Home Gjeo-Ekonomia Legalizimi i kanabisit mjeksor , “kostum me porosi” apo një iniciativë zhvilluese...

Legalizimi i kanabisit mjeksor , “kostum me porosi” apo një iniciativë zhvilluese ?

Nga Irena Beqiraj

Legalizimi i kanabisit mjeksor duket që është një trend botëror edhe industria e kanabisit në botë parashikohet që deri në 2030 të këtë një përfitueshmëri mesatare vjetore mbi investimin rreth 20.4% . Por gjithësesi lipset një përpjekje për të analizuar nëse legalizimi i kultivimit të kanabisit do të rrisë ekonominë edhe punësimin në Shqipëri sic pretendojnë politikëbërsit .

Në këto raste analizat ekonomike janë thelbësore për një politikë të mirë publike, pasi ato ofrojnë informacion rreth masës në të cilën një politikë është ekonomikisht e favorshme . Edhe lajmi i parë negativ është se nuk gjendet as publikisht e as kofidencialisht një studim sesi parashikohet që legalizimi i kanabisit të rrisë ekonomine shqiptare apo punësimin .

Padyshim do ketë një rritje të PBB -së, por jo domosdoshmërisht për shkak të zhvillimit por si rezultat i “magjisë së numërimit “.

Prodhimi i Brendëshëm Bruto është vlera e tregut të gjithë mallrave edhe sherbimeve të prodhuara në një ekonomi . Llogaritja e tij edhe pse duket e thjeshtë , ka gjithmonë vështirësi. Një prej këtyre vështirësive është përfshirja e mallrave edhe sherbimeve të paligjshme . Sipas përkufizimit, këto të fundit duhet të përfshihen në llogaritjen në PBB-së. Por në praktikë kjo nuk ndodh , pasi është e vështirë të llogaritet vlera e tyre.

A mundet INSTAT të anketojë kultivuesit edhe tregtarët e kanabisit apo prostitutat për çmimin e mallrave dhe shërbimeve të tyre?

Kur një mall i paligjshëm legalizohet, qoftë edhe pjesërisht INSTAT mund të masë vlerën e tregut të mallit tanimë të ligjshëm duke e përfshirë atë në llogaritjet e PBB-në. Pra asgjë më shumë nuk do të prodhohet por një pjesë e produktit me parë i panumëruar tani do të numërohet.

Një shembull interesant vjen nga, Italia e vitit 1987 ku zyrtarët njoftuan se do të përmirësonin metodologjinë e matjes së PBB-së e cila u rrit me rreth një të pestën, pasi reflektoi në llogaritje ekonominë informale (jo domosdoshmërisht të paligjshme). Brenda natës, Italia u bë ekonomia e pestë më e madhe në botë, duke tejkaluar Mbretërinë e Bashkuar. Pasi euforia kombëtare kaloi Italianët e quajtën atë me tallje “il sorpasso”, në shqip “parakalimi”.

Nëse jemi të interesuar për këtë lloj “parakalimi” mund të fillojmë të mendojmë edhe për legalizmin e prostitucionit . Me përfshirjen e prostitucionit në llogaritje, PBB-ja për frymë do të rezultojë edhe më e lartë , por kjo nuk do të rriste asnjë qindarkë më shumë mirëqnien reale te shoqërisë, por mund të ndikonte në përdorimin më të përshtatshëm të zyrave të shtetit.

Rritja e numrit të vende të punës është një argument tjetër mbarë botëror i përdorur gjerësisht pro legalizimin të kultivimit , përpunimit , edhe përdorimit të kanabisit mjeksor . Fakt është që sot në Shqipëri nuk mungojnë vendet e punës por mungojnë punët me produktivitet të lartë, të cilat do të mundësonin pagesa të mjaftueshme për të përballuar kostot gjithmonë në rritje të jetesës. A do të ofronte legalizimi punësim me produktivitet të lartë ? Në kushtet aktuale kam frikë se jo !

Vendet që kanë përfituar më se shumti nga legalizimi I kanabisit mjeksor , edhe që kanë gëzuar avantazhet e punësimit kanë pasur industri të zhvilluar farmaceutike apo kozmetike.( Kanada, Gjermani, Amerikë) . Ne fatkeqësisht nuk e kemi një të tillë. Ne po i hapim rrugë kultivimit të kansbisit por sot që flasim nuk kemi asnjë plan për të plotësuar parakushtet për te fituar në të ardhmen një avatazh konkurues ne kultivim edhe perpunim sepse :

  1. Nuk kemi standarde të cilësisë së lartë të konfirmuara si në bujqësi ashtu edhe në prodhimin e produkteve kozmetike edhe farmaceutike;
  2. Nuk kemi një reputacion të ngritur ndërkombëtarisht si një vend me prodhim bujqësor efikas;
  3. Nuk kemi parametra të klasit botëror në kërkim zhvillimin parafarmaceutik edhe farmaceutik .
  4. Aktualisht na mungon edhe në vizion sistemi ndërveprues midis kompanive private, universiteteve, instituteve edhe laboratorëve kërkimorë publik apo privat, agjencive qeveritare dhe institucioneve financiare, i cili do të mundësonte krijim edhe shpërndarjen e njohurive brenda industrisë se perpunimit te kanabisit mjeksor . Në këto kushte është utopike të mendojmë se mund të zhvillojmë një industri e cila i përshtatet ndryshimeve teknologjike dhe rregullatore, si edhe të monitorojmë zhvillimet që ndodhin në vende të tjera. Edhe si rrjedhim nuk kemi asnjë shans të ofrojmë punësim cilësor në këtë sektor .

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i suksesit afatgjatë të kesaj industrie do të ishte shfaqja edhe forcimi i firmave lokale. Megjithëse burimet e të mësuarit fillestar përfshinin në mënyrë të rëndësishme investimet e huaja të cilat janë kanale të rëndësishme për të aksesuar njohuritë e huaja, eksperienca ka treguar që investimet e huaja priren të kufizojnë rritjen eventuale të aftësive teknologjike vendase, duke na lenë në stadin fason , edhe të punësimit “me lopatë” .

Ndoshta edhe këtë herë një numër i kufizuar kompanish ndërkombëtare të cilat mund të kenë akses në politikëberje, kane lobuar për legalizimin e kanabisit mjeksor . As hera e parë e as hera e fundit . Kujtoj që ligji për asetet virtuale ose sic njihet ndryshe Krypto po ashtu u lobua 4 vite më parë nga një grup interesi , edhe deri këtu nuk ka asnjë mëkat . Mëkat është kur ligji ofrohet “si kostum me porosi” për grupin e vogël të përfituesve duke mos e kthyer idenë/iniciativën në një mekamizëm zhvillimi të ekonomisë në terësi nëse pretendohet se është e tillë .

Share: