Home Gjeo-Ekonomia Kryeministri boshnjak: Armatimi nuk është nga Tuzla, Serbia të mos kërkojë alibi...

Kryeministri boshnjak: Armatimi nuk është nga Tuzla, Serbia të mos kërkojë alibi këtu

Kryeministri i Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, Nermin Nikshiç, mohoi se armët e përdorura në sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë janë blerë në Tuzlla, duke i quajtuar ato pretendime të rreme dhe tha se nuk mund të mbështeten me asnjë provë.

“Unë e kuptoj që Serbia në ditët e fundit ka qenë e ekspozuar ndaj presionit të madh nga shtetet demokratike, por kjo nuk do të thotë se ata mund të kërkojnë alibi për veprimet e tyre në Bosnje dhe Hercegovinë. Serbia nuk mund të kërkojë përgjegjësi nga kjo anë e kufirit për furnizimin me armë, trajnimin e formacioneve paraushtarake dhe grupeve të qytetarëve serbë dhe zyrtarëve lokalë që shkaktuan konfliktin e armatosur në veri të Kosovës”, shkruan N1.

“Shërbimet e inteligjencës së Serbisë dhe udhëheqja e saj politike, për fat të keq, kanë hartuar një plan për të transferuar një pjesë të përgjegjësisë në Bosnjë dhe Hercegovinë për sulmin terrorist në vendin fqinj. Duke pasur parasysh situatën politike në vendin tonë, ata ndoshta kanë vlerësuar se nuk do të ketë reagime adekuate, të shpejta dhe të sakta të bazuara në fakte. Na kanë nënvlerësuar sërish”, ka thënë Nikshiç.

Ai deklaroi se armët e gjetura nga policia e Kosovës “nuk janë prodhuar në Bosnje dhe Hercegovinë” dhe se Policia e Kosovës publikisht ka nxjerrë në pah numrat serial të predhave të mortajave dhe llojeve të tjera të municionit që janë “prodhuar në fabrikat serbe të Sllobodës, Krushikut”.

360grade.al

Share: