Home Gjeo-Ekonomia Z. Beleri ndihu mirë. Athina bën nami për ty! Çtë bëj unë...

Z. Beleri ndihu mirë. Athina bën nami për ty! Çtë bëj unë kur Tirana nuk lëviz as gishtin për mua!?

Nga Mentor Kikia

“Lista e zezë” e Ambasadës Greke dhe heshtja e Tiranës

E lexova letrën që Z.Fredi Beleri i dërgonte gjykatësve që nuk e lejuan të bënte betimin si kryetar i Bashkisë Himarë. Unë ndaj mendimin se Z.Beleri ka të drejtë në pretendimet e tij se procesi gjyqësor është duke u zvarritur pa asnjë asye të besueshme. Ai mund të ketë të drejtë edhe për akuzat, kur thotë se janë të pabaza, për të cilat unë rezervohem të them, as që janë të drejta as që janë të pabaza, pasi kam qenë dhe jam një ndër ata që bërtasin rregullisht kundër shit-blerjes së votës. Mendoj qe kete duhet ta ndaje drejtesia, sa me shpejt. Por u ndala në këtë shkrim për një tjetër arsye.

Në datën 1 Dhjetor, unë po udhëtoja për në Athinë. Në pikën e kontrollit në aeroportin e Athinës, sapo polici futi të dhënat e pasaportës time në kompjuter, u çua dhe shkoi “diku” të konsultohet. U kthye e më kërkoi ta ndiqja për në zyrën e policisë. Pasaporta ime u kontrollua fletë për fletë dhe iu verifkuan të gjitha vulat që kisha marrë në udhëtime. U fotokopjua sërish fletë më fletë dhe kopjet u mbajtën nga eprori i policisë. Pastaj dy oficerë civilë, që m’u prezantuan si të sigurisë, kërkuan prej meje informacione jashtë çdo logjike për një njeri që udhëton për punë apo për turizëm. Ishte e qartë. Ata e dinin që jam gazetar, që jam pjesë e opinionbërjes, por kërkuan shpjegime se në cilën media punoj, merresha me opinone politike apo të fushave të tjera. Kërkuan adresën e banimit, email-in, telefonin, ku do të shkoj, pse do të shkoj, ku do të qëndroj, biletat e kthimit, prenotimi i hotelit, edhe biletën e koncertit të Ermonela Jahos, që kisha si objektiv të udhëtimit…

Më lejuan të kaloj…!
Në kthim, e njëjta procedurë. Fije për pe, “raportova” se ku kisha qenë e çfarë kisha bërë gjatë 3 ditëve të qëndrimit tim atje, adresën e banimit në Tiranë dhe numrin e telefonit.

Më herët unë isha refuzuar të kaloja kufirin në Kapshticë. Policia rrëmoi e rrëmoi derisa gjeti një arsye për mos më lejuar të kaloja, pasi bënë pyetjen retorike “nëse unë isha një gazetar”.

Një vit më pas, pasi unë kisha kaluar “në rrëmujën e gushtit” për një javë pushime në Halkidiki, në kthim u desh të qëndroja “në pritje” derisa policia të sqarohej mes vetit se përse dhe kush më kishte lejuar të kaloja.

Unë jam i informuar se të tilla telashe kanë patur edhe disa gazetarë të tjerë shqiptarë, por edhe njerëz të tjetër publikë, që për Ministrinë e Jashtme të Greqisë, referuar informacioneve të Ambasadës në Tiranë, konsiderohen të padëshirueshëm, apo si të dyshuar për “veprimtari anti-helenike”.

Kjo, për shkak të qëndrimeve që nuk i shkojnë përshtat politikës së jashtme të Greqisë. Ata nuk i shpallin zyrtarisht “non grata” këta persona, për të mos marrë përsipër kosto diplomatike, por hartojë dosje në mënyrë tinëzare, pra fiks në mënyrë greke, dhe prodhojnë pengesa, diskriminime apo sanksionime në pikat kufitare.

E mendoni dot se çfarë duhej të bënte Ministria e Jashtme Italiane ndaj gazetarëve që janë shprehur në mënyrë agresive kundër marrëveshjes për akomodimin e refugjatëve në Lezhë?

Unë kam informuar Ministrinë tonë të Jashtme, në disa sektorë të saj, për këto incidente të përsëritura, për shkak të detyrës time. Por një javë pas informimit, nuk kam marrë asjë reagim, qoftë edhe për kortezi, të tipit “ne do të kërkojmë shpjegime nga autoritetet greke për këto raste….”.

Theksoj se unë nuk dyshohem për asnjë lloj krimi, por i nënshtrhem “hetimit” të policisë në kufi, vetëm sepse diplomatët grekë në Tiranë mendojnë se me qëndrimet e mia publike, unë qenkam rrezik për Greqinë.

Z.Beleri mund të ketë të drejtë, e megjithatë ai dyshohet për një krim dhe diplomacia e vendit të tij po shkund BE-në, duke vendosur veton për të bllokuar negociatat me Shqipërinë, për shkak se mendon që Beleri është në burg sepse është minoritar grek (ajo historia e pronave është idiotësi, pasi lejet e ndërtimit për resortet në bregdet nuk i ka bashkia por qeveria), dhe i kërkon qeverisë së Shqipërisë të ndërhyjë për ta liruar atë.

I nderuar Z.Beleri!

Ti duhet të ndjehesh më mirë moralisht, pasi qeveria greke ç’nuk po bën për ty. Por ç’të bëj unë, që kur më ndalojnë ata të policisë greke në kufi, diplomacia e vendit tim, vendit ku unë punoj e paguaj taksa, nuk lëviz asnjë fije floku.

Unë besoj se të paktën Ambasada Greke në Tiranë do të bënte zhurmë nëse policia jonë në Rinas do të kthente pas, apo do t’i kontrollonte biografinë profesionale një gazetari grek.

Unë nuk jam anti-grek, dhe anti-askush tjetër. Unë jam një gazetar që ka thënë mendimin e tij, që besoj ka qenë i drejti, në rastet e krizave diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë, nga koha e operacioneve “Fshesa” ndaj emigrantëve shqiptarë, tek procesi i përcaktimit të kufirit detar, e deri tek përplasja e radhës për çështjen Beleri.

Eshtë në të drejtën e qeverisë greke të vendosë nëse disa njerëz nuk mund të hyjnë në vendin e saj. Por këtë duhet të ketë kurajën diplomatike ta bëjë publikisht, dhe të mos ngreje kurthe tinëzare nëpër pikat kufitare, duke i kthyer mbrapsht këta njerëz, edhe kur janë me valixhe e krah e me fëmijët për dore./marrë nga faqja në Facebook e autorit

Share: