Home Gjeo-Ekonomia Lufta në Ukrainë/“S’pranojmë presione”, Kina: Jemi në anën e duhur të historisë

Lufta në Ukrainë/“S’pranojmë presione”, Kina: Jemi në anën e duhur të historisë

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi  ka deklaruar se “koha do të provojë se pozicioni i Kinës është në anën e duhur të historisë” në lidhje me luftën në Ukrainë.

“Kina do të vazhdojë të bëjë gjykime të pavarura. Ne kurrë nuk do të pranojmë asnjë shtrëngim dhe presion të jashtëm, dhe gjithashtu kundërshtojmë çdo akuzë dhe dyshim të pabazë kundër Kinës”, u tha Wang Yi gazetarëve, sipas një deklarate nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Wang tha se “zgjidhja afatgjatë qëndron në braktisjen e mentalitetit të Luftës së Ftohtë, duke u përmbajtur nga përfshirja në konfrontim grupor dhe të formohet me të vërtetë një arkitekturë e sigurisë rajonale, e cila duhet të jetë e balancuar, efektive dhe e qëndrueshme. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet stabilitet afatgjatë në kontinentin evropian”.

Komentet e ministrit të Jashtëm kinez vijnë pasi Presidenti i SHBA Joe Biden foli me presidentin kinez Xi Jinping të premten ku e paralajmëroi Kinën që të mos e ndihmojë Rusinë në luftën e saj në Ukrainë.

“Kina duhet të marrë vetë një vendim se ku duan të qëndrojnë dhe si duan që librat e historisë t’i shikojnë dhe t’i shohin veprimet e tyre,” tha në atë kohë sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki. “Ky është një vendim që duhet të marrë presidenti Xi.”

Ndërsa Kina nuk e ka dënuar plotësisht pushtimin rus të Ukrainës, ajo gjithashtu nuk ka ofruar mbështetje të qartë për Rusinë.

Ekspertët besojnë se Pekini është në një pozicion kompleks ndërsa kriza në Ukrainë intensifikohet, duke u përpjekur të balancojë partneritetin e tij strategjik me Moskën dhe duke ruajtur lidhjet ekonomike me Perëndimin.

SHBA-ja ka parë me kujdes një partneritet të ngushtë me presidentin rus Vladimir Putin dhe atij kinez, duke besuar se aleanca e liderëve autoritarë po pozicionohet për t’iu kundërvënë Shteteve të Bashkuara ushtarakisht dhe ekonomikisht. Gjatë bisedimeve të profilit të lartë në Pekin muajin e kaluar, Xi dhe Putin vulosën lidhjen e tyre, duke deklaruar se marrëdhënia ishte e pakufishme./Opinion.al

Share: