Home KRYESORE Tekstet shkollore për fëmijët, skandalet në përmbajtje

Tekstet shkollore për fëmijët, skandalet në përmbajtje

Çfarë u mësojnë librat fëmijëve? Është një tjetër pyetje dhe problematikë që Top Story ngriti, duke siguruar kështu dhe përgjigjiet nga tekstet shkollore dhe nga intervistuesit.

Abetarja e shtëpisë botuese Mediaprint mbyll vitin shkollor për vogëlushët, duke iu sugjeruar të bëjnë pushime në Turqi.

“Maksi Futbollist: Një tregim flet se si në një lojë futbolli Maksi bën një gol me të ndenjura. Unë nuk e kuptoj, çfarë do që ti mësojë fëmijëve ky tregim”, thotë Bardha Qokaj.

Vazhdojmë më pas me Diturinë e Natyrës për klasat e para. E cila u tregon fëmijëve që njerëzit janë edhe të ndryshëm, për nga ngjyra dhe traditat, por përsëri të barabartë.

Një mësim ky shumë me vlerë kundër racizmit. Por, aty nuk tregohet asnjë nga komunitetet që jetojnë në Shqipëri.

“Vëllai në pishinë: Vëllai im ishte një Supermen me rroba banjo. Të gjitha gocat atë shikonin. Çfarë i duhet një fëmije në klasë të dytë kjo gjë?”, tha Bardha Prendi.

Ky ishte libri i gjuhës shqipe për klasat e dyta

Përveç tregimeve të frikshme të shtrembëruara, Top Story solli rastet kur nxënësit e sistemit 9-vjeçar, janë përballur në librat e tyre edhe me kërkesa absurde.

Top Story sjell si ilustrim një ushtrim të shkëputur nga libri i fizikës.

Ushtrimi: – “Një ari ndjek një njeri. Njeriu hipën në pemë dhe për ta trembur ariun i gjuan me gurë nga lart poshtë, vertikalisht. Guri ka shpejtësi “x”, pema është e lartë “y”. Kërkesa: Çfarë ngjyre ka ariu?”

Akoma më absurde është kërkesa për fëmijët e klasës së parë, në librin e Diturisë së Natyrës. Detyra thotë që fëmijët duhet të zgjedhin një nga mjetet që tregohen në figurë dhe të flasin rreth përdorimit të tyre. Figurat janë një iPhone, një kompjuter dhe një zarf që simbolizon postën elektronike.

Por, a e kanë kuptuar autorët e këtij teksti se fëmijët në klasën e parë nuk kanë dhe nuk duhet të kenë iPhone? A e kuptojnë që në shumë shkolla shqiptare nuk ka kompjutera?

Një shembull tjetër ishte nga gjimnazi, në lëndën e gjuhës shqipe, ku tregohet se një djalë ngatërrohet me shoqen e ngushtë të së dashurës së vet.

Shembulli: – “Imagjinoni një situatë komike. Berti ka blerë një iPhone dhe i thotë shokut të vet që ta ndihmojë për t’i çuar një sms të dashurës (Mirela). Por, shoku ngaqë është dreqi vetë, në vend që t’ia çojë asaj, ia dërgon shoqës së ngushtë të Mirelës, Marselës. Kthejeni në një skicë komike këtë situatë.

Marsela: Pa të shohim, një sms nga Berti: “Çkemi! Si thua për një darkë romantike?”

Ua moj Mirela! Qenka dhe një zemër e kuqe!|

Mirela: “Çfarë, mi! Si guxon ai të të çoje sms ty, që je shoqja ime e ngushtë?!

Marsela: Po pra as unë se dija që më pëlqente!

Librat e përkthyer të marrë nga Anglia, përveçse nuk i përshtaten sistemit tonë shkollor, ata përmbajnë edhe gabime.

Në fletoren e punës që shoqëron librin e matematikës së klasës së parë, të shtypshkronjës Mediaprint, në faqën 34, jepet një ushtrim i pakuptimtë.

Në figurë tregohen disa tollumbace dhe fëmija duhet t’i ngjyrosë. Kërkesa thotë: Tollumbacen e pestë ngjyrose me të verdhë. Por tollumbacen midis së katërtës dhe së gjashtës, ngjyrose me rozë.

Ky është një ushtrim pa kuptim dhe çorjentues.

Ndërkohë, gabime të tjera vijnë nga përkthimi i keq. Teksti ka kuptim kur është në anglisht, por jo kur është i përkthyer në shqip.

“Përkthimi i një poezie të marrë nga tekstet italiane, është nga më të dëgjuarat në Itali, por i përkthyer me titullin “Në treg”, është më skandaloz”, tha mësuesi Ruzhdi Begaj.

Kjo vjershë ndodhet në librin e gjuhës shqipe për klasat e dyta, të shtëpisë botuese Albas. Ajo është një kryevepër në origjinale e shkruar nga poeti me famë europiane Roberto Piumini. Por përkthimi në shqip, lë për të dëshiruar.

“Po të shikosh këtu nëpër libra thotë, më thuaj një vjershë për pjesët e trupit tënd. Ça vjershe për trupin mund të thotë një fëmijë kur aty tregohen edhe vithet. A ka vjershë për vithet?”, shprehet Ndriçim Mehmeti, ekspert i arsimit.

Por, në libra prindërit kanë vënë re edhe probleme më shqetësuese se këto. Bardha, mamaja e një vajze në klasën e dytë, shprehet mjaft e shqetësuar për faktin se në tregimet që vajza e saj duhet të lexojë mësohen stereotipe.

“Pra, në një tregim kemi dy stereotipe: Vajza më e shkathët e klasës, djali më i praptë i klasës”, tregon Bardha Qokaj.

v.l/ Dita

Share: