Home KRYESORE Një Amerikë për çdo Elisë

Një Amerikë për çdo Elisë

Nga Alfred Lela, Politoko.al

Ministrja Elisa Spiropali njihet si një nga gratë guximtare të politikës. Ajo është një bubulinë e heroizmës, që hidhet në flakë për të nxjerrë prej andej metaforën më vezulluese (xixë, xixëllonjë…), parabolën më djegëse.

Kur nuk hyn në histori, ajo serbes futet në meme, por e tillë është koha jonë: heronjtë përfundojnë në rrjete sociale, sepse ato janë Eposi i kreshnikëve të ditëve tona.

Elisa nuk trembet nga memet as nga këngët; ajo madje duket se kungatën e saj aty e merr. Në mes të spinit ajo ngre krye për të kundruar vajzën e brishtë të Mjaftit e cila, kur të rritej, do ta bënte Shqipërinë lum kush të rrojë ta shohë zonjë.

Shqipëria nuk është bërë ende zonjë, por Elisa po. Zonja Elisa te zonja Eni, kish thënë për shembull se manipulim votash ka kudo, dhe shqiptarët janë ndjerë të ngushëlluar me atë që po ndodh në Amerikë. Kjo fjali duhet të listohet si një nga poshtërsitë më të mëdha politike të 30 viteve demokraturë.

Së pari, sepse një ministër shteti pranon publikisht se vjedhja është legjitime këtu, nëse ndodh në një vend tjetër (Amerikë a Kazakistan, nuk ka rëndësi).

Së dyti, sepse ministrja përdor kutin matës të relativizimit duke i thënë shoqërisë, të rejave dhe të rinjve, se manipulimi dhe vjedhja janë okay. Ndihuni të ngushëlluar kur vidhni diçka! Modele të tilla në poste ministrore janë një vajmedet i madh. Pamundësia për t’i vënë fre gjuhës, për të kontrolluar verbin, për të kuptuar ndikimin e fjalës në të folurin publik, sidomos nga ata që mbajnë poste, është një shkelje etike dhe lapërdhi politike.

Ministrat tanë, përfshirë këtu sidomos Spiropalin, duke qenë se i tremb dhe përkëdhel hija oratorike e Ramës, mundohen shpesh që, në daljet publike të qëmtojnë dhe artikulojnë edhe ‘intelektualizma’. Në proces bëjnë gafa. Nganjëherë ngatërrojnë autorë, libra dhe koncepte; nganjëherë flasin kuturu me qëllimin e krijimit të konteksteve politike që favorizojnë ata dhe partinë e tyre.

Rrjedhimisht bien në mjerim. Spiropali flet për shembull për ‘ballkanizim’ të procesit dhe debatit në Amerikë, nisur nga rasti i zgjedhjeve aktuale për President. Ajo nuk e sulmon Trump-in për shembull, siç do të donte, sepse është e kompleksuar nga historia e shefit të saj me Presidentin amerikan (e pat quajtur ‘turp të qytetërimit’) që e ‘ballkanizon’ debatin dhe procesin, por përfiton nga rasti për të thënë: ne jemi keq, por edhe ata që na shërbejnë si shembull janë gjithaq.

A mund ta imagjinoni pozicionin e Elisës në rastin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2000, kur një ‘ballkanizim’ i ngjashëm ndodhi mes kandidatëve Gore dhe Bush? (Me siguri, asokohe, Elisa mbante anën e Gore).

Ajo që rrezikon ligjërimi i Elisës është përgatitja për ta përdorur ‘ballkanizimin amerikan’ për procesin elektoral të radhës dhe për të shfajësuar publikisht ata të shkuarit. Për të thënë, në rast ankimimesh për vota të manipuluara, se nuk është ndonjë çudi e madhe, ndodh edhe në Amerikë.

Në fund, për elisën dhe e-lisat e tjerë me e-books dhe e-vjedhje; jo nuk ka asnjë ngjashmëri mes Amerikës dhe Shqipërisë sa i takon zgjedhjeve. Për faktin e thjeshtë se atje shtresat e pushtetit, kontrollit e balancës janë disa. Kemi Presidentin (Skënderbeun e atjeshëm), por janë edhe shtetet me legjislacionin, guvernatorët, Sekretarët e Shtetit dhe sistemin e tyre gjyqësor. Përpos tyre janë edhe institucionet edhe gjykatat federale. Edhe në gaboftë njëra, e korrigjon tjetri.

Në Shqipëri të gjitha i ka në dorë ‘Skënderbeu i Elisës’. Meqë jemi te Skënderbeu,debati vazhdon të bëhet i ashpër dhe pyetja mbetet: ku qëndron fuqia, te dora apo te shpata, por ministrja nuk futet në të.

Asaj i pëlqen të jetë në duar të sigurta. Për to është gati të thotë një budallik në ditë e të mos skuqet./Politiko.al

Share: