të doja ta përqëndroja vëmendjen tek detaji i vitit i shprehur në shifra, i cili në pamje të parë duket një detaj i vogël, por në të vërtetë është një detaj i vogël që i jep përgjigje një pyetjeje të madhe.

1991-2018

Plot 27 vite. Lind pyetja: Çfarë ka ndodhur në Shqipëri, gjatë 27 viteve ?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje po sjell në vëmendjen Tuaj veçse një fakt :

Njëri nga personazhet e anijes , pas shfaqjes së dokumentarit tha :Atëherë, ne ikëm dhe thamë me vete : Ky vend do të bëhet pas 20 vitesh.

Dhe është i njëjti personazh Z. Robert Budina që sot është dëshmitar , ashtu siç është i tërë Kombi Shqiptar i dhunimit të Kushtetutës në këtë vend.

I nderuar Z. Ish Kryeministër, në vitin 2013, unë isha një nga ata individë, që besuan tek Kryeministri në detyrë, Z. Edi Rama.

Besova tek Z.Rama , pasi mendova se me të njëjtën sqimë, që dikur përzgjidhte fjalën për të veshur mendimin, do të përzgjidhte edhe njerëzit me të cilët kish vendosur të punonte dhe të përfaqësohej.

Kandidimi i Z. Erjon Veliaj, në krye të Bashkisë, vërtetoi më së miri, se unë dhe shumë të tjerë si unë, kishim votuar për iluzione të humbura.

Mbështeta kandidaturën e Z.Halim Kosova asokohe për një arsye të vetme; Z.Kosova ka një të shkuar të certifikuar. Emri i tij është i pranishëm në regjistrat e Universitetit të Mjekësisë, sikundër edhe libreza e tij e punës në disa institucione.

Dhe e shkuara e certifikuar, përbënte argumentin thelbësor mbi të cilin u ngrit vota ime.

Çdo ditë shoh njerëz të këtij qyteti,që dhunohen sistematikisht nga Policia Bashkiake vetëm sepse shesin rrëzë një trotuari.Skena të papërsëritshme dhune të cilat nuk ka Kushtetutë Botërore që i përligj na vrasin sytë çdo ditë.

Dhe sa herë shoh figurën e Kryebashkiakut ndërmend më vjen një emër- Ardit Gjoklaj.

U bënë dy vite që Ardit Gjoklaj ka ndërruar jetë dhe në datën 7 Gusht në sheshin e Teatrit Kombëtar, xhaxhai i tij tha:Dua drejtësi.

Dhe ndoshta mesazhin më kuptimplotë për kastën politike në Shqipëri e dha vëllai i të ndjerit i cili tha;

Në urën e Beqirit ka patur një stallë lopësh. Pati një përmbytje dhe ata shkuan për të parë sa lopë ishin mbytur. Në shtëpinë tonë vdiq një njeri dhe askush nuk erdhi.

Kryebashkiaku në detyrë gdhihet dhe ngryset me Kufomat e Kodrinës së Vdekjes, për të cilat drejtësia ende nuk ka ardhur.

Z. Ish – Kryeministër, Sali Berisha, Shqipëria është më e çoroditur se kurrë. Dhe kjo çoroditje nuk erdhi sot. Kjo çoroditje ka 27 vite që na përndjek.

Kjo çoroditje kulmoi sot sepse u prek e paprekshmja. U përmbyt Bibloteka Kombëtare, u përmbyt Arkivi i Bashkisë dhe askush nuk mbajti përgjegjësi për këtë. Dhe së fundmi përmes projektligjit mbi Teatrin Kombëtar dhunohet edhe Bibla apo Kurani i një Kombi që është Kushtetuta e tij.

Keni dorëzanën e Kombit Shqiptar edhe si opozitë. Dhe kur them opozitë nuk nënkuptoj aspak ato shfaqje primitive dhune të ushtruara në Parlament. Çdo thirrje dhune do të ishte një plagë më tepër në këtë vend.

Kalimi i atij Projektligji në Parlamentin Shqiptar do të zyrtarizonte përfundimisht instalimin e një diktature moderne.

Dhe Populli Shqiptar nuk e meriton këtë.

Shembja e Teatrit Kombëtar do të ishte si plasja e aortës, Doktor Berisha. Një vdekje e shkurtër, por tejet e dhimbshme.

E duke qenë se ky vend do të trashëgohet Z. Kryeminister dhe Z. Ish Kryeministër, konsiderojeni këtë rast, si një nga rastet e paktë që vijnë në historinë e një vendi, për t’i kërkuar ndjesë një populli , i cili ka shumë vite që gjendet në udhëkryq.

Dhe tërheqja e atij projektligji do të ishte një akt i mirëfilltë dashurie dhe respekti fillimisht për veten Tuaj e më pas për Kombin Tuaj.

Sinqerisht

Elona Caslli

Share: