Home Gjeo-Ekonomia Vizitorja turke mrekullohet nga mikpritja kineze

Vizitorja turke mrekullohet nga mikpritja kineze

“Miqësore, komode, e ngrohtë, e pasur kulturalisht dhe historikisht, kjo është ajo që më vjen në mendje kur mendoj për Kinën dhe popullin kinez”,- deklaroi një turke rreth të 50-tave, ndërsa me entuziazëm u tregon kolegëve të saj suveniret që ka blerë në Kinë.

Elif Pervane, drejtoreshë e marrëdhënieve të korporatave në Shoqatën Kulturore Turko-Kineze, foli me emocione për shkopinj shumëngjyrësh, çantat e dorës, traditën e çajit, librat kinezë me tregime, bizhuteritë dhe kujtimet pas tyre. Pervane udhëtoi për në Pekin në korrik për të ndjekur mësimet në Universitetin e Gjuhës dhe Kulturës së Pekinit për më shumë se një muaj, për të përmirësuar gjuhën kineze. Gjatë qëndrimit të saj, ajo pati shumë kontakte me kinezët, duke bërë miq dhe duke udhëtuar shumë.

“Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte dashamirësia e popullit kinez; ajo ngrohtësi dhe ndjenja e lirë që ata kanë”,- tha Pervane, duke treguar dy pako çaji që mori si dhuratë nga një mik i ri kinez.

“Ata veprojnë me bujari, pa asnjë mendim për përfitime apo pritshmëri personale”.

Para se të udhëtonte në Kinë, Pervane kishte shumë paragjykime, shumë prej të cilave bazoheshin në raporte të rreme nga media e huaj. Por pasi përjetoi kulturën, jetën e përditshme dhe takoi njerëzit, ajo pa se të gjitha ishin të pabaza.

“Mendova se do të gjeja një problem të madh të ndotjes së ajrit. Nuk vura re asnjë ndotje. Maskën e kisha gjithnjë me vete, për të qenë e sigurt, por nuk e përdora as edhe një herë, as në metro dhe as në ambient të hapur”,- tha Pervane.

Foto nga VCG

Ajo kishte lexuar edhe disa artikuj se kinezët janë armiqësorë me të huajt. “Ky është gjithashtu një perceptim krejtësisht i rremë”, thotë Pervane, duke theksuar se ajo ka krijuar miqësi të përsosura me shumë kinezë dhe ata janë gjithmonë në kontakt me njëri-tjetrin përmes rrjeteve sociale.

“Ky afrimitet më preku, pasi në ditët e sotme, njerëzit po largohen gjithnjë e më shumë nga njëri-tjetri dhe po bëhen më të vetmuar”,- tha ajo.

Sipas saj, një tjetër perceptim i rremë ishte për kulturën ushqimore. “Më thanë se do të isha e uritur në Kinë dhe se duhet të merrja patjetër ushqime të konservuara me vete. Kjo nuk është e vërtetë. Kuzhina kineze është shumë afër kuzhinës sonë. Të gjitha pjatat kineze i kam shijuar”,- thotë ajo.

Për Pervanen, tashmë është detyrë që të ekspozojë keqkuptime të tilla dhe t’u tregojë të vërtetën njerëzve në atdhe. “U kam thënë fëmijëve të mi që mos të marrin të mirëqenë gjithçka që lexojnë dhe dëgjojnë. Ata duhet të përjetojnë gjithçka vetë kur të vizitojnë Kinën”.

Gjatë qëndrimit të saj, Pervane vizitoi qytete të shumta me tren të shpejtë sa herë që kishte kohë nga studimet. Ajo tha se rrjeti i transportit hekurudhor është më se i shkëlqyer për nga cilësia dhe shpejtësia. Ajo vlerëson gjithashtu qytetet për ndërtimin e strukturave të bukura ekologjike që ekzistojnë në harmoni me natyrën.

Ajo e cilësoi Pekinin si një qytet me një strukturë kaq të bukur që daton mijëra vjet më parë. Pervane tha se kryeqyteti kinez ka parqe dhe liqene, me shumë ambiente çlodhëse. Pas kthimit në Stamboll në fund të gushtit, Pervane po shikon mundësinë për ta vizituar sërish Kinën dhe për t’u treguar miqve të saj atje më shumë për kulturën turke./Artikulli dhe foto janë ofruar nga CRI.CN

Share: