Home KRYESORE Nata e festës liturgjike të Nënë Terezës

Nata e festës liturgjike të Nënë Terezës

Nesër, e martë, 5 shtator, kremtohet festa liturgjike e shën Nënë Terezës, themelueses së Misionareve të Dashurisë, bijës e motrës shqiptare, Engjëllit të të varfërve, në 26 vjetorin e vdekjes. Gjatë udhëtimit apostolik në Mongoli, Papa Françesku takoi më 2 shtator klerin vendas e, ndër të tjerë, dëgjoi edhe dëshminë e njërës prej motrave të Nënë Terezës, të cilat shërbejnë në ato troje që pas rënies së komunizmit

R.SH. – Vatikan

Nesër, e martë, 5 shtator, kremtohet festa liturgjike e shën Nënë Terezës, Gonxhe Bojaxhiut, themelueses së Misionareve të Dashurisë, bijës e motrës shqiptare, Engjëllit të të varfërve.

Sivjet bie 26 vjetori i vdekjes së Nënë Terezës e ky përvjetor do të kremtohet në të gjitha kishat në trevat shqiptare e në mbarë botën, me kujtimin përherë të gjallë të mesazhit që shenjtja u la besimtarëve e gjithë njerëzve vullnetmirë: ta duam Zotin mbi çdo gjë e të afërmin porsi vetveten.

Gjatë udhëtimit apostolik në Mongoli, Papa Françesku takoi më 2 shtator klerin vendas e, ndër të tjerë, dëgjoi edhe dëshminë e njërës prej motrave të Nënë Terezës, të cilat shërbejnë në ato troje që pas rënies së komunizmit.

Dëshmia e murgeshës

Kujdesi për fëmijët me aftësi të kufizuara fizike dhe mendore, ndihma për të sëmurët dhe të moshuarit e braktisur nga familjet e tyre, pritja e të pastrehëve, jetesa e atyre që nuk kanë ushqim për të ngrënë dhe ndihma për familjet e varfra dhe të flakura në mes të katër rrugëve. Këto janë veprat, në shërbim të Ungjillit, që kryejnë çdo ditë Misionaret e Dashurisë, motrat e Nënë Terezës në Mongoli. Këtë kujtoi motra Salvia Mary Vandanakara: “Nëpërmjet këtyre veprave bamirësie – i tha Papës murgesha – përpiqemi t’i bëjmë njerëzit të kuptojnë se sa të çmuar janë para syve të Zotit, me dëshirën e thellë për t’u rikthyer dinjitetin dhe vlerën e tyre njerëzore”. Motra Salvia Mary tregoi, më pas, se ajo mbërriti në Mongoli në vitin 1998, “kur Kisha sapo kishte filluar të lëshonte rrënjë”. “Duke iu kushtuar shërbimit të më të varfërve ndër të varfër – nënvizoi – ne ndjemë se duhej të jetonim mes tyre dhe të provonim disa nga vështirësitë me të cilat përballeshin, si mungesa e ujit dhe e nevojave të tjera elementare”.

Kjo është veprimtaria e motrave të Nënë Terezës kudo në botë, edhe në Shqipëri e Kosovë, ku që në fillim, iu përshtatën kushteve të vendit, në përpjekjen e përhershme për të ndihmuar ata, që s’kanë asgjë pas shpirtit. Atyre, që i thoshin se kjo lloj ndihme nuk e ndryshonte shoqërinë, Nënë Tereza, me buzëqeshjen e zakonshme, u përgjigjej: “Ndryshoje ti. Bëj edhe ti diçka të bukur për Zotin e për të tjerët”. Misioni i saj dhe i motrave të saj ishte dhe është t’u japë dinjitet më të nëpërkëmburve të shoqërisë, atyre që s’i do e nuk u hedh sytë askush, që janë jashtë çdo programi e çdo plani për ndryshime sado të vogla të jetës së tyre, pasi nuk konsiderohen protagonistë të saj./VaticanNews

Share: