Home Gjeo-Ekonomia Kundërshtari i luftës dhe i Putinit, Nadezhdin dorëzon kandidaturën në garë për...

Kundërshtari i luftës dhe i Putinit, Nadezhdin dorëzon kandidaturën në garë për president në Rusi

Politikani opozitar rus, Boris Nadezhdin, i cili haptazi ka bërë thirrje për ndaljen e pushtimit të Ukrainës nga Moska, e ka dorëzuar aplikacionin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Rusisë për t’u regjistruar si kandidat për zgjedhjet presidenciale të 17 marsit.

Nadezhdin tha të mërkurën në uebsajtin e tij zyrtar se i ka mbledhur mbi 110.000 nënshkrime mbështetëse, mbi pragun prej 100.000 nënshkrimeve të nevojshme për t’u regjistruar si kandidat.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka 10 ditë kohë për t’i vlerësuar nënshkrimet se a janë të mirëfillta apo jo, dhe për të vendosur nëse Nadezhdin lejohet të garojë për president.

Nadezhdin, një 60-vjeçar i lindur në Uzbekistan, po përkrahet nga shoqatat e politikanit të burgosur opozitar, Aleksei Navalny dhe figurat opozitare në mërgim, Maksim Kats dhe Mihail Khodorkovsky, megjithëse pritjet janë që zgjedhjet do të fitohen me lehtësi nga presidenti Vladimir Putin, i cili e ka udhëhequr Rusinë si president apo kryeministër prej vitit 1999.

Putini u regjistrua zyrtarisht si kandidat për president në fillim të kësaj jave për zgjedhjet që pritet t’i fitojë pa ndonjë telash, sepse kundërshtarët e tij kryesorë ndodhen ose në burg ose në mërgim, pasi kanë ikur për arsye sigurie.

Zgjedhjet në Rusi kontrollohet fuqishëm nga Kremlini dhe nuk janë as të lira e as të drejta.

Kush është Boris Nadezhdin?
Boris Nadezhdin, 60 vjeç, angazhohet për fundin e luftës në Ukrainë dhe fundin e mobilizimit ushtarak, si dhe për dialog me Perëndimin.

“Njerëzit nënshkruajnë për mua, jo sepse u pëlqej në mënyrë të veçantë, por sepse është një shans për të bërë diçka për paqen, për t’i dhënë fund gjithë kësaj historie dhe për t’i ndalur vrasjet e njerëzve”, tha Nadezhdin për agjencinë e lajmeve Reuters, më 24 janar.

Së fundmi, aktivistë rusë në Mal të Zi mblodhën nënshkrime për Nadezhdin.Sipas tyre, ai është i vetmi kandidat që e kundërshton luftën e Rusisë në Ukrainë.

“Kjo është një mënyrë për të treguar qëndrimin tonë kundër luftës, duke e mbështetur atë”, tha për Radion Evropa e Lirë Olga Stepanova të martën, e cila u zhvendos në Budvë të Malit të Zi pas fillimit të agresionit rus kundër Ukrainës, gati dy vjet më parë.

Deri më tani, për Nadezhdinin janë mbledhur rreth 1.700 nënshkrime në Mal të Zi.

Njëri prej organizatorëve, Illija Gureviç, beson se mesazhi që dërgohet, është më i rëndësishëm se numri.

“Të gjithë këta njerëz i kanë lënë shtëpitë e tyre dhe kanë ardhur në Mal të Zi, për shkak të regjimit rus dhe luftës. Mesazhi i tyre është se ata duan ndryshime”, tha Gureviç për Radion Evropa e Lirë dhe shtoi se rusët po mblidhnin mbështetje për Nadezhdinin edhe në disa vende të tjera evropiane.

360grade.al

Share: