Home Gjeo-Ekonomia Marrëveshja për emigrantët me Italinë/ Gjykata Kushtetuese vendos pezullimin e ratifikimit në...

Marrëveshja për emigrantët me Italinë/ Gjykata Kushtetuese vendos pezullimin e ratifikimit në Kuvend

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët do të thotë se parlamenti nuk mund të ecë përpara me miratimin e saj të enjten, siç ishte parashikuar më herët.

Mbledhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese vlerësoi si të ligjshme kërkesën e 30 deputetëvetë opozitës, të drejtuar nga Gazment Bardhi. Në padinë e tyre ata kërkuan pezullimin e miratimit, si hap i parë dhe më pas shfuqizimin si antikushtetues të  marrëveshjes Rama-Meloni për pritjen në Shqipëri të emigrantëve të huaj, që kapen në detin Mesdhe.

“Në datën 06 dhjetor 2023, 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, kanë paraqitur në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për kontrollin e kushtetutshmërisë së Protokollit të nënshkruar midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane, “Për forcimin e bashkëpunimit ne fushën e migracionit”. Kjo kërkesë është paraqitur para ratifikimit të këtij Protokolli, bazuar në nenin 131, pika 1, shkronja “b”, të Kushtetutës. Grupi i deputetëve ka ngritur pretendime se nuk është respektuar procedura e negocimit dhe e nënshkrimit, pasi Protokolli i bashkëpunimit bën pjesë në ato kategori marrëveshjesh që kërkojnë autorizimin e Presidentit, pasi prek çështje të territorit dhe të të drejtave themelore, sipas nenit 121, pika 1, shkronjat “a” dhe “b”, të Kushtetutës. 

Po ashtu, ata kanë paraqitur edhe tre kërkesa të njëjta për pezullimin e procedurave parlamentare për ratifikimin, mbi shkakun se shqyrtimi dhe votimi i Protokollit është planifikuar nga Kuvendi për seancën plenare të datës 14 dhjetor 2023. Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, në datën 11 dhjetor 2023, pasi mori në shqyrtim paraprak çështjen, vendosi ta kalojë atë për shqyrtim në Mbledhjen e Gjyqtarëve. Mbledhja e Gjyqtarëve, e mbledhur sot, në datë 13 dhetor 2023, vlerësoi se kërkesa plotëson kriteret paraprake të pranueshmërisë dhe vendosi kalimin e çështjes per shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë dokumentesh. Bazuar në nenin 52, pika 3, te ligjit nr. 8577/2000, shqyrtimi në seancë i çështjes pezullon automatikisht procedurat e ratifikimit në Kuvend të Protokollit të bashkëpunimit, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Duke mbajtur parasysh parashikimin e së njëjtës dispozitë ligjore (neni 52, pika 3), që kërkon përfundimin e shqyrtimit të çështjes brenda 3 muajve nga paraqitja e kërkesës, Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi që seanca të zhvillohet në datën 18 janar 2024, ora 10:00″, tha kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.

Sipas opozitës, marrëveshja ka disa shkelje kushtetuese, por dy janë kryesore. Së pari, kryeministri nuk ka marrë autorizim nga Presidenti për t’i dhënë Italisë në përdorim territor shqiptar. Deputetët e opozitës arsyetojnë se, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në 2010-ën për Marrëveshjen e Detit me Greqinë, qeveria nuk mund të negociojë për një marrëveshje me një shtet tjetër për çështje ku përfshihet territori, nëse më parë nuk merr autorizim nga presidenti.

Argumenti tjetër kryesor është çështja e shkeljes së të drejtave të njeriut në territorin e Shqipërisë. Duke qenë se marrëveshja detyron mbajtjen të mbyllur në kamp të emigrantëve, deputetët e opozitës arsyetojnë në kërkesën e tyre për gjykatën kushtetuese se kjo bie ndesh me disa konventa ndërkombëtare për trajtimin me dinjitet të emigrantëve.

Në Gjykatën Kushtetuese ishte depozituar edhe një padi tjetër për këtë çështje, e firmosur nga kryetar i PD zyrtare Lulzim Basha, por burime zyrtare konfirmojnë për Top Channel se Gjykata Kushtetuese e ka kthyer për plotësim këtë kërkesë, pasi nuk mbështetet nga numri i kërkuar i deputetëve.

Kjo do të thotë që, nëse zoti Basha do që kërkesa e tij të shqyrtohet në Kushtetuese, i duhet të mbledhë 28 firma deputetësh. Në çdo rast, thelbin e kundërshtimeve të opozitës, gjykata kushtetuese do ta shqyrtojë në 18 janar të vitit të ardhshëm.  ka 3 muaj kohë për të marrë një vendim, gjë që vendos në diskutim synimin e Ramës dhe Melonit për të bërë funksional kampet e refugjatëve në Gjadër të Lezhës, në pranverën e vitit të ardhshëm.

Më 6 nëntor kryeministri Edi Rama dhe homologia italiane, Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve. Sipas marrëveshjes për emigrantët porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj.

Shpenzimet për këtë vendim politik deri më tani do të përballohen nga Italia, e cila do t’i paguajë Shqipërisë fondin e parë në shumën 16.5 milionë euro, brenda një 3-mujori. Parashikohet që mbi 100 milionë euro të jenë të ngrira në një llogari bankare të nivelit të dytë si garanci. Italia, ndërkaq merr përsipër të gjitha shpenzimet për kujdesin spitalor sipas legjislacionit shqiptar, pas administrimit të trajtimeve spitalore të palës shqiptare. Emigrantët do të qëndrojnë në pritje të përgjigjes për azil nga autoritetet italiane në strukturën që do ndërtohet po nga italianët.

Kohëzgjatja e marrëveshjes do të jetë 5 vjet, por mund të shtyhet automatikisht edhe me 5 vite të tjera nëse ndonjëra nga palët nuk komunikon të paktën gjashtë muaj përpara afatit të përfundimit qëllimin e saj për të mos e rinovuar këtë protokoll.

Më 21 nëntor, Dhoma e Përfaqësuesve në Parlamentin Italian miratoi me 189 vota pro dhe 126 kundër rezolutën e mazhorancës italiane, pavarësisht kritikave të opozitës.

Detajet për marrëveshjen:

Emigrantët që shpëtohen në Detin Mesdhe dhe kërkojnë azil në Itali do të strehohen në Shqipëri, ndërsa Italia financon për ngritjen e qendrave për pritjen e tyre.

Italia depoziton 16.5 milionë euro në një llogari të posaçme të Thesarit të Shqipërisë, si paradhënie për strehimin e migrantëve.

Nëse Italia i refuzon kërkesat për azil, Shqipëria i dëbon emigrantët.

Fëmijët dhe gratë shtatzëna  përjashtohen nga marrëveshja.

Italia financon për ndërtimin e dy qendrave në Shqipëri, të cilat mund të mbajnë deri në 3.000 migrantë në të njëjtën kohë, ose deri në 36.000 në vit.

Shqipëria ofron masa të sigurisë në qendrat përkatëse nën juridiksionin italian.

Top Channel

Share: