Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Votimi i kodit reagon ambasada USA: Keqardhje që shumica dështoi respektimin e...

Votimi i kodit reagon ambasada USA: Keqardhje që shumica dështoi respektimin e Këshillit Politik…

Përmes një shënimi të gjatë në facebook, ambasada thekson se partia qeverisëse është përgjegjëse për ndalimin e punës dhe diskutimeve në Këshillin Politik, ndërsa shpreh keqardhjen se dështuan në zgjedhjen e një emërues të përbashkët.

“Është për të ardhur keq që shumica dështoi të respektonte përkushtimin e deklaruar prej vetë asaj për të kërkuar emërues të përbashkët në Këshillin Politik.”

Më tej në deklaratë thuhet se miratimi i Kodit të ri Zgjedhor nuk është shkelje e marrëveshjes së 5 qershorit, por janë ndryshime shtesë.

“Ndërkohë që ishte brenda kompetencave të parlamentit për t’i miratuar këto ndryshime, dhe ndërkohë që këto ndryshime janë shtesë – dhe jo shkelje – të marrëveshjes së 5 qershorit”.

Në përfundim të reagimit të saj Ambasada thekson se duke udhëheqësit e Shqipërisë, jo vetëm ata që janë në pushtet, duhet të kërkojnë nga vetja një standard më të lartë për të siguruar lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve të 25 prillit 2021.

Reagimi i plotë:

Shtetet e Bashkuara i kanë shtyrë udhëheqësit e Shqipërisë – brenda dhe jashtë parlamentit – për t’u angazhuar me njëri tjetrin në mënyrë transparente dhe përfshirëse për çështje me rëndësi kombëtare. Ky lloj angazhimi pozitiv prodhoi marrëveshjen e 5 qershorit për reformën zgjedhore.

Nga ajo kohë, kemi bërë të qartë që marrëveshja e 5 qershorit duhet të respektohet dhe se çfarëdo masash shtesë duhen shqyrtuar dhe miratuar në mënyrë të ngjashme transparente dhe përfshirëse në Këshillin Politik.

Sot, partia qeverisëse ndaloi diskutimet në Këshillin Politik dhe votoi për të miratuar ndryshime domethënëse të rregullave që do të qeverisin zgjedhjet e 25 prillit. Ndërkohë që ishte brenda kompetencave të parlamentit për t’i miratuar këto ndryshime, dhe ndërkohë që këto ndryshime janë shtesë – dhe jo shkelje – të marrëveshjes së 5 qershorit, është për të ardhur keq që shumica dështoi të respektonte përkushtimin e deklaruar prej vetë asaj për të kërkuar emërues të përbashkët në Këshillin Politik.

Shqipëria është anëtare e NATO-s, aspiruese për anëtarësim në Bashkimin Europian, dhe Kryesuese e radhës e OSBE-së. Është detyrë e udhëheqësve të Shqipërisë – duke filluar por jo vetëm ata në pushtet – për të kërkuar nga vetja një standard më të lartë dhe për të siguruar lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve të ardhshme. Këtë pritshmëri e kemi ashtu si populli shqiptar.

Share: