Home KRYESORE Popull TikToksh!

Popull TikToksh!

Nga Alma Lleshi.

Prej kohësh, një nga bisedat tona më të shpeshta, mes meje dhe dy djemve të mi, sillet rreth faktit që unë nuk duhet të publikoj kurrësesi foto apo të dhëna personale. Ata e kanë të qartë që nuk ndërhyjnë dot tek dëshira ime për të qenë aktive në Facebook, por ma kanë ndaluar kategorikisht që unë të publikoj foto të tyret.

Madje, me kërkesën e tyre u hoq nga FB im çdo foto e tyre, edhe ato te para 10-15 vitesh.

“Mamush, është një botë e dhunshme dhe e ndyrë në TikTok, dhe ti edhe brezi yt në tërësi, nuk mund ta kuptoni”- më thonë të dy pothuajse njëzëri.

Dhe këto kohët e fundit, mbushur me tmerre vetëvrasjesh të grave nga keqpërdorimi i të dhënave në TikTok, po më bindin që privatësia e çdo individi në një shtet ku nuk eksiston asnjëlloj kontrolli, dhe ku ndërhyrja në jetën private konsiderohet një rutinë qesharake, ku kushdo mund të të cënojë në privatësi dhe e di shumë mirë që me 3 ditë burg dhe një gjobë kriminale sa çmimi i jetës së grave që vetëvriten, vetëhidhen, vetëhelmohen, do dalë sërish jashtë për të vijuar kalvarin e dhimbshëm të shkatërrimit të jetës së një tjetër femre.

Për mirë ose për keq, shumica e përdoruesve e pranojnë që të gjitha aplikacionet në telefonat tanë na përgjojnë në njëfarë mënyre.

Por ndërsa mediat sociale kanë qenë gjithmonë një nga fajtorët më të këqij, teknikat e mbledhjes së të dhënave të TikTok janë veçanërisht djallëzore.

Në politikën e tij të privatësisë, TikTok thotë se mbledh informacionet që jepen në kontekstin e kompozimit, dërgimit ose marrjes së mesazheve.

Por TikTok mund të shikojë në mënyrë aktive atë që shkruani në mesazhet për miqtë, edhe nëse nuk e keni shtypur kurrë butonin e dërgimit.

Kërkon gjithashtu qasje në modelin e telefonit tuaj, rezolucionin e ekranit, sistemin operativ aktual, numrin e telefonit, adresën e emailit, vendndodhjen, modelet e shtypjes së tastierës dhe madje edhe listat e kontakteve. E pra, nuk është ekzagjerim të thuhet se TikTok është një rrezik për privatësinë.

TikTok është kritikuar gjithashtu për praktikat e tij të moderimit, me disa përdorues që raportojnë se aplikacioni lejon përhapjen e gjuhës së urrejtjes, dezinformatave dhe përmbajtjeve ekstremiste.

Një alarm vjen nga Shtetet e Bashkuara, ku përdorimi i këtij aplikacioni dyshohet se shkakton edhe dëmtim në trurin e njeriut, dhe ku 60% e përdoruesve janë midis moshës 11 dhe 26 vjeç.

E ndërsa po mundohesha të lexoja të pakuptimtën tek ato shumë jetë të humbura, më ndërhyn parukierja ime, e cila krenohej që të dy fëmijët e saj në kopësht, përdorin TikTokun.

Paskemi qenë popull TikToksh!

Share: