Home Gjeo-Ekonomia Tuneli i Llogarasë, gati për sezonin veror: Do ta hapim përpara afateve...

Tuneli i Llogarasë, gati për sezonin veror: Do ta hapim përpara afateve të përcaktuara

Nga qershori i vitit të ardhshëm, e gjithë rruga nga Orikumi në Palasë mund të përshkohet në vetëm 20 minuta. Në tunelin e Llogarasë kanë mbetur vetëm 30 për qind e punimeve për t’u përfunduar krejtësisht. Ai është hapur nga të dy kahët, por po punohet vetëm për betonizimin.

“Duke parë ciklin e punimeve dhe mënyrën sesi po operohet themi që brenda sezonit turistik, me kontratë tuneli e ka në shtator të vitit 2024 për të përfunduar dhe ne do ta hapim në Qershor-Korrik të vitit 2024”, tha drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi.
Përbërja gjeologjike në këtë zonë, ndryshe nga tuneli i Murrizit në Rrugën e Arbrit, ka favorizuar kompaninë që të ketë një ritëm më të shpejtë në punime.

“Tuneli i Murrizit, seksioni gjeologjik i tillë që aty ecim 1.5 metra në ditë, ndërsa në hapjen e tunelit të Llogarasë shkojmë edhe në 22 metra në ditë”, tha Berberi.

Paralelisht, me këtë segment të rrugës së bregut të jugut, është gati dhe projekti i segmentit që të çon deri në Himarë. E gjithë ky aks i ri, do t’ju shërbejë turistëve që do të pushojnë në këtë bregdet.

Rruga ekzistuese është menduar të funksionojë për ndërlidhjen me fshatrat e kësaj zone, ndërsa në projektet e Ministrisë së Infrastrukturës, drejtori i ARRSH, thotë se është dhe ndërtimi i një rruge të tretë që do të shërbejë vetëm për transportin e mallrave.“Thjeshtë e dedikuar për transportin e mallrave dhe të udhëtarëve tranzit për të shkuar në drejtim të zonave bregdetare deri në Sarandë.”

Kostot vetëm për tunelin janë llogaritur që në nisje të projektit 140 milionë Eurosh dhe Berberi pohon se nuk ka pasur nevoje për para shtesë sepse punimet kanë ecur sipas parashikimeve.

360grade.al

Share: