Home KRYESORE Lev Tolstoi, shkrimtari që erdhi si një i krishter i devotshëm, dhe...

Lev Tolstoi, shkrimtari që erdhi si një i krishter i devotshëm, dhe iku si një “murg” heretik

Përgatiti Albert Vataj

Sot 195 vite më parë u lind, Lev Tolstoi, një prej penave më të vetvetishme dhe vetëtimshme të shpirtit rus. Kremtja më e hyjshme estetike e një botkuptimi dhe gjëneze nga më të njimendtat që gatoi njerëzimi për ëndjen e së magjishmes përmes rrëfimit.

Një pjesë vitale, e dengur dhe e dehur nga hapësira e një lirie që formësohej mbi qiellin e tij, qiell i cili thyhet sapo ai kërkoi ta mbushte me fluturim, erdhi në jetë më 9 gusht 1828.

Jeta dhe vepra e shkrimtarit të madh, mëtuesit të “Ana Karenina”, “Lufta dhe Paqja”, dhe një galerie të pamatë romanesh e qëmtesash letrare, nuk copëzohen nga gjithçka që e gjurmoi deri sot. Lavdia dhe misteri, filozofia dhe kumti i një shpirti të madh dhe një zemrë që kungonte shenjtërinë e komunikimit, shpërthyen për të dritur sa etje ka që eshket në dëshirim. Një zot në zotërimin e tij mendor dhe fizik bëhej prani.

Ai, për gjithëçfarë që kumtoi përmes ngadhënjimit dhe veprës, ishte një “shenjtor” që u përndoq nga ferri, nga demonët e asaj realeje, me të cilën u kacafyt deri në çastin e fundit. Luftoi, u përlesh, u kacafyt, sfidoi dhe nuk u dha deri në triumf. Në kryeradhën e përballjes vendosi një qëndres kumtuese të papërshkueshme nga asnjë stuhi. Deri në çastin e fundmë, i tillë mbeti, kryenaltë dhe i vendosur.

Cingëritëse dhe kushtrues ishte zëri tij, jo dhe aq prej yshtjes së një ateisti, se sa i një njeriu prej mishi dhe ndjenjash, mendimi dhe qëmtimi, zemërate dhe shtërngimi.

Kungimi shpirtëror i papajtueshmërisë me çka ai e pa si heretike, u hodh si balsam mbi plagën e çlirimit që e sëmbonte, duke marrë krahët e zemrës së tij gjëmuese dhe duke u formëzuar në përkufizimin e tij ikon: “Bota bëri çka dëshiroi, i lejoi kishës ta shpjegojë rëndësinë dhe synimin e jetës.

Bota vendosi jetën krejtësisht të kundërt me mësimet e Krishtit, kurse kisha studioi veprat e shkruara me të cilat e la popullin të jetojë në kundërshti me ligjin e Krishtit, të jetojë sipas vullnetit të tij. Rezultati ishte se bota filloi të jetojë jetën më të keqe se në jetën pagane, kurse kisha jo vetëm që këtë e arsyetonte, por edhe e miratonte duke folur se kjo është në pajtim me mësimin e Krishtit …”.

Ikja, ashti si behja, përnjimend edhe si vepra dhe gjithçka tjetër e korpusit të tij human dhe letrar, shkrepën si vetëtim në kaltërsinë e pare dhe panoramimin që ai i mëtoi botës me kahjen e ndryshtë të vështrimit.

Erdhi si një i krishter i devotshëm, dhe iku si një “murg” heretik.

Lev Nikollajeviç Tolstoj, dha kontribut të madh letërsisë dhe historisë ruse. Pikëpamjet e tij filozofike, shqyrtimet në të cilat ai ka prezantuar idetë mbi Zotin, shpirtin, dijen, dashurinë dhe shumë pikëvështrime të tjera, mbetën të pavdekshme.
Albert Vataj

Share: