Home Gjeo-Ekonomia Ministri i jashtëm turk kërkon “llogari” nga Tirana: Largoni mbetjet e organizatës...

Ministri i jashtëm turk kërkon “llogari” nga Tirana: Largoni mbetjet e organizatës së Gulen nga Shqipëria

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan nga konferenca për media në Tiranë që u mbajt pas takimit me homologun shqiptar Igli Hasani, zbuloi disa prej pikave në të cilat janë fokusuar diskutimet e tyre.

Ai u ndal fillimisht te bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve duke theksuar se ka potencial për të çuar nivelin e tregtisë në 2 miliardë dollarë gjatë një viti.

Shqipëria dhe Turqia edhe si shtete edhe si vende janë shumë të lidhura edhe nga ana historike. Këtu ka ndihmuar edhe solidariteti i pashembullt mes Presidentit tonë dhe kryeministrit tuaj Edi Rama. Jemi më të vendosur për të vazhduar më tej bashkëpunimin në shumë fusha, ku do të punojmë në mënyrë të pandërprerë, sidomos marrëveshja që është bërë për njohjen e patentave dhe njohjen e vizave. Kemi besim te njëri-tjetri dhe përpiqemi që të rrisim mirëqenien e dy vendeve tona. Qëllimi ynë është që brenda vitit 2024 të zhvillojmë Këshillin e parë të bashkëpunimit strategjik. Kjo do të jetë një platformë e rëndësishme për ne. Shpresojmë që niveli i tregtisë midis dy vendeve të arrijë deri në 2 miliardë dollarë. Dje në mbrëmje patëm takime me biznesmenët turq dhe diskutuam mundësitë që ata kanë për investime në Shqipëri.”

Por Fidan, pati edhe një mesazh të fortë lidhur me anëtarët e mbetur në Shqipëri të organizatës FETO, e cila është shpallur terroriste nga Turqia.

Patëm diskutimet edhe për luftën kundër terrorizmit dhe çështjet rajonale. Por edhe për mbetjet e fundit të organizatës FETO në Shqipëri duke treguar ndjeshmërinë që ka Turqia ndaj kësaj çështje dhe hapat që mund të bëhen për këtë.”

Mesazhi i shefit të diplomacisë së Ankarasë vjen dy vite pasi Presidenti Rexhep Taip Erdogan, nga Kuvendi i Shqipërisë kërkoi hapur mbylljen e institucioneve arsimore turke në Shqipëri, të cilët financoheshin nga kleriku Fetullah Gulen.

Lufta kundër organizatës terroriste FETO, e cila tentoi një grusht shteti në vendin tonë, sulmoi demokracinë, bombardoi parlamentin, është një nga ndjeshmëritë tona. Fatkeqësisht, shumë anëtarë të kësaj organizate vazhdojnë të jenë në Shqipëri dhe tregojnë ekzistencën e tyre në arsim, shëndetësi dhe institucionet fetare dhe në një pjesë të sektorit privat. Një mik i vërtetë është ai që nuk heziton të thotë të vërtetën edhe nëse është e hidhur. Sa më shpejt të shpëtoni nga kjo strukturë helmuese që përbën kërcënim për sigurinë kombëtare. Nëse nuk reagoni në kohë është e pashmangshme që tentativat që kjo strukturë realizoi në Turqi të përsëriten në Shqipëri”, tha Erdogan më 17 janar të vitit 2022 në Tiranë.

360grade.al

Share: