Home KRYESORE Qendra Evropiane e Drogave: Prodhimi i kanabisit në Shqipëri do të rritet...

Qendra Evropiane e Drogave: Prodhimi i kanabisit në Shqipëri do të rritet në muajt e ardhshëm

Nga  Exit News

Kultivimi i kanabisit në Shqipëri pritet të rritet në muajt e ardhshëm, për shkak se institucionet ligjzbatuese janë fokusuar më shumë tek vëzhgimi i zbatimit të masave kundër Covid-19 dhe jo tek lufta ndaj narkotikëve.

Kështu shkruajnë Qendra Evropiane e Drogave (EMCDDA) dhe Policia Europiane (EUROPOL), në raportin “Tregjet e Drogës në BE – Ndikimi i Covid-19″ të majit 2020.

EMCDDA thotë se kanabisi i prodhuar në Shqipëri është produkt që më pas shitet në tregjet europiane.

Në përgjithësi duket se pandemia e Covid-19 nuk ka ndikuar në uljen e prodhimit të kanabisit, por ka vështirësuar trafikimin e tij nga vendet e prodhimit në vendet ku shitet.

Në shumë vende të BE-së është vënë re rritje e çmimit të shitjes me pakicë të kanabisit, që ka të ngjarë të lidhet me problemet në transport, shpërndarje dhe mungesën e stokut nëpër vendet e shitjes.

Në muajt në vazhdim, me lehtësimin e masave të qarkullimit dhe vazhdimin e prodhimit në vende si Shqipëria, çmimi i shitjes së kanabisit, pritet të shkojë drejt normalizimit.

Që prej prillit 2020, në mesin e pandemisë, policia njoftoi se po përdor dronë, jo vetëm për të gjetur qytetarët që shkelin izolimin, por dhe për identifikimin e zonave ku kultivohen lëndë narkotike dhe veçanërisht kanabis.

Policia nuk ka bërë ende një njoftim zyrtar se sa sukses ka pasur monitorimi nga ajri në luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike.

Share: