Home Gjeo-Ekonomia Nxjerrja nga qarkullimi i dinarit serb, Kurti i prerë: Vendim i panegociueshëm!

Nxjerrja nga qarkullimi i dinarit serb, Kurti i prerë: Vendim i panegociueshëm!

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se vendimet e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) janë të pavarura, dhe i tillë është edhe ai për ndalimin e qarkullimit të dinarit serb në Kosovë.

Kurti ka deklaruar se rregulloret dhe vendimet e BQK-së janë plotësisht në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Këto deklarata ai i ka bërë të mërkurën pasi ka bërë homazhe tek shtatorja e Zahir Pajazitit në Podujevë, ku nga gazetarët është pyetur në lidhje me kërkesat e ndërkombëtarëve për shtyrje të ekzekutimit të rregullores së BQK-së, sipas të cilës nga 1 shkurti në Kosovë të gjitha pagesat duhet të bëhen në euro dhe se kjo çështje është e panegociueshme.

“Vendimet BQK-së janë të pavarura dhe BQK-ja është institucion i pavarur. Rregulloret që ata i miratojnë janë krejtësisht në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Unë besoj se duhet ta lëmë të qetë BQK-në dhe Guvernatorin Ahmet Ismailin që ta bëjë punën e tij, ashtu siç e ka fituar besimin në Kuvendin e Republikës tonë”.

“Ai po bën punë shumë të mirë dhe ka shpjeguar qartë e saktë se në Kosovë e vetmja valutë e shkëmbimit dhe shit-blerjes është euroja. Ne nuk dëshirojmë që të ndëshkojmë askënd, por vetëm të sjellim ligjshmëri, kushtetutshmëri dhe rregullsi edhe në veriun e Kosovës dhe gjithandej ku ka serbë në Kosovë”, është shprehur kreu i ekzekutivit kosovar.

Ai tutje është shprehur se me masat e ndërmarra nga Qeveria, shumica dërrmuese e qytetarëve serbë në Kosovë kanë xhirollogari bankare të hapura në bankat e Kosovës.
E sipas tij edhe nëse nuk e kanë, edhe hapjen e një xhirollogarie por edhe mirëmbajtjen e saj do ta kenë falas.“Pra, në katër komunat në veri të Kosovës janë katër degë të bankave dhe janë 15 institucione financiare jobankare, ku do të mund të dërgohen dërgesat e pagesat dhe ku do të mund të merren të gjitha ato në euro. Euroja është valutë që na vjen nga Bashkimi Evropian”.

“Ne nuk jemi duke i thënë askujt merre valutën lekë të Shqipërisë apo një valutë të re Dardan të Kosovës, por euron, euro si mjeti i vetëm i pagesës edhe i shitblerjes i përcaktuar në mënyrë të qartë në Republikën e Koosvës nuk është një çështje e negociueshme”, ka theksuar Kurti.

360grade.al

Share: