Home KRYESORE Dora e magjistarit të dashurisë!

Dora e magjistarit të dashurisë!

Tregim nga Ikir Kadia

Myz Strelca ka mbështetur kokën në supin tim e po dremit ndërsa autobusi ka tre orë që ka bërë pushimin e fundit tek Uji i Ftohtë në Tepelenë dhe po i afrohet Ballshit. Atje tek Uji i Ftohtë bëra gabimin e madh që nuk e mbusha një shishe ujë dhe le të ishte ngrohur sa të kish dashur, tani kish për të ma shuajtur këtë etje torturuese që s’po më le të mendoj për asgjë. Nuk na kanë qëlluar vende të mira. Jemi pothuaj në fund të autobusit me llamarinë vendi e shasi çeke që i ka sediljet gur të forta. Pas nesh është vetëm sedilja e gjatë pesëvendëshe ku janë ulur shtatë ciganë. I hodha një sy kur zumë vendet. Ishin tre gra nga ato që shesin çikërrima tek stacionet e trenave, një burrë me mustaqe, s’e vura re mirë si ish, dhe tre fëmijë midis dhjetë e dymbëdhjetë vjeç. Duket se edhe ata dremisnin si Myzi, kokëmbështetur në supet e njëri-tjetrit, se qëkur autobusi hyri në kthesat e Ballshit nuk po u dëgjohet zëri. Vetëm shoferi, tendosur i tëri mbi timon dhe unë nuk flemë. Ai nga detyra unë nga kjo etje e fortë që s’më le të mbyll sytë.

Befas, si në përrallë para syve erdhi një gotë uji i ftohtë. Aq i ftohtë sa gota është veshur me avull. Nuk e shoh dorën që e mban. Shoh vetëm ujin që lëkundet në sipërfaqe nga kthesat që merr autobusi si mirazhet e oazeve në shkretëtirë.

Mbyll dhe hap sytë për të parë në jam në ëndërr. Etja e madhe ta sjell edhe burimin e Ujit të Ftohtë në mes të autobusit, por për ta pirë s’e pi dot. Më fort të djeg etja pas të tilla mirazheve. Por… zgjas dorën dhe e mbërthej gotën e ujit dhe…

E pi me një frymë. E shijoj si asnjëherë më parë. Mos kam mbetur shtatzanë?

  • Doni edhe një gotë tjetër, moj e bukur? – dëgjohet një zë burri nga mbrapa.
    Kthej kokën me shpejtësi, tani etjeshuar, dhe shoh me një termus kinez në dorë burrin cigan të rimbushë gotën me ujë të ftohtë.
  • Oh, jo. Faleminderit! Jeni shumë i sjellshëm.
  • Ndërsa ju, shumë e bukur! – tha burri cigan duke më parë me një palë sy jeshil që shkrepnin si sytë e ujkut para kërcimit mbi prenë e egër të malit.
    Unë ktheva kokën përpara nga frika. Myzi tani nuk dremiste, por flinte. Edhe pasagjerët e tjerë njëlloj. Shoferi e dija që s’flinte, por ai nuk mund të linte timonin e të më vinte në ndihmë. Në ndihmë për çfarë?! Burrri cigan s’më kish bërë asgjë të keqe. Pse i kish sytë ashtu? Jo, kjo s’do të thosh asgjë. Pastaj ai më dha edhe ujë. Jo, po e teproja rrezikun.
  • Ju nuk e dini sa e bukur jeni, moj e bukur. Me këto flokë si pendë korbi, me këtë qafë të bardhë si hënë prilli, me… Burri cigan ishte përkulur dhe afruar kokën e tij pranë veshit tim dhe më mërmëriste fjalë dashurie.
    Unë kisha mbyllur sytë dhe po i dëgjoja si në delir. Të jem kaq e bukur, vallë? Kisha vetëm një muaj martuar dhe kisha kaluar në Theth për muaj mjalti net të mrekullueshme dashurie me tim shoq, Nard Kaloshin, por ai nuk kish nxjerrë nga goja fjalë kaq mikluese as në atë çastin kur asnjë burrë sado i fortë nuk mund të mos i thotë dy fjalë femrës që ka nën vete.
  • Unë sa ju pashë kur hytë në autobus në Sarandë u mrekullova nga bukuria juaj dhe rashë në dashuri, më besoni. Ujin në termus e mbusha vetëm për ju. Dashuria juaj po më djeg në kraharor shumë më fort se etja juaj.
  • Falemnderit për ujin! Po tani mjaft, se nuk ka lezet. Unë jam e martuar. – i fola burrit cigan ashtu drejt, pa lëvizur qafën që çuditërisht në vend që të ma digjte ma freskonte fryma e tij. Dukej sikur kish lule mente në gojë. Ai vazhdonte.
  • Edhe unë jam i martuar, moj e bukur. Por kjo s’do të thotë asgjë. Unë do të të rrëmbej. Do të bredhim fushave netëve me hënë, do të këndojmë rreth zjarrit me kitarë, pa do të ta jap verën me kupë këto duar e me kalë do të shëtisim lëndinave…
    Burri cigan vazhdonte të më shushuriste në vesh ndërsa unë shihja përtej xhamit të autobusit ca vajza fshati që ktheheshin nga korrja e grurit drapër hedhur supit, veshur ca pantallona burrash e këmisha të zbardhura ushtarake, për të cilat kisha bërë një reportazh në shërbimin e fundit para martesës. Ato të kapitura nga vapa tërhiqnin këmbët zvarrë ndanë një liqeni të zi sterrë nga nafta e puseve në kodër që gjatë difekteve të shtuara shumë, veçanërisht tani pas prishjes me Kinën, e derdhin naftën në liqen.
    Burri cigan po më pikturonte me fjalët e tij me shpejtësi ëndrre imazhet e poezive të Pushkinit, librit tim më të dashur, që megjithë lutjet e shokëve të redaksisë, nuk ia kisha dhënë asnjërit. As Myzit që fle si qengj (apo dele?) që e ka kullotur livadhin. Myzi edhe pak dhe del në pension. Nuk e mora vesh pse mu qep që shërbimin e parë pas martese ta bënte me mua. Mu lut disa herë. Shkoi vetë tek shefi dhe i tha se kish dëshirë që plenumin e rinisë të Sarandës t’ia besonin asaj. Për mua i tha të bëja një reportazh nga qendra e midhjeve në Butrint. “Mos ma prish, të lutem!” – i kish thënë shefit, i cili gjoja s’e kish kuptuar këmbënguljen e saj. “Si të një dashnori” – u kish thënë shefi shokëve të tjerë të redaksisë më vonë duke u shkelur syrin.
  • Bukuria jote nuk duhet të flerë në një dhomë e kuzhinë, moj e bukur! Zëri yt nuk duhet të dëgjohet vetëm në një kafe si vrimë, aroma jote duhet të ndjehet deri tek yjet… Burri cigan vazhdonte zëulët. Mua po më pëlqente shumë. Asnjë burrë tjetër më parë, as shokët e gjimnazit, as këta të redaksisë, as drejtorët e ndërmarrjeve apo kryetarët e kooperativave apo përgjegjësit e sektorëve që më shoqëronin në çdo hap kur takoja të rinjtë e reportazheve nuk më kishin bërë një propozim të tillë dashurie. Ato të atyre ishin gati të gjitha njëlloj. Lëshonin nga sytë një si lëng pa ngjyrë para se të shqiptonin atë rrokjen si hungërimë qeni që ata e quanin propozim dashurie: “HË?”. Që do të thosh, nëse ishe gati të shtriheshe me ta. Si thoje?
    Kurse ky cigan, ky shpirt i lirë, ky zog hapësirash. Ky… Më vinte rrëmbimthi të kthehesha dhe t’i jepja një të puthur të zjarrtë. Më të zjarrtën. Atë që nuk i kisha dhënë deri tani as tim shoqi. T’ia digjja buzët që më thoshin ato fjalë. Por nuk mundej, në asnjë mënyrë nuk mundej. As që bëhej fjalë. As edhe një puthje. Po sikur të hapte sytë Myzi e të më kapte në flagrancë duke puthur ashtu mbrapsht ciganin? Fjalë e parë tek shefi: Cënim i moralit komunist (pa qenë komuniste). Pushim nga puna. Fjalë e dytë tek im shoq: Divorc pa u martuar mirë. Fjalë e tretë: Artikull në gazetë. Edukim në prodhim.
  • Nuk e kuptoni që po e teproni? Ciganët e Pushkinit janë më të sjellshëm. – i thashë burrit cigan, i cili u tërhoq saora në sediljen e tij. Nuk më foli më deri në Ballsh.
    Autobusi ndaloi në sheshin para stacionit të trenit dhe ne pasagjerët e Sarandës u bashkuam në hollin e stacionit me ata të rretheve të tjera të jugut; Gjirokastrës, Përmetit, Tepelenës e vetë Mallakastrës. Shumica qëndrojnë gati më këmbë pranë derës së stacionit në mënyrë që porsa treni të ndalë ata të vërshojnë e të zënë ndonjë vend në vagon. Zakonisht burrat e grave dhe djemtë e rinj e kapin trenin në lëvizje disa dhjetra metra para se të ndalte, kur ai e ka ulur shpejtësinë. Varen në dritare dhe hyjnë brenda ndërsa pasagjerët që duan të zbresin janë ngritur më këmbë dhe i janë afruar derës së vagonit gati për të zbritur. Krijohet një pështjellim i madh përpara dyerve të vagonave mes njerëzish që mundohen të hipin në tren në një kohë kur të tjeret duan të zbresin duke çarë rrugë me shqelma.
  • E fundit kam për të hipur në tren, edhe ta di se rrugën për Tiranë e bëj në këmbë. – po i thosha Myzit ndërsa u dëgjua fishkëllima e trenit që po mbërrinte në stacion e njerëzit po mblidhnin rraqet e po bëheshin gati për të nisur sulmin.
  • Edhe unë s’kam qejf të ha ndonjë shqelm sot – tha Myzi.
    Dolëm në peron dhe po shihnim në cilën derë vagoni kish më pak njerëz. E nisëm nga vagoni i parë pranë lokomotivës dhe po afroheshim tek i fundit pa shpresë. Vagonat të gjithë plot. Fatorinot po bëheshin gati për të dhënë sinjalin me flamur për makinistin kur ne nxituam për tek vagoni i fundit. Tek dera e tij me flamurin e fatorinos në dorë dhe kapelen e saj në kokë burri cigan po na bënte shenjë të nxitonim.
  • Urdhëroni, moj e bukur, urdhëroni! Bashkë me shoqen tuaj, urdhëroni! – na ftoi burri cigan me reverancë.
    Hymë brenda për të zënë ndonjë vend por… Vagoni ishte i gjithi bosh. Asnjë pasagjer për be. Unë desha të ulem në sediljen e parë por burri cigan tha:
  • Jo aty, jo aty. Tek sedilja e mesit. Aty është vendi juaj.
    Unë kapa Myzon për dore dhe priva përpara.
    Në mesin e sediljeve të mesit të vagonit kinez, në tavolinën e vogël ca shegë të çara nga ëmbëlsia, kajsi e rrush, kumbulla e ftonj në një kanistër shelgu që thurin gratë cigane.
    Në varëse, pranë perdes varej një kitarë akustike. Myzi nxitoi të ulet e para pranë dritares, por burri cigan iu lut të ulej në sediljen përbri. Myzi mori një kokërr shegë dhe u bind.
  • Kurse ju, këtu, moj e bukur. Dhe të lutem, pas kësaj mos hap gojë. Vetëm dëgjo.
    Burri cigan u ul përballë meje, mori kitarën në dorë dhe ia nisi këngës. Një këngë e gjatë, e përmalluar dashurie që më bëhej se e dëgjoja një herë shqip e një herë serbisht. Herë hungarisht e herë rumanisht. Herë spanjisht e herë italisht. Herë rusisht e herë… por gjithherë nga burri cigan që i binte kitarës me një dorë të shkathët si të një magjistari.
    Myzi ishte kthyer e tëra e magjepsur dhe ajo nga burri cigan dhe rrinte aty ku i thanë pa lëvizur.
  • Unë të isha si ty, ia kisha dhënë. S’bëhet qameti. Aty në fund të vagonit. Ti tani s’je më e virgjër që të merret vesh. – kështu më tha Myzi ndërsa lamë mbrapa peronin në Tiranë në mesin e të cilit burri cigan ishte bashkuar me grupin e tij.
    E quajta të mbyllur këtë histori. Aventurën më të bukur të jetës time. Myzi çuditërisht nuk i tha asnjë prej shokëve tanë. Dhe bëri mirë. Ata do të talleshin jo vetëm me mua, por edhe me të, nëse historia me burrin cigan merrej vesh.
    Reportazhi im për midhjet iu duk shumë i mirë shefit, megjithëse unë e kisha shkruar me shumë mërzi. Po i hidhja një sy shkarazi faqosjes se gazetës kur në zyrë hyn Myzi e zbehur në fytyrë. Në duar mbante një pako mbështjellë me gazetën e “midhjeve”. E lëshoi pakon mbi tavolinë. E çmbështolla dhe shoh dy shegë flakë të kuqe të çara nga ëmbëlsia, kajsi, rrush, kumbulla e ftonj.
  • Poshtë ka ardhur ai. – tha Myzi pa shprehje në fytyrë.
  • Si t’ia bëjmë? – e pyeta Myzin pa pritur përgjigje.
    Por Myzi foli duke nxjerrë nga xhepi çelësin e shtëpisë së saj.
  • Unë them… na çelësin dhe… shko jepja. Mos e turturo!
  • Myzi?!
  • Unë s’i them njeriu. Je fati i tij, s’u bëre dot imi.
    Myzi më shihte me ca sy të çuditshëm që tani më bëjnë të kuptoj ca sjellje të saj në hotel dhe xhiros në breg të detit mbrëmjeve në Sarandë. Po tani nuk kam hallin e saj. Atij atje poshtë i duhet dhënë përgjigja që duhet.
    Rrëmbeva gazetën me fruta. Një shegë nuk arrita dot ta kap mirë dhe doli nga gazeta e ra në dysheme. Nuk pata kohë të ulem e ta marr. Zbrita duke vrapuar shkallëve.
    Ai ishte poshtë bredhit ku fillon lulishtja përballë zyrave tona. Ngjyra e syve dhe e halave të bredhit ishin shkrirë në një. Po më shihte si atëherë kur këndonte këngët në vagon. Njërën dorë e mbante në xhep. Tjetrën mbrapa. Diç fshihte.
    Iu afrova me hap të shpejtë duke parë sa majtas djathtas. Nuk desha dëshmitarë kur të bëja ndarjen me të. Dhe s’ish për fat asnjë nga shokët e redaksisë, me përjashtim të Myzit që po më ndiqte nga pas.
    Kur iu afrova një metër larg, ndala dhe i hodha tek këmbët gazetën me frutat dhuratë. Ato u shkapërderdhën në bar.
    -Nuk i dua. As ty nuk të dua. As të kam dashur…
    Burri cigan më pa me sytë e ujkut. Kisha dëgjuar se ujku para se ta çajë qengjin e hipnotizon me sytë e tij. Por unë nuk u dhashë. Qëndrova stoike.
    Burri cigan befas me dorën e majtë të fshehur nxori një thikë të madhe, të mprehtë brisk para syve te mi. Unë ulërita. Por ai e vuri thikën sipër dorës së djathtë të tij tek kyçi dhe e preu. Gjaku shpërtheu pizgë mbi bar e fruta. Dora e tij ra mbi to. Unë zura fytyrën me të dyja duart. Dëgjova burrin cigan të thosh.
  • Kjo dorë nuk do t’i bjerë më kitarës për asnjë femër në këtë botë.
    Unë vazhdoja të ulërija ndërsa Myzi më mbante nga shpatullat dhe qante.

Narina Buna, 47 vjeçe, me tre fëmijë, e ve qysh prej tre vjetësh, në fillim apo prag menopauze s’e di, bën be dhe thotë se ka dëshmitare Myz Strelcën se një muaj pasi ishte martuar, një burrë cigan me sy jeshil si të ujkut kur i sulet presë, e kish prerë dorën e djathtë dhe e kish hedhur tutje, se nuk deshi që më pas me atë dorë t’i binte kitarës e të këndonte për bukurinë e një femre tjetër, siç kishte kënduar për bukurinë e saj.

28 prill 2006

Share: