Home KRYESORE Jakup Krasniqi-prokurorit Smith: Mos fol në emër të popullit të Kosovës

Jakup Krasniqi-prokurorit Smith: Mos fol në emër të popullit të Kosovës

Ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi gjatë seancës të kësaj të mërkure në Hagë ka reaguar ndaj prokurorit të Speciales Jack Smith, duke i thënë që të mos flasë në emër të popullit të Kosovës.

Krasniqi ka deklaruar se në emër të popullit të Kosovës mund të flasin vetëm përfaqësuesit e tij dhe jo prokurori Smith.

“Kam një reagim në fjalën e prokurorit Smith kur foli në emër të Popullit të Kosovës, në emër të qytetarëve të Kosovës mund të flasim ne përfaqësuesit e tij. Unë 45 vjet të jetës sime i kam të angazhuar për lirinë dhe për çlirimin e kombit tim nga robëria. Në zgjedhjet e vitit 1992 kam qenë i zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës që regjimi kriminal  i Serbisë nuk e ka lejuar të konstituohet. Pas çlirimit kam qenë përfaqësues në Kuvend deri në vitin 2014”, ka thënë Krasniqi.

Ai më tej i kërkon Prokurorit Smith se në emër të popullit të Kosovës dhe në emër të luftës dhe sakrificave të flasin përfaqësuesit e saj dhe jo ata që tentojnë ta dënojnë luftën shumë vjeçare të për liri, barazi e shtet-ndërtim.

“Kisha lutur prokurorin që nëse ai duhet të flasë në emër të dikujt ose nëse duhet të flasë në emër të krimeve të pretenduara ai le të bëhet mbrojtës i politikave të krimit dhe gjenocidit që ka përdorur Serbia që nga vitit 1876-1878 ndaj popullit të Kosovës. Në emër të popullit tim dhe në emër të luftës dhe sakrificave flasim ne përfaqësuesit e tij dhe jo ata që tentojnë ta dënojnë luftën shumë vjeçare të kombit tim dhe në mënyrë të veçantë luftën e fundit të popullit për liri barazi e shtet-ndërtim. Për ç’ka ne e kemi fituar mbështetjen ndërkombëtare dhe e kemi çliruar Kosovën dhe sot është i lirë nga ai regjim”, ka thënë Krasniqi./Opinion.al

Share: