Home Gjeo-Ekonomia “Prokuroria do ta bëjë punën e saj”/ Vuçiç: Do t’i mbajmë përgjegjës...

“Prokuroria do ta bëjë punën e saj”/ Vuçiç: Do t’i mbajmë përgjegjës të gjithë ata që kryen krime në Banjskë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha të hënën se të gjithë ata që morën pjesë në sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë në veri të Kosovës “do të japin llogari para institucioneve të Serbisë”.

Në një intervistë për televizion amerikan CNN, Vuçiç-i theksoi se këtu përfshihet edhe përgjegjësia e Millan Radojiçiç-it, njërit prej liderëve kryesorë të serbëve të Kosovës, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit.

“Serbia, natyrisht, do t’i mbajë përgjegjës të gjithë njerëzit që kanë kryer vepra kriminale dhe janë në territorin tonë. Millan Radojiçiç është në territorin e Serbisë dhe prokuroria do ta bëjë punën e saj,”tha Vuçiç.

Një zyrtar policor duke qëndruar pranë automjetit të dëmtuar të Policisë së Kosovës, pas sulmit të 24 shtatorit 2023 nga një grup i armatosur në fshatin e veriut të Kosovës, Banjskë. Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Sulmuesit u strehuan në manastirin e fshatit, pasi e kishin sulmuar në një pritë një patrullë të policisë, nga ku e vazhduan konfrontimin me policinë, dhe si pasojë tre prej tyre u vranë.

Policia kosovare i arrestoi dhe i paraburgosi tre sulmues, si dhe gjeti arsenal të jashtëzakonshëm armësh në vendin e ngjarjes pas sulmit. Radio Europa e Lirë shkruan se Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se ajo është përfshirë në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare.

Pesë ditë pas sulmit, Millan Radojiçiç-i e mori përgjegjësinë për këtë sulm, dhe dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila e ka mbështetjen e Qeverisë serbe. Më 30 shtator, ai dha deklaratë në polici “në cilësinë e qytetarit”, ndërsa rastin e mori përsipër Prokuroria e Lartë Publike në Beograd.

I pyetur nëse Serbia e ka tërhequr ushtrinë e saj nga kufiri me Kosovën pasi Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje javën e kaluar për ta bërë këtë, Vuçiqi tha se ato raportime “nuk ishin plotësisht të sakta” dhe tha se ushtria serbe kishte 14.000 ushtarë në kufirin me Kosovën vite më parë.

“Para disa ditësh kishim më pak se 8.400, ndërsa sot janë 4.400, që është numri i zakonshëm i personelit. Ne kemi dëgjuar gjithmonë udhëzimet që partnerët tanë na kanë kërkuar për të de-përshkallëzuar situatën, dhe edhe këtë herë e kemi bërë, edhe pse nuk kishte arsye për një kujdes më të madh”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se Serbia është “vendi i fundit që ka nevojë për tensione në Kosovë”.

“Serbisë nuk i duhen luftëra dhe konflikte me NATO-n. Ne duam një prani më të madhe të KFOR-it, veçanërisht në veri të Kosovës”, tha Vuçiç.

Ushtria serbe vendosi trupat e saj përgjatë kufirit me Kosovën, pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës në fund të shtatorit. Por, presidenti i Serbisë më 29 shtator pretendoi se nuk ishte ngritur niveli i gatishmërisë luftarake.

SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE) kanë shprehur shqetësimin për vendosjen e trupave serbe pranë kufirit me Kosovën.

Më 30 shtator, Radio Evropa e Lirë vërejti lëvizjen e një autokolone ushtarake në jug të Serbisë, nga drejtimi i Vranjës në drejtim të Nishit.

Top Channel

Share: