Home KRYESORE Nuk është rasti i vetëm që shkencëtarët kanë zbuluar e vërtetuar gjëra...

Nuk është rasti i vetëm që shkencëtarët kanë zbuluar e vërtetuar gjëra që shkrimtarët i kanë imagjinuar!

Shkrimtarë dhe shkencëtarë, të fluturosh apo të çapitesh?

Nga Çapajev Gjokutaj

Ditë më parë një mikeshë postonte foton e një karafili njëfletësh, nga ata që kundërmojnë dhe shtonte se aroma i kishte ngjallur vetiu kujtime për gjyshen, për ballkonin rrethuar me lule si dhe për fëmijërinë.

Vite të shkuara, duke hulumtuar për aromat në poezinë e Dritero Agollit, pata lexuar edhe për një dukuri të quajtur ‘efekti Prust’. Neuroshkenca sot ka arritur të vërtetojë se aromat ngjallin kujtime të fuqishme nga e kaluara dhe sidomos nga fëmijëria. Skanime të trurit dëshmojnë se kjo ndodh ngaqë qendrat nervore të nuhatjes ndodhen pranë amygdalës dhe hippocampus, që përpunojnë kujtimet dhe emocionet.

Kjo dukuri u quajt ‘efekti Prust’ ngaqë dekada para neuroshkencëtarëve dhe gjetjeve të tyre laboratorike, shkrimtari i shquar e kishte përshkruar në detaje tek kryevepra e tij ‘Në kërkim të kohës së humbur’. Më konkretisht, narratori ngjëron një copë kek të zhytur në kafe dhe aroma e njohur e kthen në vitet e fëmijërisë, i ngjall kujtime për të ëmën, qytezën ku ishte rritur dhe një rrjedhë të tërë përjetimesh që thuajse i kishte harruar.

2.

Nuk është rasti i vetëm që shkencëtarët kanë zbuluar e vërtetuar gjëra që shkrimtarët i kanë imagjunuar prej kohësh. Nëndetsja do bëhej realitet si të kalonon jo pak por tri dekada nga sendërgjitë e Zhyl Vernit tek ‘20 mijë lega nën det’. Satelitët e parë u shfaqën në fund të viteve 1950, kurse udhëtimi i njeriut në hënë u arrit më 1969, por në romanin e H G Wells ‘Njeriu i parë në hënë’ kjo do të përshkruhej qysh më 1901.

Big Brother i George Orwell survejonte qytetarët me telekamera, sisteme të deshifrimit facial dhe teknika të tjera që do të bëheshin realitet dekada më pas dhe do ua lehtësonin shumë punën regjimeve totalitare. Aldous Huxley në romanin “Brave New World”, qysh në fillim të viteve 1930 parashikoi disa nga teknologjitë e riprodhimit të njerëzve si fertilizimin in vitro, më ësinë surrogato, mitrën artificiale etj, që mjeksia do niste t’i aplikonte gjysëm shekulli më pas.

Shëmbujt e mësipërm kufizohen vetëm në parashikime teknologjike, por shkrimtarët s’kanë mbetur pas edhe në rrafshe psikologjike, sociologjike etj.

Shumë nga proceset psikologjike që përshkruan Dostojevski në romanet e tij do studjoheshin në rrugë shkencore dekada më vonë. Studimi i parë serioz për stereotipet do të botohej 140 vjet pas romanit ‘Krenari dhe paragjykim’ të Jane Austen, që përshkruan në detaje rolin e stereotipeve dhe të paragjykimeve sociale në marrëdheniet ndërpersonale. Një erudit si Engels e vlerësonte Balzakun edhe për informacionin që përcillte nëpërmjet veprës voluminoze, kur shkruante se prej këtij kishte mësuar më shumë sesa prej gjithë historianëve, ekonomistëve dhe statisticienëve të marrë së bashku.

3.

Deri në këtë pikë ky parashtrim i ngjan një kundërvenieje mbështetur mbi stereotipe: shkrimtarët qenkan më të zotë e më të shpejtë se shkencëtarët. Po kur e sheh problemin nga afër, të rezulton se përmban vetëm disa thërrime realiteti dhe natyrshëm të kujtohet ai që tha se thjeshtëzimi dh absolutizimi janë dhuna më e madhe që i bëhet së vërtetës.

Vërtet që disa shkrimtarë kanë arritur të bëjnë parashikime profetike, të përshkruajnë dukuri e gjëra kohë përpara se shkenca t’i zbulonte a t’i vinte në jetë. Por këtë nuk e kanë bërë gjithë shkrimtarët, madje as gjithë të shquarit. Për të mos thënë pastaj se jo të gjitha parashikimet e shkrimtarëve të shquar kanë rezultuar të vërteta apo janë aplikuar nga shkencëtarët. Është afërsisht si puna e telepatisë, ti mund ta sjellësh në mend me qindra herë një person të dashur, por je i prirur të absolutizosh një rast të vetëm e të rastësishëm, kur e ke ndeshur porsa e ke kujtuar.

Doemos që në ato pak parashikime që më vonë rezultojnë të vërteta, shkrimtarët e mëdhenj vënë në punë të menduarin intuitiv, lloj të menduari ky që është më i shpejtë dhe mbase më i lehtë se të menduarit racional. Shkrimtari fluturon me krahët e fantazisë dhe operon me intuitë, shkencëtarit i duhet të kthehet e të rikthehet monopateve të reales, të shoshisë e të rishoshisë tonët e fakteve për të arritur të gjejë gramët e të vërtetës.

Shkrimtarët e mëdhenj shquhen edhe për kulturë të gjerë dhe aftësi të mëdha për të vrojtuar dhe analizuar karaktere, dukuri e ngjarje. Kjo u jep dorë jo vetëm për të hyrë në thellësi të asaj që pasqyrojnë por edhe për të kapur tendenca e për të ravijëzuar modele e skema zhvillimesh të ardhme, për të imagjinuar si nga fidanë të të sotmes do rritet e do hedhë shtat pylli i së nesërmes.

Shumë nga përfytyrimet dhe parashikimet që bëjnë shkrimtarët, jo rrallë i kanë rrënjët në diskutime e debate që bën shoqëria rreth tyre. Shkrimtarët e shquar i marrin farët e këtyre debateve dhe i mbjellin e i kultivojnë në veprat e tyre, duke i bërë më të dukshme e më ndikuese. Në ditët tona kjo dukuri mund të jetë zbehur si pasojë e shtimit të mediumeve të komunikimit, por sa më shumë i largohesh të sotmes dhe i afrohesh historisë aq më të fortë e gjen ndikimin e veprave të shquara letrare e bashkë me të edhe aureolën e shkrimtarit profet.

Share: