Home Gjeo-Ekonomia Standardizimi i kërkimit shkencor dhe inovacionit – dokumenti i ri i BE...

Standardizimi i kërkimit shkencor dhe inovacionit – dokumenti i ri i BE si një detyrë e radhës për Shqipërinë drejt integrimit

Nga Dr. Marsela Robo

Fillimi zyrtarisht i negociatave me BE është një hap historik që na afron më shumë me aspiratën tonë europiane. Por, ndryshe nga sa mund të mendohet, nuk është hapi i fundit, for fillimi i një procesi po aq të vështirë e të rëndësishëm, pasi do të kalohen në lupë të gjitha ligjet e zbatimi i tyre, drejtësia, sistemi gjyqësor, lufta kundër krimit e korrupsionit, kontrolli financiar, administrata publike, tregu, arsimi dhe kultura, shkenca dhe inovacioni, marrëdhëniet me fqinjët e me jashtë etj. Që nga viti 2006 kur Shqipëria lidhi kontratën me BE e deri në ditën e sotme, është investuar puna dhe kontributi i të gjithë shoqërisë shqiptare, duke filluar që nga politika, administrata publike, media dhe shoqëria civile e deri te stafet akademike e studentët. Duke përafruar legjislacionin tone me atë të BE në çdo fushë, Shqipëria i është afruar më shumë aksesit në programet e BE dhe përfitimit prej tyre. Kërkimi shkencor dhe inovacioni, të përcaktuara qartë në dokumentat strategjike e politikë të BE si shtylla kryesore e zhvillimit dhe përparimit të shoqërisë për 20 vitet e ardhshme, ka qenë gjithashtu edhe një nga çështjet për të cilat është punuar fort me qëllim përmbushjen e standarteve europiane.

Arritje ka, por mbetet ende shumë punë për t`u bërë dhe duhet pranuar që Shqipëria duhet të ecë me ritme më të shpejta në drejtim të zbatimit të legjislacionit dhe dokumentave strategjikë e politikë të BE. Thënia e famshme “ligjet i kemi të shkruara mirë, po çalojmë në zbatim”, duket se i përshtatet më së miri situatës në kërkimin shkencor dhe inovacionin, por këtu edhe ligjet ende nuk i kemi shkruar të gjitha. Vakumi ligjor, dhe për rrjedhojë, i të gjithë kuadrit nënligjor rregullator, që ka shkaktuar mungesa e ligjit të përditësuar për kërkimin shkencor, teknologjinë dhe inovacionin, është evidentuar si një deyrë e papërmbushur në të gjitha progres raportet e BE. 

Vendet anëtare kanë ecur shumë përpara në këtë fushë, dhe Shqipërisë do t`i duhet të vrapojë dhe shpejt madje, për t`u afruar sadopak standarteve të kërkuara. Ligji, Kodi i Etikës në kërkimin shkencor, Karta e Kërkuesit Shkencor (që rregullon statusin e kërkuesit) dhe një sërë dokumentash tjera të hartuara e që zbatohen në BE, në Shqipëri ende nuk janë hartuar. Ndërkohë, BE nxjerr dhe miraton vazhdimisht dokumenta e direktiva të reja, të cilat ne do të duhet t`i përmbushim. 

Së fundmi, Komisioni Evropian ka hedhur për konsultim të hapur draft Kodin e Praktikës për standardizimin për kërkuesit shkencorë. Konsultimi synon të mbledhë mendime e sugjerime mbi Kodin e Praktikës, i cili do të jetë një instrument në duart e aktorëve të kërkimit, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe risjelljen e praktikave më të mira të strategjive efektive të standardizimit të rezultateve të kërkimit shkencor dhe implementimin e tyre në tregun e punës. 

Kodi i Praktikës ofron një sërë rekomandimesh të rëndësishme që lidhen si me programet e BE-së, ashtu edhe me ato kombëtare dhe lokale të kërkimit dhe inovacionit, për mënyrën se si përfituesit e fondeve publike të mund t`i venë sa më mirë në shërbim të shoqërisë rezultatet e projektit nëpërmjet standardizimit. Universitetet, si vatra të kërkimit shkencor, duhet të ndërtojnë kapacitete për të mbështetur rritjen e vlerave të kërkimit dhe inovacionit nëpërmjet standardizimit. Po ashtu disa prej rekomandimeve synojnë nivelin e politikave me fokus në Komisionin Evropian, autoritetet kombëtare dhe lokale dhe organizatat e zhvillimit të standardeve[1].

Po përse shërbejnë standardet dhe standartizimi i kërkimit shkencor dhe inovacionit?

Standardet janë një mjet efektiv për të zbatuar rezultatet e kërkimit në produktet dhe shërbimet e tregtueshme dhe për të promovuar një hyrje të shpejtë në treg për inovacione të reja. Standardet i ndihmojnë studiuesit dhe novatorët të sjellin inovacionin e tyre në treg dhe të përhapin përparimet teknologjike duke i bërë rezultatet e tyre transparente. Në shpërndarjen dhe transmetimin e teknologjive të reja, standardet ofrojnë mundësi ekonomike, lehtësojnë realizimin e qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm dhe u japin besim konsumatorëve se një teknologji inovative e caktuar është e sigurt. Ata kodifikojnë kërkesat e teknologjisë dhe informojnë si prodhuesit ashtu edhe konsumatorët për pritshmëritë.

Me fjalë të tjera, duke kodifikuar informacionin mbi gjendjen e një teknologjie të caktuar, standardet mundësojnë shpërndarjen e njohurive si brenda ashtu edhe jashtë komunitetit të industrisë përkatëse. Për më tepër, standardet mbushin hendekun midis kërkimit dhe produkteve ose shërbimeve duke lejuar përhapjen e teknologjisë në treg dhe duke rritur probabilitetin e përfitimit të saj. Standardizimi lehtëson vendosjen e teknologjive të reja, ndërveprueshmërinë ndërmjet produkteve dhe shërbimeve të reja. Po ashtu, inovacionet mund të fitojnë më lehtë aksesin në treg dhe besimin e konsumatorëve nëse ato përputhen me standardet ekzistuese për sigurinë, cilësinë, performancën dhe qëndrueshmërinë[2].

Në këtë kontekst, si dhe për të forcuar lidhjen ndërmjet standardizimit dhe Kërkimit Shkencor e Inovacionit, Komisioni Europian po shton përpjekjet për të zbatuar programin kuadër për kërkimin dhe inovacionin për periudhën 2021 – 2027 “Horizon Europe”, në një mënyrë të tillë që synon të vlerësojë rezultatet e kërkimit dhe inovacionit në masën më të lartë të mundshme duke zhvilluar stimuj dhe udhëzime për përdorimin e standardizimit si një kanal vlerësimi nëpër të cilin kalon kërkimi nga kërkuesi deri te tregu dhe konsumatori. Vlerësimi i rezultateve të kërkimit dhe inovacionit do të thotë kthimi i rezultateve në përfitim ekonomik të zgjidhjeve të qëndrueshme dhe ndikim shoqëror. 

Përtej programit kuadër, me qëllim vendosjen e një linje të përbashkët komunikimi për krijimin e një epoke të re për kërkimin dhe inovacionin[3], lidhur me masat dhe instrumentet e politikave, për përmirësimin e shkëmbimit të njohurive dhe vlerësimit në Evropë, si dhe për adresimin më të mirë të hendekut midis shteteve anëtare dhe për t`i ardhur në ndihmë sa më shumë shteteve, edhe përtej BE, KE ka draftuar parimet udhëzuese (Guiding Principles), një document ky i cili konstituon angazhimin politik të projektuar dhe miratuar nga Shtetet Anëtare. Pikërisht për zbatimin e këtyre parimeve udhëzuese, Komisioni propozon standardizimi e kërkimit shkencor dhe inovacionit[4].

Edhe kjo risi e politikëbërjes së BE në fushën e kërkimit shkencor dhe inovacionit përkthehet si një detyrë që duhet përmbushur nga Shqipëria duke filluar nga politikëbërja, legjislativi dhe deri të gjithë aktorët e përfshirë. Duhet thënë se stafet akademike dhe kërkuesit në universitete (me gjithë problematikat që edhe ata mbartin), duket se janë një hap më përpara në drejtim të përmbushjes së standarteve të kërkuara. 

Pjesëmarrja në vite dhe disa histori suksesi në programin kuadër Horizon 2020 e tregon këtë. Dokumenti i ri i BE për standartizimin e kërkimit shkencor dhe inovacionit duhet të vihet në dispozicion të tyre për t`ju mundësuar pjesëmarrjen në procesin e konsultimit publik. Gjithashtu, ky dokument duhet të jetë mbi tavolinat e ekspertëve të fushës dhe të ligjhartuesve sepse duhet të bëhet pjesë e legjislacionit dhe kuadrit rregullator të kërkimit dhe inovacionit në Shqipëri.

Share: