Home KRYESORE Burrnesha ose gruaja me…

Burrnesha ose gruaja me…

Nga Zhaneta Barxhaj

Në vend të urimit sot dua të mbështes të gjitha ato gra në vështirësi, por edhe ato që ja kanë dalë mban të jenë gra në këtë realitet të hidhur të shoqërisë sonë kokolënxhe. Nëse do kishte një studim të mirëfilltë sociologjik, do vërenim qartazi që jemi kthyer në një shoqëri pavlera dhe pa modele. Këto mungojnë në të gjitha fushat, duke nisur nga individi dhe personaliteti i tij, deri tek modeli se si duhet të jetë burri, gruaja, dashuria, familja etj. E gjithë bota ka probleme, por kanë disa modele e tradita të forta, ku gjithësecili i ka të qarta.

Tek ne ka ndodhur një mish mash, që na ka kthyer në qenie të deformuar. Burrat ende nuk kuptojnë se çfarë është të jesh i tillë, luhaten mes copëzave të vjedhura nga otomania, nga perëndimi, nga modernia, nga mafia, duke u bërë një siluet e përçunduar burri, por kurrë një i tillë.

Në këtë dimension perceptojnë jetën dhe sigurisht gruan, të cilës i sjellin kaq shumë andralla, sa shpesh i marrin dhe jetën! Faji i tyre, i shoqërisë i arsimimit të dobët, por edhe mungesa totale e modelit.
Nga ana tjetër ky dyzim shoqëror ka futur edhe gratë në atë zgripin e tmerrshëm, e nuk e dinë as ato vendin që kanë dhe modelin e tyre. Shumë mendojnë si të drejtë të jenë mantenutat e burrave, lojrat e tyre erotike, shtojcat e tyre pas darke. Disa mendojnë se duhet të jenë shërbyese të pagoja, nëna të vetsakrifikuara, për qetësinë e mashkullit të shtëpisë, në mënyrë që ai t’i konsideroj sadopak. E kështu pakuptuar në këtë tragji- komedi të dyja palët janë ku thërret qameti e gjallojnë në këtë thertore të madhe, ku shpesh bëhen edhe mish për top…

Por, ka edhe nga ato gra, ato të cilat dua t’i uroj veçanërisht sot, të cilat ja kanë dalë të ngrihen mbi kalbësinë e kësaj shoqërie e të jetojnë me dinjitetin dhe forcën e tyre, pa qënë gruaja, dashnorja, vajza a motra e një burri! Ato gra kanë luftuar të vetme për të arritur gjithshka në jetë, kundër gjithë shkopinjëve dhe përplasjeve, që u ka dhënë kjo shoqëri maskiliste dhe e rrënuar vlerash. Ato gra të cilat kur ja dalin dhe arrijnë të krijojnë e përçojnë modelin e dinjitetit të gruas, nuk i shpëtojnë sërish etiketimeve dhe dallimeve, duke i quajtur Burrnesha apo gra me koqe.

Pra, edhe këtij modeli të shkëlqyer ne duhet ti veshim diçka burrërore ndryshe nuk quhet. Jo, nuk janë gra me ..oqe, mos u trembi ju burrecë të shihni forcën dhe dinjitetin e një gruaje si femërore. Pranojeni dhe thuajeni me zë të lartë se një grua e fortë e me dinjitet nuk është burrneshë, është ajo çka zoti caktoi për të, kur e solli si bashkëudhëtaren tuaj! Nuk më ka pëlqyer kurrë ky togfjalësh diskriminues “ je burrneshë”. Jam grua, nuk më heq asgjë nga brishtësia, dashuria, ndjeshmëria ime, të qënurit me dinjitet dhe e barabartë me ty i dashur burrë!
Ndaj mos i fyeni edhe ato që ja kanë dalë mbanë, duke u ndërruar gjininë me fraza të tilla patetike!

Grua, ti që ende nuk e ke gjetur veten, ngrihu dhe lufto për të drejtat e tua, ti që je forcuar e je kthyer në model lufto bashkë me to për t’i ndihmuar! Të luftosh për të drejtat, për jetën, për dashurinë mos kini frikë se u dalin koqe jo, vetëm do shkëlqeni në piedestalin ku ju ka vendosur zoti që në lindje, si përcjellëse të jetës, si gjëja më e bukur në tokë!

P.s. Ripost në vend të urimit! Gëzuar!

Share: