Home KRYESORE Vendimi/ Si do hiqen depozitat e ujit nga pallatet

Vendimi/ Si do hiqen depozitat e ujit nga pallatet

Vetëm pak ditë pas miratimit të vendimit për heqjen e depozitave të ujit, ka nisur puna në terren.

Është vetë Bashkia e Tiranës, përmes drejtorive dhe strukturave vartëse të saj, që ka nisur ndërhyrjen në pallatet që Instituti i Ndërtimit i ka shpallur të pabanueshme dhe banorët janë evakuuar, për shkak se godinat kërkojnë rivlerësim të thelluar mbi gjendjen e tyre strukturore. Të njëjtës gjë do t’i nënshtrohen pa përjashtim të gjitha pallatet. E njëjta punë do të kryhet edhe në pallatet pa pasoja të rënda nga tërmeti. Por, detyra i faturohet administratorëve e vetë banorëve.

Ndryshe nga të parat, këto të fundit kanë të drejtën t’i rivendosin, por vetëm pasi të kenë marrë me vulë e firmë të ekspertit sigurinë që tarraca e tyre mban.

“Në të gjitha pallatet e banimit që nuk kanë pësuar dëme nga fatkeqësitë natyrore, si pasojë e tërmetit të datës 26 nëntor 2019, me qëllim sigurinë e jetës dhe shëndetit, hiqen përkohësisht nga tarracat e përbashkëta të pallateve të banimit, të gjitha depozitat e ujit deri në momentin që asambletë e bashkëpronarëve dhe administratorët të jenë pajisur me raportin e hartuar nga eksperti i licencuar mbi qëndrueshmërinë konstruktive të tarracës dhe objekteve në bashkëpronësi. Depozitat e ujit të rivendosen pas hartimit të raportit të përgatitur nga ekspertë të licencuar në fushën e ndërtimit, që vërteton se konstruksioni mbajtës i tarracës dhe i godinës në tërësi lejon vendosjen e tyre në tarracat e përbashkëta dhe vetëm pasi të jetë marrë pëlqimi i shumicës së asamblesë së bashkëpronarëve”, citohet në vendimin e datës 16 dhjetor të Këshillit Bashkiak.

Ndonëse jo në rrezik shembjeje, procesi i heqjes së përkohshme të depozitave të ujit në pallatet pa dëme të mëdha ka një afat të vendosur nga bashkia, si për heqjen e tyre, ashtu edhe për planin afatgjatë të venddepozitimit të tyre.

“Asambletë e bashkëpronarëve dhe administratorët, brenda datës 30 janar 2020, duhet të jenë pajisur me raportin e inxhinierit konstruktiv të licencuar mbi qëndrueshmërinë e tarracës së pallatit. Një kopje e këtij raporti i dorëzohet edhe Drejtorisë së Objekteve në Bashkëpronësi pranë Bashkisë Tiranë, e cila sipas rastit njofton strukturat përkatëse. Asambletë e bashkëpronarëve dhe administratorët e pallateve në bashkëpunim edhe me strukturat përkatëse të Bashkisë Tiranë, jo më vonë se data 30 janar 2020 të identifikojnë vendet e përshtatshme për vendosjen e depozitave të përbashkëta të ujit”.

Mosrespektimi i këtij afati ngarkon me përgjegjësi administratorin e pallatit. Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit dhe Policia Bashkiake do të verifikojnë në terren pallatet me depozita dhe do të marrin masa të parashtruara në ligjin nr. 10112, datë 09.04.2009, “Mbi administrimin e bashkëpronësive në ndërtesat e banimit”.

Share: