Home KRYESORE Histeria kolektive, vrasësi i heshtur i ditëve tona!

Histeria kolektive, vrasësi i heshtur i ditëve tona!

Shqiptarët të ngrenë në qiell dhe t’fusin në gropë sa hap e mbyll sytë.

Nga Anisa Ymeri

Kjo është Mira Murati e cila prej vitesh ka një karrierë për t’u pasur zili. Një grua e re me sukses të jashtëzakonshëm në sferën e teknologjisë. Nuk kam asnjë dyshim se në atë mjedis, i ngjit shakallët vetëm falë aftësive të rralla.

Meqë ka lindur në Vlorë, ne jemi “krenarë” për të sepse është shqiptare. (Edhe unë emocionohem shumë, po shumë shumë kur shqiptarët bëjnë karrierë ndërkombëtare sepse duhet të jetë ferri në tokë që t’ia dalësh në nivele të tilla).

Ama më shumë krenarë, shqiptarët ishin ato tri ditë që ishte CEO e ChatGPT. Pas ditës së tretë kur nuk ishte më kreu, sikur na u zbeh krenaria. Mira e jashtëzakonshme (siç vërtet është), u bë e zakonshme!

Se ne shqipot nuk i tolerojmë këto gjëra!

Njësoj bëjmë p.sh me Rita Orën, kur bën shqiponjën e flet shqip në skena të mëdha, e adhurojmë. Sapo bën diçka që na cenon atë “moralin” tonë të lartë, e shqyejmë, ja nxjerrim të palarat në shesh.

Njësoj me kombëtaren! Bëjnë gola e na çojnë në Europian, janë jeta jonë. S’bëjnë gol, i “pështyjmë”.

Kështu Mira, merr sërish drejtimin e ndonjë kompanie të madhe se ndryshe, ne këtu nuk t’i hedhim sytë!

P.S: Histeria kolektive, vrasësi i heshtur i ditëve tona!

Share: