Home KRYESORE “S’e di pse nuk u asgjësua baruti në Gërdec”, zbardhet dëshmia e...

“S’e di pse nuk u asgjësua baruti në Gërdec”, zbardhet dëshmia e ish-zyrtarit të Ministrisë së Mbrojtjes: Si vendosej çmimi për shitjen e municioneve

Zbardhet dëshmia e ish-shefit të sektorit të Drejtësisë Juridike dhe drejtor juridik në Ministrinë e Mbrojtjes, Rezart Tërshana, sot në gjyqin e ish-ministrit Fatmir Mediu për çështjen ‘Gërdeci’. Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për BalkanWeb dëshminë e plotë të Tërshanës. Në cilësinë e anëtarit të komisionit të vlerësimit të çmimeve, Tërshana theksoi se në tryezën e diskutimeve kishin edhe raportet e mëparshëm për shitjen e municionit, ofertën e SAK dhe kursin e këmbimit të dollarit. Ai theksoi se mbi bazën e këtyre të dhënave caktohej dhe çmimi.

“Për të nxjerr çmimin ne shikonim elementet e koston në njërën ana dhe mbetjet në anën tjetër, ky ekuacion përcaktonte çmimin. Ishte caktuar një formulë e ndarë në dy shtylla. Ne llogarisnim vetëm se sa kishim të ardhurat nga tunxhi dhe bronzi. Kostot e transportit s’kishim si i llogarisnim ne pasi komisioni nuk kishte informacion as për magazinat, as ku do të bëhej demontimi dhe as si do të bëhej transporti, nga pika A në pikën B. Janë strukturat ushtarake ato që dinë se ku do merren fishekët dhe ku do të demontohen. Ne shikonim kostot që kishim kur ne bënim me financim të buxhetit të shtetit.”, sqaroi ai. Gjatë dëshmisë në GJKKO dëshmitari theksoi se baruti nuk futej më kosto, sepse duhej të asgjësohej. Ai shton se nuk ishte në dijeni se çfarë ndodhi në Gërdec dhe pse nuk u asgjësua baruti.

“Nuk di çka ndodhur në Gërdec që nuk u asgjësua. Kompania “SAK” ishte e vetmja që shprehu interes, na interesonte se deri në 2008 kishin qenë me humbje demontimet që i kushtonin buxhetit të shtetit deri në atë periudhë deri në 35 milionë dollarë.”, theksoi ai. Tërshana tha se nuk do të kishte bërë asgjë ndryshe në Gërdec, edhe pas 17 vitesh.

(BalkanWeb)

Share: