Home KRYESORE “Me përmbajtje të lartë antikushtetuese”, Meta kthen një tjetër ligj

“Me përmbajtje të lartë antikushtetuese”, Meta kthen një tjetër ligj

Një ditë pasi ktheu në Kuvend ligjin për “gjendjen civile”, presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin “për Metrologjinë”, që Kuvendi e ka miratuar më 15 tetor.

Sipas Metës, ky ligj “është një ndër ligjet me përmbajtje më të lartë antikushtetutshmërie, në shkelje flagrante të parimeve themelore kushtetuese të funksionimit të tregut të lirë dhe konkurrues, duke përbërë dhe shembullin tipik dhe të përsëritur, të fenomenit të korrupsionit legjislativ”.

Presidenti argumenton se ky ligj “në disa dispozita të tij krijon hapësira për zhvillimin e praktikave korruptive dhe shtron terrenin që këto praktika në dëm të interesit të popullatës dhe interesit publik, të realizohen drejtpërdrejtë përmes ligjit dhe mbrojtjes që ai ofron për subjektet që do t’i realizojnë ato”.

“Përmes këtij ligji një shërbim shtetëror, pa konkurrim, pa kritere të përcaktuara në ligj, pa studim fizibiliteti, ekonomik, social e mjedisor, me vendim të një Drejtori, mund ti jepet lehtësisht me autorizim një privati. Ky shërbim është i detyrueshëm për tu marrë nga subjektet që ushtrojnë aktivitet në një fushë të caktuar. Subjektet private në vijim duhet të shkojnë të marrin shërbimin/verifikimin pranë subjektit “të autorizuar” privat. Ndaj subjektit privat “të autorizuar”, nuk ushtrohet asnjë kontroll i mirëfilltë në rastet e abuzimeve. Subjekti “i autorizuar” privat nuk kalon dot asnjë kontroll të plotë, edhe nëse në marrëveshje të ndaluara me subjekte të tjera private, nuk e ushtron siç duhet funksionin e deleguar, në dëm të interesave të konsumatorëve.”, shkruan ndër të tjera presidenti Meta në arsyetimin e tij. /Opinion.al

Share: