Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Media te ne një lajm të zymtë ta zemë një krim e...

Media te ne një lajm të zymtë ta zemë një krim e kap për zverku dhe nuk e lëshon më për t’i marrë sa më shumë klikime!

Sadizmi politiko-mediatik shkërmoq Erosin kombëtar

Nga Artan Fuga

Kur është folur për rolin e medias masive në një shoqëri, sidomos në kohët moderne, është insistuar fort në Amerikë, Evropë a gjetiu, në Perëndim se media ka rol për transparencën, për mobilizimin e qytetarëve, për të mbrojtur demokracinë, për të kritikuar dhe bërë opozitë me qeverinë, për të identifikuar shtresa sociale në aksionin e tyre politik, për të informuar qytetarët, për t’i zbavitur, edukuar, etj.

Por, ky edukimi, shpesh thuhet ashtu si për të larë gojën!

Dakord me të gjitha, por nuk mjaftojnë. Situata ku kalon Shqipëria tregon se as këto misione nuk realizohen dot jashtë disa modeleve të medias masive, nga të cilat jemi shumë, po shumë larg, por edhe se media ka edhe një funksion tjetër, krejtësisht i braktisur.

Ka dhjetëra arësye përse është braktisur.

Media masive ka vend të qetësojë jetën e përditshme të qytetarëve, t’i hapë rrugë humanizmit të njerëzve, t’i mbajë mbledhur njerëzit e një kombi, mos ua nxijë jetën në mënyrë të tejskajshme, boll ja nxin qeverisja dhe politika, media masive, nuk është thjesht as për ta zbavitur qytetarin me kënaqësi përverse sikurse shohim programe me audiencë të lartë që janë shënja më e qartë e degardimit psiko-moral e popullsisë.

Media te ne një lajm të zymtë ta zemë një krim e kap për zverku dhe nuk e lëshon më për t’i marrë sa më shumë klikime. E merr atë informacion – leshi dhe e shkund si qilim të vjetër te ballkoni komshiut poshtë katit ku jeton. Një lajm i keq është lajm i mirë se bën audiencë, – thonë! O Zot, ku e gjetën këtë përkufizim idiot!

Kështu një krim përsëritet nga qindra media, më se dhjetë a njëqind herë në ditë, nga mëngjesi në darkë dhe nga darka në mëngjes, e gjen në kafene, në banesë, në dhomë të gjumit, në autobuz, në telefon, gjithë ditën. Duket sikur mijëra krime, tërmete, cuname, vrasje, vetëvrasje, të rrethojnë.

Cfarë pasojash? Njerëzit marrin prirjen të ikin, të ikin në ato vende ku media nuk i tremb, të mbyllen në shtëpia, ta shohin njeri tjetrin me inat, mosbesim, të mbyllen në Internet, të bëjnë evazion nëpër filma idiotë me shtriga dhe vampirë, e të thonë: O është prish bota!

Kombi shkatërohet, sepse uniteti kombëtar do pak ëmbëlsi të ngjizet, kombi është si një banesë ku ka pak dashuri poshtë çatisë a poshtë jorganit, është vendi ku individi prehet paksa, në artin, kulturën, vlerat e solidaritetit, në bukurinë e çasteve të ditës.

C’a thua? Media e shkatërron. Rrëmihësit e unitetit kombëtar duan klikime, parà, reklama, na plasi për unitetin kombëtar, për atë që Sokrati e theksonte: : Pa Eros nuk ka shoqëri të drejtë, nuk ka fare shoqëri.

Dhe pasi bëjmë të gjitha këto të pabëra pyesim : Përse marrin arratinë njerëzit?
Përse njerëzit janë me sy të zgurdualluar sa i sheh në mëngjez, sikur çdo çast dikush dëshiron t’i vrasë, sikur kanë dalë nga morgu!
Përse sillen si ato macet e lagjeve që sa bëhesh gati t’i përkëdhelësh pak, ikin nga sytë këmbët?
Përse u është prishur gjaku?
Nis bisedën qetë dhe menjëherë në çast ndjen ashpërsinë e fjalëve që të vijnë në vesh!

Erosi i Sokratit ka marrë arratinë!

Nis dita, me kohën për t’u zgjuar ku mileti i cmeritur çfarë nuk nxjerr nga goja. Halle patjetër ka, por media nuk është altoparlant që ja vendos në gojë çdo gurmazi që ai të thotë çfarë i çpon prapanicën.

Fillojnë lajmet : Krim, korrupsion, vrasje, shtypje, aksidente, përdhunime gjyshërish mbi nipat e komshijve ministra, deputetë, arrestime, pranga, kërcënime, jo do të vrasë jo e vrava, jo po nuk më vrau, luftë, tërmet, gjithë të zezat e botës.

Nis Kuvendi, aty bëhet kulmi, deputetë që shajnë, fyen, grinden, bëjnë kot të gjithë, flasin me fjalë të ndyra, ik moj rrospije, ik plak i keq, ik pervers, ta bofsha, me libër shtëpie. Këta lejon media të thonë ç’të duan, disa zabërhanë që as edukatën fillestare nuk e kanë.

E nis investigimi në mbrëmje. Se ky pastroi paratë, ai hodhi plehrat në kokën e takspaguesve, ky tjetri ka bërë lekë në ofshore, ai gjeti lekë te tubi i WC, etj.

Dhe darka mbyllet te emisionet debat, ku politikanë dhe analista e gjejnë veten me thika duke i çarë barkun njeri tjetrit, zgërdhishëm, ku spektatori ndodhet në një luftë prej gjasme demash, gjelash, lepujsh e ç’të duash.

Filmat e realizmit socialist ku m’i gjen, nuk ka filma shqiptarë, nuk ka muzikë shqiptare, nuk ka drama shqiptare, nuk ka poezi, roman, nuk ka art shqiptar në media, ai që e eksteriorizon të keqen.

Ja mjedisi rrethues i shqiptarit sot. Ka bir nënë që e duron këtë tmerr e këtë beterr pa thënë: Ika! Ju kam dhjerë në din e iman, po shkoj ta fitoj jetën gjetiu!

Kjo lloj media masive e shkatërron jo vetëm individin, por edhe kombin, sepse tregon një jetë sterr, është një agresion i përditshëm kundër ekzistencës, është projektim i perversitetit malinj që i mërzitur nga jeta e vet ja nxin të tjetërve, është një lloj sadizmi që ripërsërit sadizmin e politikës, nuk e lufton jo.

Kjo media nuk ka lidhje fare me traditat tona në mediat kombëtare të shekullit të 19 që ditën të përballojnë sfidat e shqiptarizmit, por duke ngritur lart ëmbëlsinë kombëtare, e vetmja forcë, ky Eros kombëtar që mban lidhur njerëzit, qofshin edhe të vuajtur, bashkë me njeri tjetrin.

Ndryshe, ik të ikim! Shqiptari ikën i trembur nga vendi i tij, ca nga realiteti, ca nga qeverisja e keqe, ca nga politka e ndyrë, ca edhe nga media që disa nuk e kanë për gjë ta përdorin ose si çingije për të kërcyer lakuriq për të zbavitur pushtetin, larg problemeve të qytetarëve, ca të tjerë e përdorin si mjet për ta trembur, deziluzionuar, bjerrur kurajon qytetare, duke i thënë çdo ditë : O bir jeton në ferr, ik në munç!

Share: