Home Ja Pse Shqipëria nuk behet si Zvicera Dritë-hijet e të larguarve nga PS, nga Pjetri tek Rroshi. Pse të...

Dritë-hijet e të larguarve nga PS, nga Pjetri tek Rroshi. Pse të gjithë u larguan me letër dhe ngjashmëritë në leksikun e përdorur

Nga (A.B. Dosja.al)

Të gjitha largimet, të kthyera në dorëheqje kanë disa të përbashkëta. Askush nuk është larguar menjëherë, të gjithë janë marrë në mbrojtje politike dhe më pas janë “lëshuar” në rënie të lirë. Të gjithë këta të larguar, kanë zgjedhur që t’i drejtohen popullit me një letër, dhe jo në një deklaratë për mediat.

Armando Prenga, Mark Frroku,. Arben Ndoka, Elvis Rroshi dhe Valdrin Pjetri 15 Gusht, 2019 19:38

TIRANË- Partia Socialiste në 6 vite qeverisje, aq sa ka fituar dhe ka humbur. Ka arritur që të fitojë pushtet, por ka humbur njerëz të saj, të besuar ose jo të Ramës, të rëndësishëm ose jo në parti. Në 6 vite, PS, pas ligjit të famshëm të dekriminalizimit ka larguar nga radhët e saj disa figura. Po ashtu nga denoncimet e opozitës ka pasur dhe largime të tjera, siç është rasti i Saimir Tahirit. I fundit i listës së gjatë është Valdrin Pjetri, i riu që po ngjiste me shpejtësi shkallët e karrierës së tij politike, tashmë e shikon veten në fund sërish.

Por të gjitha largimet, të kthyera në dorëheqje kanë disa të përbashkëta. Askush nuk është larguar menjëherë, të gjithë janë marrë në mbrojtje politike dhe më pas janë “lëshuar” në rënie të lirë. Të gjithë këta të larguar, kanë zgjedhur që t’i drejtohen popullit me një letër, dhe jo në një deklaratë për mediat.

Por e përbashkëta qëndron dhe tek teksti që ata zgjedhin për të shkruar në letrën e dorëheqjes. Dosja.al ka bërë një vëshgim të teksteve të dorëheqjes së Valdrin Pjetrit, Elvis Rroshit, Arben Ndokës, Armando Prengës e Mark Frrokut, ku shihen disa gjëra që janë njësoj.

Në të gjitha letrat shihen se ata thonë se nuk kanë pasur dijeni për ata që kanë bërë dhe dënimin që kanë marrë. Ata shprehen se kanë qenë në moshë të vogël dhe të pavedijshëm në disa raste. Veprimi për të cilin janë dënuar nuk ka pasur lidhje me ta, pasi ata kanë qenë periferik në ngjarje. Po ashtu përdorin dhe anën emocionale, si koston që i kanë dhënë partisë me veprimin e tyre, dhimbjen që i është shkaktuar familjes nga akuzat, po ashtu kanë dhe një lloj viktimizimi.

Por të gjitha këto të përbashkëta hedhin dyshime të tjera, mos ndoshta është një dorë ajo që i ka shkruar të gjitha këto letra? A mos vallë është dikush që i shkruan letrat dhe të larguarit kanë vetëm detyrim t’i publikojnë dhe të mos bëjnë asnjë reagim tjetër?

Për më shumë shihni dhe krahasoni letrat e dorëheqjes

LETRA E DORËHEQJES SË ARBEN NDOKËS

Arben Ndoka

E ndjej për detyrë ndaj jush t’ju jap një shpjegim që dua ta bëj edhe publik. Unë jam një njeri që jeta nuk më ka ardhur asnjëherë e lehtë. Ajo ka nisur në Skuraj, një fshat i Kurbinit, ku bëra katër vitet e para të shkollës. Isha nxënësi më i mirë në shkollë dhe fotografia ime ishte në tabelën e të dalluarve. Por, si fèmijë i një familjeje kulakësh në fund të vitit nuk më jepnin fletë-lavdërimi. Ishim të varfër po asgjë nuk më bënte përshtypje më shumë se sa ky diskriminim. Pastaj zbritëm në Lezhë, ku bashkë me prindërit dhe vëllezërit ndërtuam një shtëpi të vogël me gurë. Në Lezhë nuk isha më i dalluar në mësime sikur në Skuraj sepse u dhashë krejt mbas sportit. 

Më 6 mars të vitit ’91 plasi eksodi dhe unë ika me anije nga Shëngjini për në Itali. Isha 16 vjeç e gjysmë. Pas 23 orë udhëtim mbërritëm në Itali. Qëndrimi im atje zgjati vetëm 6 muaj dhe bashkë me rreth 50 minorenë na rikthyen nëpër shtëpia. Në vitin 1993 iku vëllai. Pak me vonë e mora prapë rrugën me Skaf dhe u bashkova me tim vëlla që punonte në një fabrikë hekuri. Pas pak kohësh që ishim bashkë vëllai u rikthye në Shqipëri, ndërsa unë vazhdova të rri atje. Një ditë vëllai vjen prapë në Itali dhe i telefonon një djali nga Lezha, i cili kishte makinë.l thotë që të shkonte ta merrte në Leçe, sepse kishte djegur këmbën gjatë udhëtimit me Skaf dhe as në këmbë nuk rrinte dot. Erdhi tek unë me një vajzë me të cilën kishte një lidhje.Ata qëndruan tek shtëpia, ku unë jetoja përafërsisht një javë dhe pastaj shkuan në Romë tek një shok i vëllait. Nga ai moment humba dhe kontaktet me ta. Në atë kohë s’kishte telefona si sot dhe ne shqiptarët mblidheshim në një klub të dielave për t’i telefonuar familjeve. 

Më vonë mësova që vajza ishte lidhur me një punonjës policie. Ai mbi bazën e një denoncimi të saj kishte sajuar një kontroll në shtëpinë e vëllait dhe në procesverbalin e kontrollit ishte shkruar që në shtëpinë e tij u gjeten 1000 dollarë fallco dhe një peshore droge. Në fakt ishte e sajuar kjo gjë. Nga lidhja e vajzës me policin që u nda edhe nga gruaja për të bashkëjetuar me të, taksirati ynë s’pati fund. Më ndalojnë edhe mua sepse sipas policisë duhet të jepja sqarime pse i kisha mbajtur ata të dy një javë në shtëpi. Kur doli vëllai në gjyq gjykatësi kërkoi provat materiale që në fakt nuk dolën askund, as peshore droge as dollarë fallso. Akuzat mbetën pezull dhe im vëlla doli në hetim të lirë. Kohë më vonë, krejt rastësisht, bashkë me një shokun e tij i cili sot punon në Kolsh të Lezhës, vëllai ndeshet në rrugë me policin italian dhe me këtë vajzën.  

Që të dy (vëllai dhe shoku i tij) i kërkojnë vajzës që të bisedojnë. lm vëlla ishte shumë i dashuruar me vajzën dhe ajo ditë mbyllet me sherr me italianin. Por vajza e kishte bërë zgjedhjen e vet me policin italian; ai sherr ka nxitur sulmin fatal mbi tim vëlla që solli pasojën fatale për mua. Çfarë e ka sajuar polici, vajza e ka firmosur dhe çështja ka shkuar e rënduar sa s’ka në kanalet gjyqësore.Nga e gjithë kjo histori që u mundova ta përmbledh sa më qartë, mua më kanë mbetur peshqesh në mungesë dhe në padijeni totale, 3 vjet e 6 muaj për favorizim prostitucioni (për faktin që ata të dy kanë qëndruar në shtëpinë time një javë, e Cila për të mos krijuar keqkuptime sqaroj se ishte e një djali që punonte me mua në furrë buke me të cilin ndanim qiranë) dhe 4 Vite për rrëmbim personi. 

E di edhe vetë se çfarë filmi i pabesueshëm për jetën reale mund t’ju duket kjo që po tregoj. PO kjo është thjesht e vërteta dhe vetëm e vërteta ime që betohem në jetën e të dyja vajzave të mia, s’kam pasur as gisht në ndonjë favorizim prostitucioni apo rrëmbim personi, as dijeni për një gjyq të tërë të bërë pa praninë time. Kaq e vërtetë është kjo sa mjafton të pyeten familjarët e vajzës, me të cilët ruaj sot e gjithë ditën një marrëdhënie familjare.Unë pas 7 muaj qëndrim gjithsej atë kohë në Itali kam marrë kursimet epunës dhe kam blerë një makinë me të cilën jam kthyer në Shqipëri. Kam vazhduar shkollën e mesme në Lezhë pasi e kisha lënë në vit te parë kur ika në ’91 -shin në Itali e s’isha marrë më. Bëra dy shkolla të mesme, gjimnazin dhe një agronomi me korrespondencë. Isha i fejuar dhe pas dy vitesh u martova.E kam filluar punën në Shqipëri si menaxher i një biznesi të vogël dhe më vonë kam filluar punë në Gardën e Republikës. Pastaj më morën në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Ndërtimore. 

Në kurthin e ngritur nga italiani për tim vëlla, i cili theksoj nuk u dënua asnjëherë, unë rashë befasisht shumë më vonë. Gjithçka ndodhi kur me disa miq vendosëm të ikim në Itali për të festuar ditëlindjen e Ramadan Hasanajt, ish-deputet i Partisë Socialiste. Unë dhe djali i tij që jetonte në Padova, jemi shokë që të vegjël dhe kjo më shtyu më shumë për të shkuar. Sqaroj se në Itali kisha shkuar shpesh dhe krejt normalisht. Qëndruam 7 ditë me shokun tim dhe në kthim, në momentin e kalimit doganor në aeroportin e Milanos, emri im del në kompjuter si person me precedent! Polici qesh dhe thotë: “Prit pak ta verifikojmë se nuk besoj të jesh ti!” (me siguri ka pasur parasysh faktin se një shqiptar i dënuar me akuzat e mia, nuk mund të jetë aq budalla sa të kalojë serbes në aeroport ku çdo pasaportë verifikohet në kompjuter).Unë pa diskutim mendova se ishte një ngatërresë që do zgjidhej, po pritja ime zgjati tre ditë në aeroport.Pas tre ditësh më komunikojnë 7 vjet e 6 muaj dënim gjithsej! Dy dënime të bëra bashkë! Vdekja do kishte qenë shumë më e lehtë! Nusja e vajza që i kisha në Tiranë u kthyen menjëherë tek baba në Lezhë. Bëra transferimin e dosjes me idenë që do të mbaroja shpejt, por ajo zgjati gati tre vjet. E kotë t’ju lodh me përshkrimin e ferrit shpirtëror brenda mureve të një burgu, ku me kishte ndërprerë jetën një padrejtësi ekstreme. Mbijetova me stërvitje të fortë fizike dhe libra që lexova sa në gjithë jetën time bashkë. 

Kur dola i lirë nuk kisha lekë të jetoja.Askush në botë nuk e kuptonte hallin që më hante gjallë nga brenda. Doja të vazhdoja shkollën e lartë me çdo kusht, të cilën më pas e mbarova me shumë sakrifica. Nisa me biznes të vogël derisa krijova një rrjet modest lokalesh, ku luhej bilardo, me fitimet e të cilave erdha më vonë në Tiranë, ku hapëm firmën e duraluminit që më krijoi punë në të gjithë vendin. Kam punuar edhe si drejtor i Drejtorisë së Ekzekutimit dhe më pas si drejtor i Drejtorisë së Inspektimit Teknik në INUK. 

Kjo është jeta ime reale. Më falni shumë për gjithë këto rreshta, po sidomos për sikletet që ju kanë ardhur nga unë. Ju rrëfeva jetën time ashtu si munda, sepse nuk dua që të iki, duke ju lënë të mendoni se unë jam ai krimineli që ka merituar atë dënimin e rëndë. E vërteta ime mua nuk më vlen, unë jam një njeri i dënuar nga fati po dhe i dënuar që të mos besohem si i tillë. Kam shumë shpresë që t’ju vlejë juve për të mos u ndjerë keq që më keni pranuar mes jush dhe nuk më keni lënë të ndjehem i vetmuar, kur më kanë sulmuar egërsisht. Por, ju të gjithë miq deputetë, qeveriajonë dhe Partia Socialiste nuk keni pse të viheni në siklet asnjë ditë më shumë nga prania ime. 

Unë ju kam borxh ju në radhë të parë, po dhe giithë atyre që janë me këtë parti, ndjekjen deri në fund të betejës ligjore në Itali apo në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut po qe nevoja për të gjetur drejtësi për emrin tim. Lus Zotin të më ndihmojë qe t’ia dal t’ju sjell si provë të vërtetësisë së kësaj letre, vendimin e një gjykate të po atij vendi kujeta ime u nxi sa nuk thuhet. Sepse e di qe një vendim gjykate këtu në Shqipëri nuk do ta besonte askush! Do të mbetem nga larg sallës së parlamentit një mbështetës besnik i përpjekjeve që ju bëni në atë sallë me disa kriminelë të vërtetë të këtij vendi dhe ma bëni hallall çdo siklet që kaluat për hatërin tim në këto dy vjet betejash për të nxjerrë Shqipërinë nga llumi ku zhyten kriminelët e vërtetë!

LETRA E DORËHEQJES SË ELVIS RROSHIT

Elvis Rroshi

U bënë vite që mbi mua hidhen papushim akuza sikur jam kriminel, trafikant dhe gjithë të zezat. Unë u mësova me këto që për mua u kthyen në energji plus për të fituar zgjedhje dhe ndryshuar Kavajën. Po familja ime nuk e ka të lehtë asnjëherë me këtë sulm papushim. Me vjen tmerrësisht keq për shqetësimet që iu ka shkaktuar kjo histori. E kam ditur se këtë punë do kisha me Partinë Demokratike, qysh ditën e parë që shporra Sali Berishën dhe ordinerët e vet nga Kavaja që e zhytën në zhul dhe mjerim njëzet vjet rresht. Arsyeja e vërtetë e sulmeve të tyre ndaj meje ka qenë kjo dhe s’ka për të ndryshuar asnjëherë. Po sot unë kam një arsye shumë më të fortë se kjo për të lajmëruar dorëheqjen time!

Që në momentin kur ligji i dekriminalizimit hyri në fuqi, u lidha me avokatët e mi që të siguroja përgjigje me dokumente ndaj çdo sulmi te Shqup-it për jetën time në emigracion. Të gjitha dokumentet që mora nga të gjitha shtetet ku ka kaluar rruga ime e emigrimit, provojnë qartësisht atë që unë kam thënë: Asnjëherë i dënuar askund, përveçse i përzënë si dhjetëra mijëra shqiptar në vitet e para të emigracionit për probleme dokumentesh. Kam ikur fëmijë nga Kavaja dhe kam kaluar vështirësi të mëdha dhe situata të jashtëzakonshme. Lufta për mbijetesë në fillim pa ditur asnjë llaf italisht dhe duke lëvizur për të bërë çdo lloj pune ka qenë libër më vete. Po nuk më ka bërë as kriminel, as trafikant, as hajdut dhe as shkelës të ligjit. Prandaj kam dalë ballëlart përpara qytetarëve të Kavajës dhe opinionit publik kur i jam përgjigjur shpifjeve monstruoze të Sali Berishës. Në fillim më vinte të vija ulërimën nga shpifjet dhe akuzat pastaj u mësova dhe e përqeshja me përbuzje luftën e tyre me mua.

Po sot duhet te ndaj publikisht me keqardhjen më të madhe, një informacion që më ka kapur në befasi të plotë dhe ndryshon gjithçka. Avokatët e mi më kanë informuar, se papritur dhe pa kujtuar rezultojë të jem dënuar si minoren! I bie të jem dënuar pa dijeninë time në Itali në kohën kur isha ende në kampin e refugjatëve. Jam akoma i shokuar nga ky njoftim dhe as unë vetë nuk di çfarë të shpjegoj më shumë. E vetmja gjë që mund të kujtoj është se na patën shoqëruar njëherë në polici në tufë nga kampi pas një sherri të madh. Mua me ndanë veç se isha minoren dhe kur më morën në pyetje nuk dija akoma as pesë fjalë italisht. Por as kam qenë ndonjëherë në gjyq as kam bërë ndonjë ditë burg për këtë dënim të dhënë nga një gjykatë minorenesh, që rezulton në kartelën time penale kur sapo kisha mbushur 16 vjeç.

Kjo është e vërteta tronditëse që sapo kam marrë dijeni. Por s’ka pike rëndësie e vërteta që tregoj unë sot. Faktikisht pa e ditur këtë dënim s’kam pasur si ta deklaroj. Ndërsa pasi jam venë në dijeni, kjo për mua është bërë një çështje që i përket drejtësisë jo politikës. Prandaj unë nuk mund të vazhdoj i qetë detyrën time si deri dje, për sa kohë pafajësia ime nuk është më një e vërtetë e provuar ligjërisht përballë çdo shpifësi. E kam të pamundur të vazhdoj të kryej detyrën time si Kryetar i Bashkisë së Kavajës edhe sikur kundërshtarët e mi të mos e merrnin vesh kurrë këtë informacion. Dua t’i kërkoj sinqerisht falje qytetarëve të Kavajës po edhe Kryeministrit Edi Rama, të cilët më kanë besuar dhe mbështetur dhe sot duhet të marrin këtë informacion të padëshirueshëm. Po të gjithë duhet ta dinë se nuk kam fshehur asgjë që dija.

Ndoshta do vijë dita që këto fjalë që duken si llafe që i merr era, do t’i provojë drejtësia. Në radhë të parë për hatër të familjes time dhe dy gocave të mia, po dhe për hatër të gjithë atyre që nuk i besuan kurrë shpifjet ndaj meje dhe më mbështetën pa rezerva. I falënderoj të gjithë dhe kërkoj falje që duhet të largohem kokulur nga detyra. E kam bërë këtë detyrë me gjithë forcat e mia. Kam punuar ditën dhe natën. Kam qëndruar afër çdo kavajasi në nevojë për shërbimin dhe ndihmën e bashkisë. S’kam kursyer asgjë dhe tani që largohem i shokuar nga kjo që më ndodhi papritur, kam vetëm një ngushëllim: Kavajën që rindërtuam nga gërmadhat në 4 vjet e gjysmë! Një qytet që ka hyrë në rrugën e një ndryshimi të madh dhe që gdhihet i pastër dhe në darkë është plot jetë. Nuk e kisha menduar kurrë këtë ndarje me qytetin dhe njerëzit si kryetar bashkie. Po as nuk e mendoj që ta mbyll këtë histori pa fituar në rrugën e drejtësisë pafajësinë që meritoj. Kjo është tani beteja ime për dy gocat e mia dhe për gjithë qytetarët e Kavajës. Faleminderit te gjitheve.

LETRA E DORËHEQJES SË ARMANDO PRENGËS

Armando Prenga

I nderuar, z Kryetar
Duke ju shprehur konsideratën dhe falënderimet për bashkëpunimin e deritanishëm, më lejoni që nëpërmjet kësaj letre të paraqes dorëheqjen time nga mandati i deputetit të Partisë Socialiste, në Qarkun Lezhë.
Kjo kërkesë është mbështetur në përcaktimet e nenit, 71, pika 2, germa ‘b’ e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, sipas së cilës mandati i deputetit mbaron, ndër të tjera, dhe kur deputeti heq dorë prej tij.
Bazuar në nenin 164 të Kodit Zgjedhor, i cili përcakton se në rast të ndërprerjes së mandatit të deputetit, Kuvendi njofton KQZ për krijimin e vakancës, lutemi nga ana juaj vënien e procedurave për këtë qëllim.
Por, dëshiroj t’ju informoj ju z Kryetar, por edhe opinionin publik se ligji nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, asnjë dispozitë të tij, nuk parashikon ndërprerje të mandatit të të zgjedhurve, për një dënim me gjobë, siç është dhe rasti im. Por, për qetësinë time dhe të familjes sime, deklaroj si më sipër se heq dorë, sot dhe gjithmonë, nga mandati që zgjedhësit e mi dhe Kushtetuta më kanë ngarkuar. Së fundmi, i konsideroj të drejta, të padrejta dhe shpifje të ulëta akuzat politike të opozitës dhe personavee të autorizuar prej tyre.
Me respekt, Armando Prenga 

LETRA E DORËHEQJES SË MARK FRROKUT1 / 3

LETRA E DORËHEQJES SË VALDRIN PJETRIT

Të dashur miq, bashkëqytetar, votues të Bashkisë Shkodër, anëtarë të PS, bashkëpunëtorë të mi…. Ditët e fundit jam gjendur në mes të një stuhie mediatike ku akuzat dhe thashethemet i zunë vendin fakteve dhe të vërtetës. Një ngjarje krejt banale e ndodhur në mes të shokëve të mi bashkëstudent, në të cilën unë nuk kam asnjë faj e përgjegjësi e nuk i kisha kushtuar rëndësi, 17 vjet më parë në moshën 20 vjeçare, u nxor nga konteksti dhe rreth saj u ngritën akuza e linçime përtej çdo skrupulli moral e njerëzor.

Valdrin Pjetri

Nuk e kisha menduar kurrë që një ditë do të gjendesha përballë akuzave të tilla. Dhe sado i bindur të jem në pafajsinë ligjore dhe pastërtinë morale të personit tim, me keqardhje ju rrëfej se të tilla shpifje kanë shkaktuar dhimbje të mëdha te unë e familja ime dhe se unë kurrë nuk kam qënë pjesë e kësaj kategorie për të cilën sot akuzohem. Në këto kushte, vëmendja dhe energjitë e mia do të përqendrohen tanimë tërësisht në zgjidhjen dhe sqarimin ligjor të kësaj ngjarje të 17 viteve më parë, ngjarje për të cilën në dijeninë time nuk kam pasur asnjë përgjegjësi ligjore në atë kohë.

I ndërgjegjshëm për rëndësinë e imazhit politik dhe i vendosur që këtë sqarim ligjor ta ndërmarr në pozitat e qytetarit të thjeshtë, pa iu bërë barrë askujt, vendos të dorëhiqem nga marrja e detyrës së Kryetarit të Bashkisë Shkodër. Ju jam mirënjohës të gjithëve për ndihmën dhe mbështetjen që më dhatë në fushatë! Ishte një endërr e bukur t’i jepnim Shkodrës atë çka meriton. Por fatet e një qyteti nuk duhen të jenë kurrë të lidhura pashmangshmërisht me fatet e një individi, cilido qoftë ai. Së fundi, ju jam pafundësisht mirënjohës të gjithë atyre që më kanë mbështetur apo dërguar mesazhe solidariteti në këto ditë të vështira për mua. Ju uroj me gjithë shpirt më të mirën për Ju dhe familjen Tuaj!

(A.B. Dosja.al)

Share: