Home KRYESORE Vdiq dajua. Gjithe jetën e kaloi në fshat, majë malit e pranë...

Vdiq dajua. Gjithe jetën e kaloi në fshat, majë malit e pranë qiellit. Dy gjëra mësova prej tij…

Nga cikli ‘Katakombet e kombit’ i Çapajev Gjokutaj

Vdiq dajua. Gjithe jetën e kaloi në fshat, majë malit e pranë qiellit. Dy gjëra mësova prej tij: mos brohorit për fitoret e tua dhe mos bërtit kur ke dhimbje.

Kështu shkruan dikush për të nderuar kujtimin e të afërmit dhe për të njoftuar miqtë. Lajmërime vdekjesh has me shumicë hapsirave të fejsbukut, por njoftimi që sapo citova më bëri përshtypje sidomos për lakonizmin: një vetpërmbajtje stoike, e trashëguar mbase nga shëmbëlltyra e dajos së porsaikur.

Por arsyeja kryesore pse më mbeti në mend ishte se njoftimi nuk vinte thjesht si informacion për vdekjen por edhe si një shtysë meditimi për jetën.

‘Mos brohirit fitoret e tua’ dhe ‘mos bërtit kur ke dhimbje’ kanë qenë dhe janë virtute për fshatin e thellë malor, për jetën patriarkale, kur burri duhej të ishte simbol i vetpërmbajtjes dhe i stoicizmit.

Po ngjan se e bjerrin vlerën po t’i sjellësh në kohët moderne e në metropole. Këtu veprojnë ligje e zakone të tjera. Qysh fëmijë të ngulisin në mendje se, në një mënyrë a në tjetrën je mall që shitet, ndaj duhet të reklamosh veten, të nxjerrësh në pah arritjet se imazhi është thuajse gjithçka.

Po keshtu psikologu por edhe shoqëria të mësojnë të mos i ndrydhësh ndjenjat, të shprehesh lirshëm, të jesh i natyrshëm dhe i çliruar nga ndrydhjet, poqese do të shmangësh sakatllëqet që ato lenë në personalitetin tënd.

Rrezikon të shkelësh në viset e arbitraritetit po të zgjedhësh prerazi se cili qendrim është më i mirë, ai i dajos së vdekur apo ky i modernve. Mbase vlejnë dhe njeri dhe tjetri, po secili në mjedisin e vet dhe në kohën e vet. Se jeta nuk është kod i kallkanosur, zakonet, rregullat, normat morale janë të vlefshme sa kohë funksionojnë, sa kohë shërbejnë e nuk të bëjnë dëm as ty, as tjetrit e as shoqërisë.

( Nga cikli ‘Katakombet e kombit’ )

Share: