Home KRYESORE Mega operacion kundër kultivimit të kanabisit, 19 persona në pranga

Mega operacion kundër kultivimit të kanabisit, 19 persona në pranga

Një mega operacion kundër trafikimit të lëndëve narkotike ka rezultuar me vënien në pranga të 19 personave dhe shpalljen në kërkim të 7 të tjerëve.

Burime nga policia njoftojnë se pas një hetimi prej 3 muajsh, janë ndaluar dhe është dhënë masa e arrestit me burg për 19 persona të cilët akuzohet për kultivim të lëndëve narkotike.

“Nga tërësia e veprimeve hetimore e procedurale ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kultivuar bimë narkotike në zonën e pyllëzuar të fshatrave Shkretë, Mafsheq, Nojë, Qafë Shtamë, Picrragë, Brret, Borizanë të Bashkisë Krujë, ku në periudha të ndryshme, janë gjetur dhe asgjësuar kubikë të kultivuar me fara kanabis dhe fidanë të dyshuara narkotike Canabis Sativa” shkruhet në njoftimin e policisë.

Për finalizimin me sukses të operacionit “Malësia e Krujës” është dashur bashkëpunimi i forcave të policisë së Krujës, Durrësit, Kurbinit si dhe Forcat e Posaçme Opreacionale dhe FNSH.

“Mega Operacioni në vijim të 4 operacioneve të zhvilluara më parë, të koduara “Ndëshkimi 1, 2, 3 e 4”, gjatë të cilëve janë arrestuar 27 persona dhe 2 janë shpallur në kërkim” bën me dije policia.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 33 aparate celulare dhe 1 armë zjarri pistoletë zhurmuese. /Opinion.al

Share: