Home Gjeo-Ekonomia Përplasja e Interesave Gjeopolitike: Kërcënimi i Serbisë ndaj Kosovës dhe Rreziku për...

Përplasja e Interesave Gjeopolitike: Kërcënimi i Serbisë ndaj Kosovës dhe Rreziku për Stabilitetin Rajonal

Nga Gurakuç Kuçi*

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq ka kërcënuar perëndimin se ata duhet të zgjedhin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai më tutje ka vazhduar se nëse e zgjedhin Kosovën, Serbia do të “presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzojnë mundësinë”.

Vuçiq këto kërcënime i ka forcuar mbi bazën se Kosova do të përkrahet nga perëndimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe NATO. Në një letër urimi drejtuar Putinit për fitoren në zgjedhje në Rusi, Vuçiqi i ankohet atij për kinse “situatën e vështirë politike që po përballët populli serb në Kosovë” dhe se “serbët po vuajnë në Kosovë pogrom”, përsëritje kjo e fjalëve të njëjta që i kishte thënë edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Narrativa është e njëjtë sikur në situatën kur Putini kishte filluar invazionin në Ukrainë.

Në fjalimin e 23 shkurt 2022 ku Putin kishte urdhëruar trupat ruse të pushtonin Ukrainën ai thoshte se: “ishte e nevojshme të ndalohej […] gjenocidi kundër miliona njerëzve që jetojnë atje, të cilët mbështeten vetëm tek Rusia. […] përplasja e Rusisë me këto forca është e pashmangshme, […] dhe po presim kohën e duhur”. Sipas tij këto fatkeqësi po iu ndodhin rusëve në Ukrainë me mbështetjen e vendeve kryesore të NATO-së.

Ngjashmëria e dy deklaratave tregon mbi agjendën e përbashkët.

Deklarata e tanishme e Vuçiqit është përgatitje e diskursit dhe terrenit politik për ndërmarrjet e ardhshme paraushtarake dhe ushtarake që synon t’i ndërmarr në kuadër të përkrahjes që i vjen nga Rusia dhe Kina. Këto dy vende së fundmi bashkë me vendet anëtare të BRICS kanë qëndruar të vëmendshme ndaj thirrjeve për dërgim të trupave të NATO-së në Ukrainë.

Pra, Serbia nën përkrahjen e Kinës dhe Rusisë po kërcënon Kosovën dhe Perëndimin për hapjen e një vatre të re lufte ku secila palë do synonte të arrinte qëllimet e veta në nivel global dhe rajonal

  • Autori është hulumtues në Institutin OCTOPUS
Share: