Home KRYESORE “‘Heronjtë e Antikorrupsionit’ s’guxojnë të godasin zyrtarët e PS pa lejen e...

“‘Heronjtë e Antikorrupsionit’ s’guxojnë të godasin zyrtarët e PS pa lejen e Ramës”, zbardhet rezoluta e Këshillit Kombëtar të Berishës

Është zbardhur projekt-rezoluta e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të grupimit të ish-kryeministrtit Sali Berisha, që pritet të miratohet mbrëmjen e sotme.

Në dokumentin e grupit të Berishës, theksohet se opozita po trajtohet si armike. Ndërkohë qe institucionet e drejtësisë po godasin pakicën dhe jo zyrtare e Partisë Socialiste të cilët nuk preken pa lejen e Edi Ramës.

Ndër të tjera, në këtë rezolutë theksohet se deputetëve të opozitës iu mohohen të drejtat parlamentare dhe kushtetuese.

“Atyre, në shkelje flagrante të Kushtetutës, nuk iu lejohet përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të të gjithë shqiptarëve, ju mohohet e drejta kushtetuese e Opozitës për të kontrolluar me Komisione Hetimore Parlamentar”, thuhet në rezolutë.

Në dokument demokratët e Berishës bëjnë thirrje për bashkimin në një front të vetëm dhe të nisin një betejë pa kthim me maxhorancen aktuale.

Sa i përket akuzave të ngritura nga SPAK ndaj Berishës në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani, deputetët e opozitës shprehen në dokument, se këto akuza sipas tyre “janë një provë e pakundërshtueshme e kapjes totale të sistemit të drejtësisë nga ana e Edi Ramës dhe qëndrimit armiqësor të tij ndaj opozitës”.

Po ashtu, pjesë e rezolutës së deputetëve është edhe dialogu Kosovë-Serbi, ku sipas opozitarëve, “qeveria socialiste dhe kryeministri i vendit, me qëndrimet e tyre kundrejt Kosovës, ndërhyrjet e tyre brutale në punët e brendshme të Kosovës për llogari të Beogradit, po minojnë rëndë interesin kombëtar, interesin e Kosovës”.

Rezoluta e Këshillit Kombëtar e Partisë Demokratike

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, mbledhur sot në datë 27 tetor 2023, pasi diskutoi me përgjegjësi mbi situatën politike, ekonomike në vend, konstaton se:

Në Shqipëri regjimi autokratik i Edi Ramës, diktatura e bandave, drogës dhe krimit vendosin tashmë kontrollin e tij të plotë mbi çdo qelizë të shtetit, mbi pushtetin legjislativ, gjyqësor, ekonominë dhe mediat e vendit ;

Regjimi mbahet në këmbë nga bashkëpunimi i ngushtë i tij me krimin e organizuar, nëpërmjet financimit të parave që vijnë nga trafiku i drograve dhe pastrimi i tyre, si dhe nga korrupsioni i lartë dhe i kudogjendur qeveritar. Edi Rama ka krijuar në Shqipëri makinerinë gjigande të frikësimit të zgjedhësve shqiptarë dhe industrinë e blerjes së votës, me të cilat ai shndërroi krimin në votë dhe votën në krim, duke bllokuar rotacionin dhe vendosur në Shqipëri de facto monizmin politik;

Instalimi i këtij narko-regjimi shënon një rast të paprecedentë, rastin e parë dhe të vetëm në Evropë, ku një vend i cili aspiron të ardhmen evropiane sot qeveriset nga pushtetarë të lidhur ngushtë me krimin e organizuar, në të gjitha nivelet e qeverisjes qëndrore dhe vendore;

Shtetit ligjor është zëvendësuar me kodin e narkoshtetit. Parimet themelore kushtetuese, pluralizmi politik, ndarja e pushteteve, të drejtat dhe liritë themelore të individit, e drejta e patjetërsueshme e pronësisë, ekzistenca e një media të lirë dhe të pavarur, janë tashmë nën kërcënimin real të përditshëm të zhbërjes së tyre dhe në vartësinë dhe kontrollin nga ky narko-regjim;

Pas kontrollit të votës së qytetarëve, ai de facto ka asgjësuar pluralizmin parlamentar në Shqipëri. Deputetët e Partisë Demokratike dhe opozita trajtohen si armik të brendshëm të vendit. Atyre iu mohohen të drejtat parlamentare dhe kushtetuese. Atyre, në shkelje flagrante të Kushtetutës, nuk iu lejohet përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të të gjithë shqiptarëve, ju mohohet e drejta kushtetuese e Opozitës për të kontrolluar me Komisione Hetimore Parlamentar, dhe po kështu inisiativa ligjore e tyre.  De facto, në një akt të hapur armiqësor ai duke shkelur Kushtetutën ka zëvendësuar pluralizmin politik në parliament me monizmin e Partisë-Shtet.

Institucionet e reja të drejtësisë, të ngritura për të qenë të pavarura, po ndjekin një axhendë politike agresive të mazhorancës duke i shërbyer interesave të saj, dhe aspak drejtësisë dhe shtetit ligjor. “Heronjtë e Antikorrupsionit” nuk guxojnë të godasin asnjë zyrtar të lartë socialist pa miratimin e kreut të qeverisë. Ndërsa Opozitës i rezervohen metodat staliniste të ngritjes së akuzave dhe fabrikimit të provave të rreme. Goditja nëpërmjet këtyre “akuzave” e liderit të Partisë Demokratike, janë një provë e pakundërshtueshme e kapjes totale të sistemit të drejtësisë nga ana e Edi Ramës dhe qëndrimit armiqësor të tij ndaj opozitës;

Korrupsioni galopant në Shqipëri është I përhapur në të gjitha nivelet me në krye Edi Ramën dhe familjen e klanet qeveritare, oligarkët e tij po rrënon çdo ditë ekonominë e vendit dhe qënien e shqiptarëve. Organet e drejtësisë të ngritura për t`i luftuar ato dhe vënë përpara drejtësisë përgjegjësit e korrupsionit në vendin më të korruptuar të Europës, kanë dështuar qëllimisht duke demostruar anshmërinë e tyre politike për të vënë drejtësinë në vend dhe mbrojtur interesin publik.

Në rrethanat e sipërpërmendura,

Partia Demokratike ndodhet prej vitesh nën një sulm politik stalinist të paprecedentë, të papajtueshëm me normat e shtetit ligjor dhe rendit demokratik në një republike parlamentare. Ky sulm është orkestruar drejtpërsëdrejti nga Edi Rama me qëllim zhbërjen e opozitës dhe vlerave të saj të qëndrës së djathtë, goditjen e reformave të thella të ndërmarra që kanë transformuar Shqipërinë në rrugën e saj evropiane, goditjen e trashëgimisë politike dhe të lidershipit të saj;

Partia Demokratike konstaton se qeveria socialiste dhe kryeministri i vendit, me qëndrimet e tyre kundrejt Kosovës, ndërhyrjet e tyre brutale në punët e brendshme të Kosovës për llogari të Beogradit, po minojnë rëndë interesin kombëtar, interesin e Kosovës. Bashkëpunimi i Edi Ramës me Beogradin për ndarjen e Kosovës dëmton rëndë arritjen e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë dhe paqen në rajon.

Sulmi i orkestruar politik nga mazhoranca socialiste kulmoi përgjatë këtij viti, kur:

Opozitës, si pasojë e një sistemi gjyqësor të kapur politikisht nga mazhoranca, në shkelje flagrante të çdo norme juridike, si edhe kapjes politike të organeve administruese të procesit zgjedhor, iu mohua identiteti i saj politik dhe e drejta për të patur përfaqësuesit e saj në administrimin dhe mbarëvajtjen e këtij procesi;

Partia Demokratike dhe Opozita u shantazhuan në të gjitha mënyrat për ta detyruar atë të mos merrte pjesë në zgjedhjet vendore 2023, dhe pasi ky skenar dështoi, mazhoranca manipuloi thellësisht zgjedhjet vendore, në fushën zgjedhore më të pabarabartë ndonjëherë që nga vendosja e demokracisë në Shqipëri;

Raporti OSBE/OHDIR rrëzoi përfundimisht zgjedhjet vendore 2023, duke konfirmuar problematikat e rënda të ngritura nga Partia Demokratike përpara, gjatë dhe pas periudhës zgjedhore;

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, i vetëdijshëm për këto zhvillime dramatike për vendin, shpreh me forcë përkushtimin e tij të palëkundur në mbrojtje të opozitarizmit dhe të demokracisë, lirive dhe të drejtave të qytetarëve dhe sundimit të ligjit, si parimet themelore të forcës sonë politike. Duke parë rreziqet që po i kanosen Shqipërisë, institucioneve, demokracisë dhe aspirates sonë për anëtarësim në Bashkimin Europian, shprehim vendosmërinë për të qendruar me cdo kusht dhe me cdo sacrifice në betejën tonë pa kthim, në mbrojtje të vlerave dhe parimeve demokratike Europiane!

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike deklaron se:

Mbrojtja e rendit demokratik, mbrojtja e pluralizmit politik parlamentar dhe vlerave të saj, ruajta e interesit kombëtar shqiptar, janë misione jetike të Partisë Demokratike për të cilën ajo është themeluar, ekziston dhe do të kontribuojë në vazhdimësi.

Partia Demokratike është krijuar mbi bazën e këtyre premisave dhe i konsideron të shenjta ato. Ajo do të bëjë gjithçka, do të marrë çdo vendim në një betejë të pandërprerë me protesta të fuqishme të kthejë Shqipërinë në rrugën e demokracinë, vlerave evropiane dhe ta shpëtojë atë nga regjimi i narkoshtetot që po shkatërron çdo ditë;

Partia Demokratike i bën thirrje të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të saj, si dhe gjithë shqiptarëve t’a konsiderojnë këtë moment si një moment përcaktues në historinë e vendit, ku vendoset e ardhmja e demokracise në Shqipëri dhe e vlerave demokratike të saj;

Partia Demokratike i kërkon anëtarësisë, simpatizantëve dhe gjithë shqiptarëve të bashkohen në një front të vetëm të gatshëm për sakrifica në betejë pa kthim për t’u përballur me revanshin e fortë autokratik të qeverisë, si dhe për të mbrojtur vlerat dhe arritjet e shoqërisë shqipare në këto 32 vite pluralizëm;

Partia Demokratike shpreh besimin e saj të plotë se thirrjes së saj do t`i bashkohen të gjithë ata që besojnë në rëndësinë jetike të pluralizmit politik dhe opozitës së vërtetë si kusht vendimtar për të patur një të ardhme europiane.

Partia Demokratike nuk do të tërhiqet kurrë nga ky mision historik i saj. Ne jemi të gatshëm të japim çdo kontribut dhe pranojmë çdo sakrificë për rivendosjen e pluralizmit politik, rendit demokratik, shtetit ligjor në Shqipëri. Ne kemi nevojë për kontributin e të gjithë atyre, pa asnjë dallim partiak, që vlerësojnë me të drejtë se demokracia është në rrezik dhe opozitarizmi është vlerë e pazëvendësushme e shoqërive të lira demokratike.

Ndaj në këto çaste vendimtare, bashkimi në një front të vetëm garanton fitoren tonë, fitoren e demokracisë dhe të së ardhmes të sigurtë evropiane të Shqipërisë./Opinion.al

Share: