Home Gjeo-Ekonomia Ekonomia shqiptare drejt vitit 2022. Nga Dr. Enriko Ceko

Ekonomia shqiptare drejt vitit 2022. Nga Dr. Enriko Ceko


Për në periudhë rreth 30 vjeçare Shqipëria është transformuar nga një prej vendeve më të varfra të kontinentit Europian, në një vend me të ardhura në rritje, të klasifikuara si të ardhura mesatare të larta, që kanë më shumë risk të ulen se sa të rriten, sidomos në rastet e katastrofave natyrore, pandemive, etj.

Në Shqipëri po bëhen përpjekje që të zbatohen reforma të kërkuara edhe nga faktori ndërkombëtar, për të nxitur zhvillimin në përgjithësi në kuadër të rrugës së integrimit në rajon dhe më gjerë, si dhe për të nxitur rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës, dy objektiva të rëndësishëm në aspektin ekonomik.

Shqipëria ka të nevojshme axhustime strukturore dhe reforma institucionale. Axhustimet strukturore kanë të bëjnë me riformatimin e administratës publike dhe me ristrukturimin e ekonomisë dhe sektorëve të saj, ndërsa reforma institucionale ka të bëjë me reformimin e sistemit të drejtësisë, duke filluar me ligjet e duke vazhduar me reformimin e sistemit të drejtësisë në të tëra aspektet, për t’a bërë atë funksional dhe të orientuar në shërbim të përmirësimit të cilësisë së jetës politike, ekonomike, sociale, kulturore, sportive, ligjore, mjedisore, etj në vend, dhe specifikisht për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.

Si axhustimet strukturore, ashtu dhe reformat institucionale synojnë të mbështesin rritjen e balancuar ekonomike, rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë, krijimin e më shumë vendeve të punës, përmirësimin e qeverisjes dhe ofrimit të shërbimeve publike cilësore.

Në këtë aspekt, me rëndësi merr vendosja dhe mbështetja e lidhjeve ekonomike dhe sociale me vendet e tjera të rajonit dhe aksesi në tregjet rajonale, evropiane dhe globale, që arrihet me anë të diversifikimit të tregut vendas, produkteve dhe shërbimeve duke synuar edhe diversifikimin e eksporteve. Të tëra këto në ndihmë të një rritjeje ekonomike më të lartë dhe të më të shpejtë.

Në këtë kuadër, stabilizimi i politikave makroekonomike, monetare dhe fiskale, arritja e qendrueshmërisë së sektorit financiar, qendrueshmërisë dhe eficiencës energjetike, mbështetja e shtresave të paprivilegjuara, decentralizimi i manaxhimit të territorit, etj, mbeten synime praktike.

Në nëntor 2019 vendi u godit nga një tërmet shkatërrimtar. Donatorët, e mbledhur në Bruksel, në shkurt 2020 premtuan rreth 1 miliardë Euro për rindërtimin, ndërkaq vendi u prek në një masë të konsiderueshme në aspektin shëndetsor, ekonomik dhe social edhe nga pandemia e Covid – 19, që rrënoi financat publike, familjare dhe individuale.

Edhe pse ndihma dhe mbështetja financiare nga organizmat ndërkombëtare financiare dhe vende të ndryshme nuk ka munguar, përsëri rruga e ringritjes ekonomike dhe sociale duket se është e vështirë dhe kjo për shkak edhe të paaftësisë së administratës publike tepër të fryrë, për të manaxhuar gjendjen, për shkak të presionit ndaj qeverisë dhe buxhetit të shtetit për të përballuar gjendjen dhe për të përqasur orientimin e politikave afatshkurtëra me ato afatmesme dhe afatgjata.

Pas kalimit të kulmit të krizës së pandemisë, duket se vendet me ekonomi të zhvilluara po ecin më shpejt, duke lënë prapa vendet e varfra dhe në zhvillim, duke bërë që ky rrezik të qendrojë aktual edhe për Shqipërinë.

Rifillimi i rimëkëmbjes ekonomike në Shqipëri nuk mund të kompensojë humbjet e shkaktuara nga tërmeti dhe pandemia, ashtu siç pretendojnë mediat e ndruyshme pranë qeverisë dhe disa shkollarë të përkëdhelur, që vegjetojnë në disa institucione të arsimit të lartë privat, duke patur parasysh këtu se trupa akademike e institucioneve të arsimit të lartë publik asnjëherë në këto 30 vite nuk e ka ngritur zërin për të dhënë zgjidhje aq të dëshëruara nga publiku, dhe kjo për shkak të paaftësisëë masive të tyre dhe frikës për humbjen e vendeve të punës.

Nga një këndvështirm social, gjendja e krijuar në këto dy vitet e fundit ka krijuar një prishje të balancave edhe midis vetë shtresave të varfra në vend, duke lënë zbuluar grupe të cënueshme si gratë, fëmijët e moshës shkollore, të punësuarit informalë, punonjësit e pakualifikuar, etj, gjë që ka sjellë edhe një zgjerim edhe më të madh të pabarazisë.

Në Shqipëri, sipas Bankës Botërore rreth 25% e popullsisë jeton me 1 dollar në ditë, 25% e popullsisë jeton me rreth 3 – 5 dollarë në ditë dhe rreth 25% e popullsisë me rreth 5 – 7 dollarë në ditë, gjë që sjell përballë qytetarisë shqiptare sfida të shumta që tashmë marrin karakter politik dhe jo thjesh ekonomik, social apo kulturor.
Pra, është e nevojshme një përgjigje politike, e organizuar me anë të bashkëpunimit të aktorëve të tillë si qeveria, opozita, sektori privat dhe shoqëria civile.

Një vëmendeje të veçantë i duhet kushtuar borxhit publik, që ka ardhur në rritje nga viti në vit. Dekada e fundit pa rritjen më të madhe, më të shpejtë dhe më të gjerë të niveleve të borxhit publik në Shqipëri dhe kjo sjell synimin për përdorimin e kujdesëshëm të shpenzimeve të financuara nga borxhi, duke synuar rritjen e produktivitetit të ekonomisë.

Paralelisht, qendrueshmëria fiskale dhe mobilizimi në mënyrë efektive dhe eficiente i të ardhurave të brendshme përbën thelbin për të zgjeruar hapësirën fiskale, për të nxitur besueshmërinë e politikave dhe për të forcuar qëndrueshmërinë e buxhetit dhe financave publike, paralelisht me forcimin e transparencës në këtë fushë, që ka mungura për një periudhë afatgjatë në vend.

Në Shqipëri, tërmeti dhe pandemia nxorrën fiasko pothuajse të tëra institucionet publike që janë ngritur në fushën e sigurisë, kryesisht në sigurinë në aspektin ekonomik shëndetsor, ushqimor, civil, etj. Kjo, shoqëruar me prirjet inflacioniste, që kanë qenë mjaft të dukshme përgjatë tremujorit të tretë të vitit 2021, kombinuar me politika subvencioniste të gabuara dhe politika të paqarta të çmimeve, mund të rezultojnë të jenë vetëshkatërruese dhe në fund të çojnë në kosto më të larta për qytetarët dhe bizneset.

Sa më lart, duket se për vitin 2022 Shqipëria dhe qytetarët e saj kanë shumë të nevojshme marrjen në mënyrë të shpejtë, eficiente dhe efikase të masave për të ndërtuar dhe zgjeruar programet e sigurisë dhe mbështetjes sociale, për të përmirësuar logjistikën, për të përmirësuar cilësinë, sigurinë dhe garancinë ushqimore, për të mbrojtur mjedisin, nxitur biznesin, etj, drejt një zhvillimi të gjelbër, elastik dhe gjithëpërfshirës, duke harmonizuar politikat e mbështetjes dhe zhvillimit me ato të mbrojtjes së mjedisit dhe përmirësimit të klimës. Pavarësisht gjendjes ekonomike, investimet në burimet e energjisë së rinovueshme, reduktimi i emetimit të niveleve të karbonit, reduktimi i emetimeve të gazeve serrë, etj, mbeten angazhime ndërkombëtare dhe jo thjesht lokale apo rajonale, gjë që përbën kosto për ekonominë shqiptare.

Parë në këto këndvështrime, ekonomia shqiptare do synojë një rritje më të lartë ekonomike, krahasuar me periudhën 2019 – 2021, por korrupsioni galopant, financat publike të shkatërruara, niveli shumë i lartë i ekonomisë informale, niveli shumë i lartë i parasë që qarkullon jashtë sistemit bankar, mungesa e lidhjeve midis tre ingranazheve kryesore të motorrit të ekonomisë shqiptare që janë bujqësia, agrobiznesi dhe turizmi, dhe mungesa e lidhjes së këtyre tre ingranazheve me tregtinë me shumicë dhe pakicë, sektorin financiar dhe bankar, si dhe mungesa e ideve për të bërë biznes midis qytertarëve, që vjen nga niveli shumë i lartë i alfabetizmit funksional (pjesa më e madhe e individëve të shoqërisë shqiptare dinë të lexojnë dhe të shkruajnë, por nuk dinë të interpretojnë, të logjikojnë dhe të marrin vendime për ato ç’ka lexojnë), do tentojnë që synimi për rritje më të lartë ekonomike të kompromentohet.

Share: