Home KRYESORE “Udhëtimi im”: Klentiana Mahmutaj, shqiptarja e OKB-së

“Udhëtimi im”: Klentiana Mahmutaj, shqiptarja e OKB-së

Nga The Albanian.co.uk

Kur gjendej në auditoret e fakultetit juridik në Tiranë, mbase kurrë nuk e ka menduar se një ditë do të mund të ishte baristere në një ndër firmat më prestigjioze Britanike, e aq më tepër të përzgjidhej si eksperte e pavarur nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut të OKB-së.

Klentiana Mahmutaj është padyshim jo vetëm një ambasadore e shkëlqyer e vlerave shqiptare me kontribut të jashtëzakonshëm, por si një ndër modelet më të mira për shqiptarët kudo që janë.

Profesioni është ai që na bashkëshoqëron gjithë jetën. Ju këtë zgjedhje e keni bërë te mirëllogaritur apo ju ka ardhur spontanisht, si një vokacion i brendshëm? 

Kur mendoj për profesionin tim nuk e shikoj si një aktivitet të vetëm, por si instrument me disa përbërës dhe që është gjithnjë në lëvizje dhe ndryshim. Ushtroj profesionin e avokates (barrister) prej 15 vjetësh, një periudhe gjatë së cilës kam bërë me qindra çështje përpara instancave të ndryshme gjyqësore. Por paralelisht, për një pjesë të kësaj periudhe kam dhënë edhe mësim në universitet për dy vjet (lëndën e provave, d.m.th Law of Evidence) dhe kam botuar artikuj akademikë në fushën e të drejtave të njeriut dhe asaj ndërkombëtare, sikurse dhe një libër mbi doktrinën e ndërhyrjes humanitare në të drejtën ndërkombëtare me fokus rastin e NATO-s në Kosovë. Gjithashtu kam bërë konsulenten nëpërmjet projekteve të Foreign and Commonwealth Office dhe Slynn Foundation në disa aspekte të reformës ligjore në Shqipëri dhe kam përfaqësuar Shqipërinë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) gjatë negociatave të një projekt-traktati mbi biznesin dhe të drejtat e njeriut.

Së fundmi, në Mars 2020 u emërova si eksperte e pavarur nga Këshilli i te Drejtave të Njeriut në Mekanizmat e Procedurave Speciale të OKB-së, specifikisht për të Drejtën e Zhvillimit.

Kështu që profesioni im këto 15 vjet, përveç avokatisë, ka pasur elementë të tjerë që kanë bashkekzistuar me dobi të ndërsjelltë.

Gjithsesi, asgjë nga më sipër ka qenë e mirëllogaritur. Ka qenë një udhëtim i vazhdueshëm zbulimi. Fillimisht zgjodha të studioj jurisprudencë pasi isha e interesuar në politikë dhe të drejtën ndërkombëtare. Pas një viti studimesh në Tiranë në fakultetin e juridikut, nuk kisha asnjë lloj dëshire të bëhesha avokate. Kur fillova studimet në Angli, në këtë rast për English law, ndodhi diçka që nuk e prisja. Isha në vit të parë të universitetit, sapo kisha mbërritur nga Shqipëria, dhe nuk kisha pasur kohë të ambientohesha ende as me sistemin akademik anglez e as me shoqërinë angleze, në përgjithësi. E megjithëkëtë, dola shume mirë, mora “A” ne contract moot, që është një lloj provimi avokatie ku testohet aftësia për të bërë parashtrime në gjykate mbi një çështje të caktuar, në këtë rast në lëndën e të drejtës së kontratës/detyrimeve.  Çuditërisht, e gjeta shumë të thjeshtë si provim dhe më pëlqeu.  Aty e mendova për herë të parë që doja të bëhesha avokate/ barrister.  Ndërsa pasionin për të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare e kam ushqyer gjithnjë me botime, mësimdhënie dhe referime në konferenca të ndryshme. Kështu, gradualisht, më janë dhënë mundësitë t’i zhvilloj këto interesa nëpërmjet roleve të ndryshme brenda fushës së drejtësisë.

Cilat kanë qenë momentet që kanë shënjuar udhëtimin tuaj profesional/ personal? 

I pari moment i rëndësishëm ka qenë botimi i librit tim në 2007 mbi doktrinën e ndërhyrjes humanitare në të drejtën ndërkombëtare, ku përqendrohem në rastin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Kjo ishte fillimisht një tezë që pata fatin ta shkruaja nën mbikëqyrjen e Profesor Christopher Greenwood QC, CMG (në atë kohë, avokat dhe profesor i të drejtës ndërkombëtare publike tek LSE, dhe me vonë gjyqtari britanik në International Court of Justice) i cili më shkroi edhe parathënien e librit që u botua në shqip. Më vone, libri u promovua nga shoqata e studentëve shqiptare në LSE dhe nga Ministria e Jashtme Shqiptare. Në kohën e botimit të librit tim ishte shkruar shumë pak, për të mos thënë aspak, në shqip mbi këtë temë dhe për mua ishte privilegj që munda ta jap këtë kontribut.

Më vonë, kualifikimi si barrister dhe sigurimi i një vendi permanent në Chambers ishin dy momente vendimtare që më mundësuan të paraqitesha si counsel në çështje interesante në të gjitha instancat dhe në fusha të ndryshme të së drejtës, nga e drejta penale, tek ekstradimet e të drejtat e njeriut dhe më vonë në arbitrazh ndërkombëtar mbi investimet. Këtu momentet e rëndësishme kanë qenë të shumta. Avokatia është një udhëtim plot sfida por edhe një privilegj që të shpërblen në shumë nivele.

Momenti i tretë i rëndësishëm, ishte në vitin 2018 kur përfaqësova Shqipërinë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në negociatat e një projekt-traktati mbi biznesin dhe të drejtat e njeriut. Të bëjë parashtrime ligjore çdo ditë për një javë të tërë në një nga sallat më të rëndësishme të Palais des Nations, përpara ambasadorëve nga e gjithë bota, në emër të vendit tënd, ishte një ndjesi e papërshkrueshme. Sensi i përgjegjësisë, i privilegjit, i historisë, të gjitha këto e bënë një eksperiencë të jashtëzakonshme.  Tani rikthehem në OKB si eksperte e pavarur, por përfaqësimi në 2018 do të mbetet moment unik në karrierën time.

Shpesh thuhet që nuk ka një çelës të unifikuar suksesi për të hapur çdo derë, po ju a e keni pasur një të tillë për të hapur rrugën tuaj drejt suksesit?

Personalisht, nuk e di nëse ka një çelës të unifikuar për të hapur rrugën drejt suksesit, çfarëdo qoftë ky.  Mendoj që kam pasur fatin të rritem më shumë dashuri nga prindër që kanë qenë vizionarë dhe më kanë përkrahur në të gjitha dëshirat dhe interesat që kam pasur që në moshë të vogël, por që më kanë rritur edhe me edukatën e punës dhe disiplinës. Mendoj që një arsye tjetër e suksesit ka qenë fakti që jam kurioze dhe kam dëshire të zbuloj por edhe të përmirësoj botën që më rrethon. Gjithashtu, i kam qëndruar besnike subjekteve profesionale mbi të cilat kam pasur interes të vërtetë dhe nuk jam influencuar nga zgjedhjet e të tjerëve. Kam zgjedhur gjithmonë rrugën time. Së fundmi, duhet thënë se kam pasur edhe fat, pa të cilin nuk mund të arrihet asgjë. Me fat nënkuptoj mundësitë që më kanë dhënë njerëz dashamirës dhe largpamës gjatë gjithë udhëtimit tim që në adoleshencë e deri tani që unë të tregoja aftësitë e mia. Pa këto shanse, nuk është e mundur të korrësh sukses dhe unë i jam mirënjohës këtyre individëve, si shqiptare edhe angleze.

Nuk rritemi kur i kemi gjërat e lehta, por kur përballemi me sfida. Cilat sfida do i përcaktoje si më të vështirat në jetën tuaj?

Sfidat e mëdha vijnë kur ka ndryshime të mëdha.

Sfida e pare ishte të studioja ligj anglez në një universitet anglez në rrethana ku nuk kisha qenë kurrë më parë në Angli. Nuk dija çfarë të prisja pasi nuk kisha pasur as një lloj ekspozimi ndaj shkollave apo shoqërisë angleze dhe as të ndonjë vendi tjetër perëndimor. Kisha një anglishte të mirë, por bëhet fjale për vitin 1998, kur Shqipëria një vit më parë kishte shmangur, ngushtësisht, një luftë civile si rezultat i rrëzimit të firmave piramidale dhe gjendja politike në vend vazhdonte të ishte kaotike, sidomos pas vrasjes së Azem Hajdarit në dyert e parlamentit shqiptar. Atë vit, unë vija direkt nga bankat e Fakultetit Juridik në Tiranë, ku në kushtet e sipërpërmendura, niveli i shkollimit dhe materialeve akademike kishte qenë thuajse joekzistues. Kështu që kontrasti si shoqëror ashtu edhe akademik në fillimet e mia ishte një sfidë e madhe. Po kështu edhe shkëputja për herë të parë nga familja për periudha të gjata kohore. Ky ishte një fenomen i ri dhe traumatik për shoqërinë shqiptare, e cila në atë kohë ishte shumë e fokusuar tek familja, si fizikisht ashtu edhe emocionalisht. Në mungesë të përkrahjes familjare në Angli, sfida e fillimit ishte akoma dhe më e vështirë.

Sfida tjetër e dyte ishte sigurimi i mundësisë për të ushtruar profesionin e barrister në një institucion me reputacion prestigjioz në Mbretërinë e Bashkuar.

Kjo ishte një sfidë e dyfishtë. Fillimisht, sigurimi i një vendi në Chambers për të bërë pupillage apo trajnimin nga një deri dy vjeçar që duhet të kryej çdo person që ka kryer provimet e avokatisë, për ta quajtur veten të kualifikuar si avokat. Në këtë periudhë, çdo chambers merrte mesatarisht midis 400-800 aplikimeve për dy- tre vende. Duhet pasur parasysh se profesioni i avokatisë (barrister) në Mbretërinë e Bashkuar është një profesion qindravjeçar cilësia e të cilit, me të drejtë është ruajtur me fanatizëm. Ky profesion, historikisht ka qenë elitar dhe tejet përzgjedhës, ndryshe, për shembull, nga akademia apo the City që ka qenë më shumë mikpritës ndaj të huajve. Veçanërisht, përpara 15 vjetësh më shumë se tani, profesioni i barrister vuante ndjeshëm nga problemet e diversitetit. Unë isha femër, nga vendi ish-komunist më i varfër i Evropës dhe, edhe pse isha edukuar në universitet angleze, nuk vija nga një botë akademike apo shoqërore e privilegjuar. Kështu që kur e shikoja ambicien time nga larg në kontekstin e mësipërm, shanset e mia më dukeshin qesharake. Sidoqoftë, fakti që kisha kryer master në të drejtën publike ndërkombëtare, kisha bërë kërkime akademike, kisha kryer stazhe në Këshillin e Evropës dhe Shoqatën Ndërkombëtare të Avokatëve, me ndihmuan të fitoja të drejtën për t’u intervistuar. Pas intervistës së parë, kalova në raundin e dytë dhe në fund m’u ofrua pupillage nga një zyrë ku më vonë mësova se kishte pasur 800 aplikime për tre vende, njërin nga të cilët e mora unë.

Nënsfida e dytë ishte sigurimi i një vendi permanent në chambers për të ushtruar profesionin me të drejta të plota pas përfundimit të periudhës së trajnimit. Në këtë sfidë nuk mjaftojnë vetëm aftësitë teknike, por shikohet potenciali dhe aftësia për t’iu përshtatur ambientit të punës dhe për të shkuar mirë me anëtarët e tjerë të chambers. Përshtatshmëria varet nga personaliteti i çdo individi, background-i, interesat personale, sensi i humorit etj.  Këtë test nuk e kalova në zyrën ku bëra trajnimin dhe kështu m’u desh të aplikoja në chambers të tjera. Fatmirësisht atë që nuk arrita pas dy vjetëve në zyrën e parë, e arrita pas 6 muajsh në zyrën ku ndodhem momentalisht, Red Lion Chambers.  Aty ushtroj profesionin prej më shumë se 11 vjetësh dhe jam shumë krenare për këtë. Chambers-i ynë tani ka 100 anëtarë dhe përveçse fiton rregullisht çmime në sferën ligjore, historikisht ka prodhuar avokatë dhe gjyqtarë të shquar, por edhe politikanë të rëndësishëm, një nga të cilët edhe në Parlamentin aktual.

Na ndodh shpesh të kthejmë vështrimin pas dhe të pyesim veten, si do ishte jeta jonë nëse do të bënim zgjedhje të tjera/të ndryshme. Si ju rezulton bilanci me vendimet tuaja?

Sinqerisht, nuk do të ndryshoja as një vendim që kam marrë deri tani, pasi kombinimi i këtyre vendimeve më ka sjellë këtu ku jam profesionalisht dhe personalisht. Profesionalisht ndjehem shumë mirë, edhe pse kam shumë ende për të bërë. Personalisht, po të mos kish qenë për zgjedhjet profesionale që kam bërë gjatë udhëtimit tim, nuk do kisha takuar bashkëshortin tim (i cili është gjithashtu avokat), dhe kështu nuk do të kisha pasur djalin që kam. Djali dhe familja është arritja ime më e madhe, që justifikon të gjitha betejat që mund të më jetë dashur të luftoj për të arritur këtu.  Sigurisht, ca gjëra mund t’i kisha bërë ndryshe ose dhe me më pak mund. Sidoqoftë, gjithçka është eksperiencë e vlefshme.

Nëse arritja më e madhe e njeriut është që vazhdimisht të tejkalojë veten, cilat arritje tuaja përtej vetes do të cilësonit si më triumfueset? 

Mendoj që aftësia për të mbrojtur me sukses “the underdog” në një gjyq përpara jurisë në një çështje kur shanset janë mbërthyer kundra teje është një sens triumfues i pazëvendësueshëm dhe i pashpjegueshëm. Është një ndjesi fantastike si në planin profesional, por edhe ne atë human. Dhe këtë ndjesi kam pasur fatin ta përjetoj disa herë.

Mendoj që triumfi im tjetër i madh ka qenë emërimi si eksperte e pavarur mbi të të Drejtën e Zhvillimit nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut të OKB-së. Ky është një kurorëzim i arritjeve të mia profesionale në fushën e të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare dhe një privilegj i jashtëzakonshëm, sidomos në kohët sfiduese që po jetojmë tani ku e drejta për zhvillim dhe bashkëpunim global është më akute se kurrë. Përveç kësaj, duke qenë se jam shqiptarja e parë që jam emëruar në rolin e ekspertes në Procedurat e Mekanizmave Speciale të OKB-së, më vjen shumë mire që kam dhënë kështu një kontribut të vlefshëm për reputacionin e shqiptarëve si kontribuues të pavarur në arenën ndërkombëtare.

Çfarë evokimesh të djeshme e përjetimesh të sotme, të krijon tingëllimi i fjalës “Atdhe”?

Përjetimi i sotëm i fjalës Atdhe përmban detyrën morale për të kontribuar në Atdhe. Si për shembull, ajo çka thashë lart në lidhje me emërimin në OKB është një kontribut i prekshëm, por ndjej se kam ende për të dhënë. Pjesë e këtij përjetimi është edhe promovimi i përditshëm i Shqipërisë në familje sidomos djalit tim, i cili gjysmën e familjes e ka shqiptare dhe gjysmën angleze.

Evokimet e djeshme më lidhin me fëmijërinë e thjeshtë por të lumtur, me të afërmit e dashur, disa nga të cilët fatkeqësisht nuk jetojnë më. Me verat e nxehta dhe shirat e ngeshëm të Tiranës. Me emisionet ku merrja pjesë dhe pastaj drejtoja në Radio Tirana apo TVSH. Me poezitë që shkruaja, kurset e anglishtes, apo italishtes dhe të qeshurat e pafundme me shokët e shoqet. E me vonë, duke pirë margarita netëve të verës në tarracat e ca klubeve në Tiranë, ose duke pirë çaj mali në lobin e ndonjë hoteli e duke biseduar me miq te vjetër.

Çfarë cilësie mendoni se ka qenë më e mira,trashëgimi e atdheut tuaj, e cila ju ka ndihmuar të integroheni e të jeni i suksesshëm? 

Mendoj që ndryshimet e mëdha sociale, ekonomike dhe politike në te cilat u rrita, të bëjnë të mos trembesh nga mungesa e stabilitetit dhe të besosh se ka gjithnjë një mënyrë për t’u përmirësuar. Ky lloj kaosi të bën më kreativ, këmbëngulës por edhe me pritshmëri të ulëta pa të venitur ambicien apo besimin në vetvete.

Personalisht, përvojat e hershme (nga 14 deri 19 vjeç) me radion dhe televizionin më dha mundësinë në një moshë shumë të rë të bëja gjëra krijuese, analitike dhe me përgjegjësi. Gjithashtu, më dha akses në rrjete shoqërore interesante me gazetarë, redaktore, regjisore e poete, miqësi disa nga të cilat i ruaj edhe sot. Mendoj që kjo ishte një eksperiencë jo e zakonshme dhe pasuruese e cila më dha një siguri në vetvete, e nevojshme në sfidat e mia të ardhshme. Gjithashtu, më dha më vonë mundësinë për të punuar si prezantuese tek seksioni shqiptar i BBC World Service në Londer gjë që më ndihmoi përkrah rrugës për t’u kualifikuar si avokate.

Çfarë do të thotë “emigrant”, bazuar në përvojën tuaj personale dhe a keni vuajtur ndonjë pasojë të këtij “statusi” në fillimet apo aktualitetin tuaj?

Eksperienca ime ka filluar me studimet universitare këtu dhe është vijuar me një jetë profesionale interesante. Kur je student në Britani, ideja e emigrantit nuk ekziston pasi ti jeton në një univers më vete me studentë nga vende të ndryshme të botës dhe je deri diku i izoluar nga shoqëria e zakonshme. Më vonë, duke qenë se ambientet e mia profesionale dominoheshin nga shtresa klasike e mesme ose e lartë angleze dhe si rrjedhojë nuk kishte shumë diversitet, unë isha domosdoshmërisht “ndryshe” me aksentin tim, backgroundin tim etj. etj. Nuk di të them që kjo më krijonte ndjesinë e emigrantit pasi unë bëja të njëjtën punë dhe me të njëjtin status si ta, por më bëri pak të ndrojtur fillimisht. Më vonë e kuptova që të qenit ndryshe ishte një pikë force dhe jo dobësie. Dhe kështu e përdora në favorin tim. Në përgjithësi, me gjithë veçoritë e rretheve ku kam qarkulluar, jam ndjerë kryesisht e barabartë dhe e mirëpritur.

Si mendoni që mund të përmirësohet bashkëpunimi ndërshqiptar?

Me sa kam lexuar, shqiptarët nëpër botë kanë struktura dhe rrjete shumë të mira bashkëpunimi, sidomos në Shtetet e Bashkuara, por edhe në Britani. Nuk pretendoj se mund të ofroj ndonjë ide përmirësimi të funksionimit të këtyre rrjeteve. Megjithatë nga eksperiencat personale të komunitetit tonë në Britani, mendoj qe çka mund të përmisojmë është mentaliteti dhe mënyra se si e shikojmë njëri-tjetrin. Kam miq shumë të mirë si nga Kosova ashtu edhe nga Shqipëria, por kam hasur jo pak individë që e gjejnë të pamundur të gëzohen për suksesin e tjetrit dhe refuzojnë ta promovojnë këtë sukses kur i jepen mundësitë. Kjo lloj xhelozie dhe dritëshkurtësie nuk është problem ekskluziv i shqiptarëve, por në rastin tonë është i pafalshëm. Kjo sepse ne jemi një komunitet relativisht i ri në Britani dhe kemi përfituar drejtpërdrejtë nga ndihma e individëve britanikë, kështu që na ngrihet një detyrë morale, por jo vetëm, të përkrahim njëri-tjetrin. Edhe po ta shohim si model biznesi, duke ndihmuar njëri-tjetrin ne mund të rrisim njëkohësisht influencën tonë kolektive dhe individuale në shoqëritë ku jetojmë. E kundërta është një mentaliteti i fragmentuar, përçarës dhe regresist që domosdoshmërisht do të kufizojë potencialin tonë si një komunitet i rëndësishëm në Britani.

Çfarë duhej të ishte ndryshe në mëmëdhe?

Asnjë vend nuk është perfekt dhe të gjithë vendet kanë nevojë për përmirësime në fusha të ndryshme. Sikurse e dimë nga përvoja jonë e  drejtpërdrejtë, Britania e Madhe është shembull klasik i nevojës për ndryshim. Sidoqoftë, një nga gjërat që unë do të dëshiroja të ishte ndryshe në mëmëdhe, është dëshira e të rinjve për të qëndruar aty dhe stimuli për tu rritur profesionalisht dhe për të kontribuar në vendin e tyre. Rinia ka qenë gjithnjë forca lëvizëse pas ndryshimeve pozitive në Shqipëri dhe do ishte fatkeqësi nëse të rinjtë ndjehen që zgjidhja e vetme është emigrimi.

A mendoni se është e duhura qasja që qeveria/qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë ndaj diasporës dhe çfarë do të kërkonit konkretisht nga qeveria/qeveritë shqiptare? 

Për të qenë e sinqertë nuk jam e mirinformuar mbi qasjet e qeverive shqiptare mbi diasporën, dhe kështu që momentalisht nuk kam as një opinion mbi këtë pikë. Në përgjithësi, do të thosha se diaspora ka një rol të rëndësishëm në imazhin e Shqipërisë, dhe mendoj se duke i dhënë vëmendjen e duhur Shqipëria mund të përfitojë nga diaspora.

Ndërkohë që jeni të zënë duke bërë plane, ndryshimi mbetet konstantja e pandalshme e kohës. Cilat janë tuajat për të ardhmen? 

Nuk besoj në plane. Kam vetëm ide. Pres me kureshtje të shoh çfarë planesh ka e ardhmja për mua.

The Albanian” tanimë ka mbi 1 milion ndjekës online. Cili do te ishte mesazhi juaj si motivim (mosdorëzim)?

Dëgjoni zërin tuaj të brendshëm. Pranojeni atë që ju thotë për atë që është. Ndiqeni pa u ndalur.  Bëni atë që duhet të bëni me dashuri dhe pa keqdashje.  Jini modeste, pasi modestia  nuk ul as zellin dhe as suksesin. Përkundrazi.

Share: