Home Gjeo-Ekonomia Kandidatja shqiptare për parlamentin kroat: Le të bëhemi bashkë e të fitojmë

Kandidatja shqiptare për parlamentin kroat: Le të bëhemi bashkë e të fitojmë

Të nderuar bashkatdhetare e bashkatdhetarë,

Tashmë të gjithë jeni informuar që kam dorëzuar kandidaturën zyrtare për legjislaturën e ardhshme në zgjedhjet parlamentare të Republikës së Kroacisë. Rrugëtimi i nisur para pak viteve po hyn në një etapë të re, atë të konsolidimit të bazës së vendosur gjatë mandatit të parë, ku bashkëpunimi ynë dha fryte si asnjëherë më parë.

Nga zemra dua t’ju falënderoj për mbështetjen tuaj në këtë mandati 4-vjeçar, gjatë të cilit nuk kursyet energjinë dhe kontributin tuaj për t’u siguruar që komuniteti ynë të ketë sa më shumë të mira nga përfaqësuesja e vet në parlamentin kroat. Si përfaqësuese e juaja edhe më tej, jam e gatshme të ofroj sërish tërë energjinë dhe kapacitetin tim profesional e moral duke vazhduar të jem zëri juaj në parlament, bazuar në përvojën e shkëlqyer të akumuluar deri tani.

Arritjet gjatë këtij mandati janë për t’u mburrur vërtet, por nuk është koha për të pushuar. Përkundrazi, jemi të vetëdijshëm se sot ka më shumë punë për të kryer, më shumë projekte që duhen zhvilluar, më shumë qëllime që duhen realizuar. Këto synime nuk arrihen nga një person i vetëm por nga puna e përbashkët e të gjithë neve. Pra, duhet që të gjithë së bashku me votën tonë të shenjtë të tregojmë se duam ta vazhdojmë punën që kemi nisur kaq mirë e kaq frytshëm.

Bota sot po kalon në faza të vështira, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë shoqëror dhe ekonomik. Shumë kandidatë në botën demokratike po i trajtojnë fushatat zgjedhore si platforma për thashetheme e përçarje mes votuesve, në vend që të shpalosin programet e tyre për përmirësimin e jetës së komuniteteve që përfaqësojnë. Ne duhet të sillemi në mënyrë dinjitoze e të mos biem në grackën e lojërave të tilla politike, sepse ato nuk i shërbejnë askujt. Unë e kam dëshmuar me punë e me iniciativa të shumta pozitive mënyrën se si i shërbej komunitetit, dhe mënyra ime bazohet në tre elemente të thjeshta: ndershmëri, punë, llogaridhënie.

Të dashur miq e mikesha,

Fatin tonë e kemi në dorë, atë e vendosim vetë. Për ta bërë këtë, duhet të votojmë. Për t’i arritur qëllimet tona të përbashkëta, duhet të themi fjalën tonë. Atëherë, le të flasim të gjithë së bashku, si trup i vetëm, drejt një jete sa më të mirë e dinjitoze për komunitetin tonë. Ju ftoj ta vazhdojmë punën e nisur me kontributin tonë të përbashkët, e ta shpiem edhe më tej.

E juaja sinqerisht, Ermina Lekaj Prljaskaj


Share: