Home KRYESORE “Albanian Key”, çelësi monumental I artistit Milot , që vjen në Shkodër...

“Albanian Key”, çelësi monumental I artistit Milot , që vjen në Shkodër të hapi dyert e së ardhmes së qytetit.

Nga Albert Vataj

Rilindja e Shkodrës së legjendave dhe të mbretërve, ka nisur tashmë të behet një realitet i prekshëm dhe një shpresë që vjen të rizgjojë kapacitetet përtëritëse të këtij qyteti vlerash dhe kontributesh të pashoqe në historinë e gjatë të përpjekjeve të ngadhënjimshme për identitet dhe integritet.

Janë projektet ambicioze të kryebashkiakut, Benet Beci, që po të bëjnë të mundur që Shkodra t’u kthehet shkodranëve, madhështia e kësaj kryeqendre të kryqkalimit të kulturave dhe pagëzimit të shpirtjeve blatuese, të jenë altar i kësaj vullnese për ndryshim, lartësim i kësaj kreshte të krenarisë shqiptare.

Që Shkodra të ketë vendin e merituar në aspiratat e ardhmërisë, që ju mohua padrejtësisht dhe pashpirtshmërisht, në betejat e gjatë dhe absurde të polarizimeve politike dhe ëndërrvrasjeve të atij shpirti të purifikuar idealesh.

Po, si pjesë e ansamblit mahnitës që do të kurorëzojë madherishëm hyrjen e këtij qyteti, ka nisur puna për ndërtimin e “Albanian Key”, skulpturës monumentale që do të vendoset në një nga rrethrrotullimet kryesore të hyrjes së qytetit, në qendër të gjithëasaj që do të përbëjë solemnitetin e mirëseardherjes në Shkodër.

Prezantimi e kësaj ngjarje artistike u bë në takimin që mjeshtri me famë botërore, italoshqiptari, Alfred Mirashi –Milot, i shoqëruar nga ambasadori italian në vendin tonë, Fabrizio Bucci, pati me kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Beci, i cili garantoi se do të ishte prezent në çdo nevojë dhe përfshirje, në funksion të përmbushjes me sukses të këtij projekti ambicioz artistik, këtij arti që i bëhet Shkodrës dhuratë nga Konkursi Ndërkombëtarë, “Art në hapësirën publike”, shpallur nga ministria e Kulturës.

“Albanian Key” është një nga veprat artistike më të mëdhatë që do të vendoset në hyrje të qytetit të Shkodrës, implementimi i së cilës do të bëhet e mundur nga një kastë mjeshtrash të përbërë nga skulptori, Alfred Mirash – Milot, Drejtori Artistik, Michele Stanzione, kuratori, Albert Vataj, arkitekti, Suela Dragovoja, inxhinieri Valbona Calliku dhe Enver Zafeli, Michele Palumbo, dizajn i lehtë, Paolo Sandrini.

Padyshim që kjo kryevepër e një shpirti krijues, nuk mund të përmbushej pa kontributin e bashkupunëtorëve, Lai Junjie dhe Albina Shkreli Mirashi. Një peshë të rëndë do të mbajë mbi supe VATA Kostruksion, MICULI Shpk, Associazione Mille Volti, Italy.

Janë këto angazhime dhe përgjegjësi profesionale, këto përkushtime të përgjegjësisë artistike, cilat do të përfaqësohen në këtë ballafaqim, si në një sipërmarrje, që do të hyjë në historinë e artit shqiptar si një ngjarje. Dhe kush më denjësisht mund ta meritonte “Albanian Key”, këtë kolos arti, veç Shkodrës, qytetit që ka pararendur në Historinë e Shqiptar, si identitet unik i kulmimit të akteve përfaqësuese, si në aspektin historik, ashtu edhe në atë kulturor, artistik, etnografik, etj..

Kjo sfidë e kurajshme artistike e Milot është jo vetëm një vepër monumentale për Shkodrën e monumenteve të shpirtit krijues, por edhe përmbushje e amanetit, kujtimit dhe nderimit të të parëve të tij.

E si mund të vinte në rrënjët e gjakut mjeshtri, Alfred Mirash – Milot, përveçse me “Albanian Key”, një çelës si një hajmali fati në portat hyrëse të qytetit të Shkodrës, një çelës që vjen të dëshmojë përmes idesë dhe realizimit, se ne meritojmë një të sotme dhe të ardhme për ne dhe fëmijët tanë, pa dyer të mbyllura, pa ndalime, pa privacione. Dhe kush mund të flasë me një gjuhë më të pastër, më të sinqertë dhe më realiste se sa arti, krijimi, i cili vjen të komunikojë me të gjithë dhe të përfshijë të gjithë në këtë manifestim sublimiteti krijues dhe përjetues.
Albert Vataj

Share: