Home KRYESORE PERSIATJE PERENDIMESH

PERSIATJE PERENDIMESH

Nga Artan Gjyzel Hasani

që në lindje jemi mësuar
të shijojmë perëndimet…

perëndimi i diellit është fati ynë i shkruar
vdekja jonë e përditshme e mbushur me dritë
të vegjël binim në mendime kur dielli vdiste
dhe mbeteshim pa fjalë tek e shihnim të lindë…
pastaj u rritëm…
nuk shihnim më qiellin
por dy sy të tjerë…
dhe ja ku jemi përsëri
po perëndon dielli edhe këtë herë
dhe nuk jemi më fëmijë…

na hedh edhe një vështrim para se të ikë
jep dëshminë e radhës dhe ne e fotografojmë
dhe vetëm pastaj ai zhytet dhe shuhet
ky diell vetvrasës
dhe perëndimi ynë i tij
i pafuqishëm si syri kur s’mund
madhështor si ajo që ishte
i pabesueshëm si çdo fund…
harruar aty
ku kujtesa është më e fortë…

(nga vëllimi poetik “Libido” 2024)
©artangjyzelhasani

Share: