Home Gjeo-Ekonomia Modeli “Kurti” trazon politikën e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut

Modeli “Kurti” trazon politikën e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut

Rreth një vit më parë, në janar të vitit 2023, Arben Taravari kryetar i një prej forcave opozitare të Maqedonisë së Veriut, e quajtur “Alenca për Shqiptarët” udhëtoi drejt Tiranës me ftesë të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Bashkë me Edi Ramën, në takim e priste edhe Ali Ahmeti i Bashkimit Demokratik për Integrim.

Ndërsa Rama e provoi shijen e pushtetit në vitin 1998, Ali Ahmeti është në qeverinë e Maqedonisë prej 22 vitesh. Një muaj pas takimit me Ramën dhe Ahmetin edhe edhe Taravari u bë pjesë e qeverisë së Shkupit.

Por një vit më pas, plani i Ramës për të futur në qeveri dy partitë kryesore të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut është zhbërë. Taravari është joshur nga një model tjetër në politikë, ai i Albin Kurtit dhe ka kaluar në opozitë.

E gjithë opozita e shqiptarëv të Maqedonisë së Veriut është riorganizuar në një bllok të vetëm, sipas një lëvizjeje të mbështetur fort nga kryeministri i Kosovës.

Kurti, Rama dhe Taravari duke biseduar në Shkup
Kurti, Rama dhe Taravari duke biseduar në Shkup

Kur Arben Taravari kaloi në opozitë, ai shpalli edhe kandidaturën për president në zgjedhjet e 24 Prillit. Dy javë më pas, në 8 Maj zhvillohen zgjedhjet parlamentare dhe ai do të jetë pjesë e bllokut opozitar.

Pas kësaj lëvizjeje, Aleanca për Shqiptarët u përça. Themeluesi dhe ish-kryetari i partisë, Ziadin Çela mblodhi kuvendin dhe përjashtoi Arben Taravarin. Të dy pretendojnë se kanë mbështetjen e shumicës në parti. Beteja mes të dyve do të zgjidhet në gjykatë.

Por përtej grindjeve të brendshme në Aleancën për Shqiptarët, modeli “Kurti” ka trazuar të gjithë skenën politike në Maqedoninë e Veriut dhe nëse ia del, e shndërron kryeministrin e Kosovës në një faktor të rëndësishëm përtej Kosovës.

Duhet kuptuar që blloku opozitar i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut është i përbërë nga tre subjekte, 1) Lëvizja Besa, 2) Alternativa dhe 3) Lëvizja Demokratike. Në zgjedhjet parlamentare ata do të dalin me një listë të përbashkët.

Albin Kurti në takim me opozitarët shqiptarë të RMV
Albin Kurti në takim me opozitarët shqiptarë të RMV

Në 30 Janar të gjithë opozitarët bashkë ata u takuan në Prishtinë me Albin Kurtin. Pas takimit, këshilltari i Kurtit, Bekim Qoku i cili ka edhe shtetësi maqedonase, tha se partia e tij do t’i bashkohet kësaj liste.

“Unë, sot, jam këtu për të iniciuar bashkëpunimin tonë si Lëvizje Vetëvendosje… një lloj shtylle e katërt e këtij koalicioni, tashmë të etabluar këtu”, tha atëkohë Qoku.

Për ta përforcuar idenë e rreshtimit të Kurtit me opozitën, reagoi edhe njëri nga opozitarët, Izet Mexhiti.

“Zoti Kurti dhe Vetëvendosja mbështet serish opozitën shqiptare si edhe ma herët. Vetëvendosja është pjesë e opozitës shqiptare atje, de-jure nuk do të jetë, sepse nuk është regjistruar në Maqedoni. De-facto, veç është pjesë e opozitës shqiptare, sepse opozita shqiptare, është në kuadër të Lidhjes Evropiane për Ndryshim” u shpreh Mexhiti.

Edi Rama me Ali Ahmetin në takim
Edi Rama me Ali Ahmetin në takim

Mbështetja që i jep Albin Kurti opozitës së shqiptarëve në RMV mund të jetë fatale për Ali Ahmetin. Për momentin, Albin Kurti gëzon një mbështëtje të madhe nga shqiptarët, për shkak të qëndrimeve të forta që ka mbajtur kundër serbëve dhe duke i rezistuar presionit ndërkombëtar.

I pyetur nga gazetarët se si e sheh përfshirjen e Vetëvendosjes në anën e opozitës, kreu i BDI Ali Ahmeti i ka kërkuar Kurtit të mos kamuflohet, por të dalë hapur, pasi më herët kishte thënë se nuk do të bëhej pjesë e zgjedhjeve.

 “Nuk ka asgjë të keqe nga takimet. Edhe unë kam qenë me Kurtin me bashkëpunëtorët e mi. Secili udhëheqës cakton ca objektiva për veprim, por kjo çka tha Mexhiti nuk përkon me deklaratën e Kurtit që bëri në Shkup, e që tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk merr pjesë në këto zgjedhje. Nëse ka strategji të kamuflohen gjërat nuk është mirë, le të thuhen gjërat hapur dhe nuk na pengon asgjë”, ka theksuar Ahmeti.

Duhet thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk është e regjistruar si parti në Maqedoninë e Veriut. Si e tillë, nuk do të marrë pjesë si subjekt politik në zgjedhje. Koalicioni opozitar mban emrin “VLEN” ose Lidhja Evropiane për Ndryshim (LEN). Në këtë rast V e munguar duket se i përket Vetëvendosjes.

Ky nuk është rasti i parë kur Kurti tenton të shtrijë modelin e tij politik përtej kufijve të Kosovës. Më parë ai ka mbështetur deputetin shqiptar të Luginës në Serbi, Shaip Kamberin dhe për këtë është sulmuar ashpër nga pjesa tjetër e politikanëve shqiptare në Medvegjë, Preshevë e Bujanoc.

Kurti tentoi të bëhej pjesë e politikës edhe në Shqipëri, por dega e Vetëvendosjes në Tiranë nuk arriti të nxjerrë asnjë deputet në zgjedhjet e 2021.

Gjithsesi popullariteti i tij ka kapur kulmin vitet e fundit, për shkak të këmbënguljes dhe kohërencës, që ka treguar kur i ka qëndruar vendimeve të qeverisë në funksion të sovranitetit të Kosovës./Lapsi.al

Share: