Home Gjeo-Ekonomia Frida, meqë e ke në dorë, hape edhe një akademi për portalet!

Frida, meqë e ke në dorë, hape edhe një akademi për portalet!

Nga Mentor Kikia

Një valë ironie, talljesh dhe sharjesh vërshuan sot në rrjet ndaj ministres së bujqësisë, Frida Krifca. “Leksione falas online, për të mësuar fshatarët si të punojnë tokën” – të paktën dy portale kishin referuar këtë lajm në gojën e ministres dhe pas kësaj, copy-paste dhe ironia kishte shërthyer në rrjet, në mënyrë të “ligjshme”.

Por çfarë kishte thënë ministrja në parlament?

“Kemi ndërtuar një sistem me të dhëna kadastrale të cilësisë së tokës, program që do tu mundësojë fermerëve akses online të të dhënave dhe tipeve të tokës, kulturave dhe përshtatshmërisë së tyre me cilësinë e tokës. …

Do të ofrojmë informacion për fermerët dhe sipërmarrësit që duan të investojnë në bujqësi dhe kulturave më të përshtatshme që mund të kultivohen në këto toka…”

Nëse do të pyesësh një specialist bujqësie, kjo është një gjë shumë e mirë. Dihet se toka ndahet në disa kategori(cilësi), dhe kategorive të ndryshme u përshtaten kultura të ndryshme bujqësore.

P.sh, misri nuk mund të rritet në tokat ku kultivohet duhani, pasi duhani rritet në toka të thata dhe të ashpra. Perimet nuk mund të jenë të mbara në toka kur mund të kultivohen mrekullisht hardhitë, sikundër patatja nuk mund të mbillet në çdo lloj toke…. Fshatarët i dinë këto dhe nuk do të presin ti mësojnë nga sistemi online, pasi e kanë nga përvoja. E megjithatë kjo është tjetër temë.

Tjetër gjë se ministrja u flet fshatarëve për sistemin online të cilësisë së tokës ne kohen kur atyre po u digjet toka dhe koka nga prodhimi që po prishet në ara, apo nga mungesa e ujit.

Megjithate nuk dua te komentoj as cilesine e tokes, as cilesine e ministres. Sikunder nuk më dhimbset ministrja për histerinë që shpërtheu ndaj saj, pasi mund të ketë arsye për ta gjykuar keq e më keq. Por më dhimbset “opinion” publik, i cili dëshmon se është lehtësisht i manipulueshëm dhe i përdorshëm. Mjafton vetëm një titull pa lidhje me lajmin, me gjasë jo nga injoranca apo mungesa e profesionalizmit, por nga qëllime të tjera, dhe njerëzit derdhen me sharje e fyerje.
Pa marre mundimin te lexojne as lajmin per te cilin komentojne!

Sa lehtë mund të biesh pre sot e këtij lloj manipulimi… Sa lehtë bëhesh ushqim për njerëzit e uritur për sulme politike dhe jo vetëm. Sa lehtë mund të bëhesh tabelë qitjeje, pa asnjë kufizim etik.

Kjo është një dramë më vete.
Frida neser nuk do te jete ministre, ndersa ne do te jemi po njesoj te gatshem e te etur te hame njeri-tjetrin edhe online.

Share: