Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Nuk del e keqja prej nesh! Ti je tradhtar! Meriton vdekjen !

Nuk del e keqja prej nesh! Ti je tradhtar! Meriton vdekjen !

Nga Dashnor Kokonozi

Në një post të mëparshëm, tek flisja për një të vërtetë të njohur se qeverinë e fundit komuniste e largoi nga pushteti Greva e Përgjithshme e sindikatave, ku kisha nderin të isha zëdhënës i shtypit (të ishte për pd-në ata fitonin edhe shtatë herë), pra ndërsa flisja për këtë, dikush me emrin Amarildo (a diçka e tille), më drejtohet me fjalë shumë fyese se paskëshim shkatërruar vendin, se ishim paguar, shitur etj.

(Pa tjeter që mund të bëhej më mirë por rruga duhej hapur se ata qe ishin paten 40 vjet kohë të tregonin se çfarë mund të bënin)

Natyrisht që më erdhi keq, se kur vij në Tiranë më qëllon të fle edhe nëpër hotele a ndër miq, meqë suvatimi i atij apartamentit të vjetër 1×1 që kam aty, të bie në kokë. Por gjithsesi kam mësuar t’i kanalizoj këto gjëra dhe t’i vë në kontekstin e duhur për t’i kuptuar më mirë.

Kështu, edhe këtë «episod» e pashë në kuadrin e idesë naziste të «Planit të përgjithshëm për Orientin».

Shkurt, pasi u futën në Poloni, sado që polakët i mbanin për njerëz inferiorë, nazistët mbeten pa mend kur panë se sa shumë fëmijë bjondë e me sy blu kishte aty. Tipare të vërteta “të racës ariane”, siç e përfytyronin ata. Aty lindi plani i mësipërm që synonte t’i «gjermanizonte»
Mendohet se vetëm në Poloni kanë rrëmbyer rreth 200 mijê fëmijë.

Me edukimin e tyre u ngarkua “Komisariati i lartë i Rajhut” në krye të të cilit ishte vetë Himleri. Një mirëtrajtim i paparë për këta fëmijë, që shoqërohej me një shkollim, lavazh truri dhe edukim special.

Njëri prej tyre ishte edhe Aloizi 5 vjeçar që ia rrëmbyen Melgorzata Twardecki-t mes britmash e ulërimash. Në përfundim të luftës, Melgorzata Twardecki që nuk kishte reshtur së kërkuari të birin, arriti që nëpërmjet Kryqit të Kuq ta gjejë e ta sjellë në shtëpi.

Aloizi tashmë ishte 5-6 vjeç më i madh. Lufta kishte mbaruar dhe tek hyri në shtëpi, ai pa të atin që po hiqte portretin e Hitlerit nga muri.
Drejtoi gishtin nga ai dhe me egërsi bërtiti :

  • Ti je tradhtar! Meriton vdekjen !
    Ky Aloizi mund të quhej edhe Amarildo (a diçka e tille).
Share: