Home Gjeo-Ekonomia TË HUAJT I DEKOROJMË TANËT I INJOROJMË!

TË HUAJT I DEKOROJMË TANËT I INJOROJMË!

Nga Fahri Musliu

Megjithatë…
nuk mund të mos reagojë sepse këtë nuk ma lejon ndërgjegjja qytetare dhe përgjegjësia profesionale e intelektuale
…………

Javën e kaluar (18.07.2022) Kuvendi i Komunës së Prizrenit, në një mbledhje solemne e shpalli ish Presidentin e Kroacisë, Stjepan Mesiq, “Qytetar Nderi i Prizrenit”. Nuk e kam parë arsyetimin e mirënjohjes e as që e dinë qytetarët e Prizrenit në emër të të cilëve i është thënë ky titull. E njoh qysh nga fillimi i viteve të 90-ta të shekullit të kaluar zotëri Mesiqin, si anëtar i Kryesisë së RSF të Jugosllavisë, dhe e kam përcjellë tërë aktivitetin e tij politik përfshirë edhe kontributin dhënë për Kosovën dhe shqiptarët (me nga pak folklorizëm me kapuç të bardh në kokë!), por NUK E KAM TË NJOHUR AS MERITËN AS KONTRIBUTIN E TIJ për PRIRZENIN ashtu siç parashikohet me ligj apo rregullore.

Në faqen zyrtare të Komunës për ndarjen e kësaj mirënjohjeje shkruan:

“Me këtë rast, u nderua një personalitet i jashtëzakonshëm dhe iu shpreh edhe një herë mirënjohja, në emër të popullit tonë, për gjithçka që ai ka bërë për shqiptarët kudo që jetojnë.”

Kontributi i z. Mesiq në forcimin e lidhjeve mes vendeve shqiptare dhe Kroacisë, ka qenë i madh, pavarësisht se në historinë e vendeve tona, kemi qenë kombe e vende mike përherë, por, z. Mesic e forcoi dhe e ndërtoi lidhjen me rrënjë të forta e të qëndrushme”.

Sipas definicionit të kësaj mirënjohjeje, “Qytetari nderi” nuk është gjë tjetër veçse një formë e shpërblimit të drejtpërdrejtë të një individi për meritat dhe kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë në përmirësimin e mirëqenies dhe prestigjit të popullsisë së një njësie të caktuar territoriale, qyteti, komune, rajoni apo shteti në tërësi. Por nuk mundet niveli lokal me nda mirënjohje të tilla për ndonjë meritë në emër të shtetit apo shteti në emër të komunës a qytetit…

Për fat të keq në Kosovë po përsëritet praktika e instaluar pas luftës që personalitetet e huaja politike e kulturore ti lartësojmë në mënyrë më servile duke ua përshkruar edhe meritat e kontributin çfarë nuk e kanë, kurse tanët ti injorojmë për së gjalli dhe pas vdekjes .

Pse gjërat i matim me kute të ndryshme dhe a mund të jetë kontributi dhe merita një të huaji më e madhe se e atij tanit. A thua kemi aq shumë personalitete që kanë emër, kanë dhënë kontribut e kanë merita për ngritjen dhe zhvillimin e njerëzve të vendit e të shtet-formimit të Kosovës, që të mos i përmendim apo t’u ndajmë mirënjohje, dekorata, medalje të llojeve të ndryshe të nivelit qendror dhe atij lokal .

Sa respektohen ligjet dhe rregulloret për ndarjen e këtyre mirënjohjeve, sa janë kompetentë komisionet përkatëse apo vendoset sipas dëshirës së shefit dhe vendimit politik.

Është për tu habitur por edhe hipokrizi se si pushtetet lokale por edhe ato qendrore u ndajnë dekorata e mirënjohjeve personaliteteve të ndryshme botërore por i anashkalojnë apo injorojnë personalitetet vendore të cilët kanë dhënë kontributin e tyre të gjithanshëm për komunën, qytetin apo shtetin dhe këtë e kanë bërë pa kurrfarë interesi, por për dashurinë dhe obligimin ndaj vendit, krahasuar me të huajt që kontributin e tyre e paguajnë në forma të ndryshme.

A flet kjo për vazhdimin e mendësisë servile e vazliste? Kur do të mësohemi ti respektojmë njerëzit tonë me vlera të larta?

Pse ky degradim edhe i këtyre mirënjohjeve që jepen me e pa meritë, dhe si lëmoshë e ndonjë organizate humanitare.

Si ndodhi që pushtetet e Prizrenit të mos i ndajnë mirënjohje qoftë me titullin “Qytetar nderi” apo “Nderi I qytetit”, as për së gjalli as pa shuarjes, artistit BEKIM FEHMIU, personit cili rininë ia fali Prizrenit, këtu e nisi profesionin prej aktori, nga këtu u nis në rrugëtimin e gjatë prej odiseu dhe u bë me famë duke arritur majat e kinematografisë botërore.

Njeriu i cili Prizrenin, Kosovën dhe shqiptarët i bëri të njohur gjithandej botës, I cili e deshi shumë Prizrenin dhe i shkroi ODË në librin e tij autobiografik “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” si askush deri më sot. Dhe serish, me hirin e trupit të tij iu kthye UJIT, TOKËS DHE QIELLIT të Prizrenit.

Bekimi e ka la borxhin ndaj qytetit të tij të dashur si askush tjetër, por PRIZRENI I KA MBETUR BORXH BEKIMIT.

Apo ndoshta ne nuk e kemi merituar një njeri të tillë, të madh, me famë botërore, si asnjë kosovarë tjetër i cili këtë fame e arriti në kohën dhe kushtet shumë të vështira dhe konkurrencë të madhe!

P.S. Ndalohet çdo koment fyes apo etiketues.

Share: