Home KRYESORE “Mos e ngri zërin”- më thanë! Ti je cuc, e cucës i...

“Mos e ngri zërin”- më thanë! Ti je cuc, e cucës i ka hije me qenë e urtë dhe e bindshme!

Nga Urime Straka

U rrita duke u ushqyer vetëm me k’të frazë e të tjera sinonime si kto.

Mos u vish me të shkutra se ti je cucë e nuk bën me i ekspozu hiret e tua se të quan dynjaja k*urvë.

Mos u lyej se cucës i ka hije veç bukuria që ia ka falë i madhi Zot. Mos ia kthe fjalën askujt se osht marre për cucën që të jetë llafazane, e patakt dhe kërkuese. Nëse burri të godet, ka të drejtë bija ime se burrat edhe godasin. ‘Madje kanë të drejtë edhe të vrasin’ (shkon kjo në propocion të drejtë me të rrahurën).

Po, sepse që kur neve na mësuan të bindemi kur na rrahin, filluam automatikisht, në formë të natyrshme të pranojmë edhe flijimin, dhunën, përdhunën, përdhunimet madje dhe vrasjet.

Pse ç’ndryshim ka fundja e rrahura me vrasjen? Ndryshon vetëm mjeti i përdorur: grusht apo thikë.

E pranuam sepse na detyruan. E bëmë sepse na obliguan ata. Mohuam të gjitha të drejtat tona minimale-jetike.

Nga gjitha pikëpamjet e jetës femra ka brenda saj një forcë dhe një vullnet të hekurt për të mbijetuar, por nuk e përdor kurrë këtë vullnet për të luftuar kundrejt padrejtësive që i bëhen. Dhe po në këtë çast dënohet me një burgim të përjetshëm. Me nënshtrimin ndaj çdo fenomeni në jetën e tyre.

Dhe PO, dua të revoltohem për të gjitha herët që më thanë: Mos e bëj se je femër!

Unë e bëj pikërisht pse jam femër. E bej sepse di ta bëj, dua ta bëj! Dhe duhet ta bëj. Sepse s’ka asnjë zë mashkulli që më ndalon ta bëj, asnjë opinion publik apo farefisnor që më ndalon ta bëj për aq kohë sa askush nuk vesh këpucët e mia, askush nuk përjeton dhimbjet e mia në luftë për t’ia dalë mbanë, askush nuk është aty për t’më pyetur nëse jam mirë!

Askujt nuk i intereson ekzistenca jonë, askujt nuk i interesojnë arritjet tona përveçse ju intereson të shohin rrënimin tënd. Të numërojnë dështimet e tua.

Dhe, nëse ti mendon që ka një pengesë, ajo je vetë TI. Ndaj thyeji barrierat. Çdo çast është i yti!

Share: