Home KRYESORE Vdiq një Njeri realisht “shumë i rëndësishëm” por aspak VIP.

Vdiq një Njeri realisht “shumë i rëndësishëm” por aspak VIP.

Nga Grid Rroji

Sot vdiq në San Fransisko 92 vjeçari Çarls Fini, një miliarder (8 miliardë dollarë vlera reale në fillim vitet 80të).

Vdekja e tij nuk do të përbënte lajm përpos faktit që vdiq në një apartament të thjeshtë me qera e tejet modest. Në fakt, mbasi kishte kapur majat në profesionin e vet dhe pasi kishte investuar me largpamësi, pasi kishte dhuruar dhjetëra miliona për atdheun e vet Irlandën e Veriut, Fini (Feeney) e kishte dhuruar të gjithë pasurinë e vet për bamirësi. Kishte mbajtur dy milionë për të garantuar pleqërinë, kishte siguruar pesë fëmijët dhe ish gruan si milionera, dhe pjesën tjetër të pasurisë e kishte dhuruar ANONIMISHT. Madje, kompaninë bamirëse e kishte regjistruar në një parajsë fiskale për të mos pasur detyrimin e ligjit amerikan për të zbuluar emrin e dhuruesit. Pra, këmbënguli gjithë jetën e vet për të mos ju njohur emri, veprat e bamirësisë, dhe për të jetuar me modesti. 7 vilat luksoze nëpër botë ja la ish gruas dhe fëmijëve dhe u martua me ish sekretaren e vet me të cilën ndau pjesën (më të bukur?) të jetës. Ndër dhuratat e tij, vlen të veçohet ajo ndaj Universitetit Kornell nga i cili ishte diplomuar. Sigurisht, anonimisht.

Me botëkuptimin tuaj do ketë qenë ose idiot ose i sëmurë mendor. Si iket nga vila me shërbyes nê Montekarlo për me jetue me qera në një apartament modest?

Mirëpo, sipas meje dhe atij që cilësohet si morali i duhur prej mijëra vitesh, jetoi një jetë shembullore duke i shërbyer popullit të vet dhe nevojtarëve pa ju ndje zani. Pa pasur kurrfarë nevoje të marrë nga bota asgjë e aq më pak të blejë emra pallatesh a institucionesh si shumë nga miliarderët e tjerë. Një njeri realisht “shumë i rëndësishëm” por aspak VIP.

Share: