Home KRYESORE Ta festojmë Pavarësinë, por të mos harrojmë historinë

Ta festojmë Pavarësinë, por të mos harrojmë historinë

Nga Mentor Kikia

Shpallja e pavarësisë është ngjarja më e shenjtë në historinë tonë. Por, unë mendoj se ajo duhet të jetë, përveçse ditë feste, edhe një ditë kur ne duhet të reflektojmë.

Historia jonë është më e trishta në rajon, apo edhe në Europë. Jo për fajin tonë. Shqiptarët janë, pa asnjë dyshim, hebrenjtë e Ballkanit.

Ne kemi përjetuar tri dëbime të mëdha nga trojet tona brenda një shekulli.

Dibranët në 1913 nga serbët, çamët në 1946 nga grekët dhe kosovarët në 1999, sërish nga serbët. Pa llogaritur dëbimet e mëhershme, 1877 – 1878, nga shumë krahina që sot janë pjesë e Serbisë.

Arratia e hebrenjve, është një nga historitë më të mëdha të njerëzimit dhe ajo ishte një “pasaportë” e pakundërshtueshme për rikthimin e tyre dhe ringritjen e Izraelit, pas fundit të Luftës së Dytë dhe Holokausttit. Nëse historisë dhe kinematografisë do ti heqim filmat dhe librat me hebrenj, ato nuk do të quhen më histori dhe kinematografi.

Po holokaustin e shqiptarëve sa e njeh bota?

Çfarë kemi bërë ne, që tragjeditë tona ti kthejmë në mjet për të luftuar për bashkimin tonë, së paku me Kosovën?

Çfarë ka bërë politika, historia dhe kinematografia për ti përjetësuar dhe prezantuar ato?

Nëse pyet sot se kur kanë ardhur dibranët në Tiranë, shumica dërrmuese do të thonë: Erdhën në Bathore, pas vitit 1990.

Sot, ne jemi duke u sjellë me veten edhe me keq. Kurrë më shumë se sot, historia nuk ka qenë në anën tonë. Por, në vend të përpjekjeve serioze për çështjen kombëtare, arritjen më të madhe ne kemi se në Durrës u kemi lënë kosovarëve një pikë ku tregtarët mund të paguajnë doganën e mallrave që importojnë.

Share: