Home KRYESORE Syri: Zbulohet plani i Ramës, për mënjanimin e Ilir Metës më 2017

Syri: Zbulohet plani i Ramës, për mënjanimin e Ilir Metës më 2017

⁠⁠⁠Çështja e zgjedhjeve dhe rreziku i votës së lirë pas asaj që ndodhi në Dibër, tashmë nuk është një alarm i ngritur vetëm nga opozita dhe një pjesë e mirë e medias dhe analistëve politikë.

Përveç disa euro-parlamentarëve, artikulimi i fundit i qartë i kancelares Merkel për zgjedhjet e vitit 2017, e rikthen këtë çështje edhe në dimensione europiane.

Pavarësisht nga kontestimet respektive për çdo palë zgjedhje që bëhet në Shqipëri, vendore dhe lokale, hera e fundit që shqetësimi ndërkombëtar ka qenë në këtë nivel, ka qenë ai i zgjedhjeve të vitit 2001.

Merkel paralajmëroi se ato do të jenë një test i rëndësishëm për qeverinë Rama, edhe për hapat e mëtejshëm të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Aktualisht Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore është i bllokuar dhe duke djegur afatin e tij kushtetues. Me sa duket bathët, as për zgjedhjet e vitit 2017 nuk do të kemi një reformë dhe ato do të zhvillohen me këtë Kod Zgjedhor që kemi.

Tashmë dihet që Edi Rama është përpjekur disa herë që të kryejë një “puç” brenda mazhorancës me synimin e vetëm, për të hequr qafe LSI-në e Ilir Metës. Llogaritë nuk i kanë dalë asnjëherë, për të kapur 71 deputetët që i duheshin në disa situate të ndera me aleatin-armik, veçanërisht gjatë periudhës së miratimit të Reformës në Drejtësi, por kjo nuk do të thotë se Rama ka hequr dorë nga plani i tij.

Goditjen finale duket se e ka lenë për zgjedhjet e vitit 2017. Përveç fuqizimit të PDIU-së së Shpëtim Idrizit, mobilizimit të një armate të tërë të krimit të organizuar dhe oligarkisë së re të bizneseve klient të qeverisë pasi korrën miliarda këtë vit nga kanabisi dhe grabitja e parave publike, në funksion të këtij synimi është edhe “Plani Tahiri”.

Gjatë ditës së sotme, KQZ do të mblidhet për të caktuar numrin e deputetëve në çdo zonë zgjedhore të Shqipërisë, për zgjedhjet e 2017-s, ndryshim ky që vjen pas miratimit të hartës së re administrative-territoriale.

Partia Demokratike në mënyrë të përsëritur ka ngritur dyshimet, se me këto ndryshime, po kërkohet të goditet opozita dhe Partia Socialiste të marrë të paktën 3 deputetë në tavolinë. Kjo mbledhje e caktuar për tu zhvilluar një muaj më parë u shty, pasi opozita duke nuhatur lojën, kërkoi informacione shtesë nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile që varet nga ministri Tahiri.

Por çfarë po ndodh?

Caktimi i numrit të mandateve, sipas KQZ, ka lindur me iniciativë të Ministrisë së Brendshme të Tahirit, si pasojë e lëvizjeve demografike. Ministria e Brendshme ka informuar Komisionin se në Shqipëri janë të regjistruar zyrtarisht 4 426 963 shqiptarë. Sipas përllogaritjeve, për 31.621 zgjedhës do të ketë një deputet. Në një përllogaritje të bërë nga specialistët e fushës, ndryshim të numrit të deputetëve pritet të ketë në Berat, Kukës e Korçë, por nuk është çudi që këto rrethe të shtohen.

Po kush i bëri këto llogari dhe sa të besueshme janë? Përgjigjen mund ta marrim vetëm duke parë se kush përfiton nga kjo lëvizje masive e popullatës, pikërisht 6 muaj përpara zgjedhjeve.

Nga kjo rishpërndarje e mandateve, më shumë goditet e djathta, sepse Partia Socialiste merr 3 mandate në tavolinë sipas llogarive të reja të shpërndarjes së popullsisë që ka bërë Saimir Tahiri. Qeveria Rama është akuzuar edhe më parë se edhe ndarjen e re territoriale e ka bërë në funksion të llogarive të pastra elektorale në shërbim të Partisë Socialiste.

Aktualisht nëse Rama kërkon të çlirohet nga barra Meta që përpara zgjedhjeve, do ti duheshin të paktën 3 deputetë të cilët nuk i ka siguruar dot pavarësisht nga tenderi i majmë që ka hapur disa herë. Por edhe pas goditjes së rëndë që morri në Berlin ai është në mbijetesë dhe i vetmi qëllim që ka është ta shtyjë me këtë statukuo deri për zgjedhjet e ardhshme. Kjo është edhe arsyeja që menjëherë pas kthimit nga Berlini u shndërrua me urgjencë në një lëpirës i Ilir Metës, por pa harruar të miklojë edhe Shpëtim Idrizin.

Gjithsesi ai nuk ka për të hequr dorë nga ëndrra dhe synimi i tij i madh; të qeverisë edhe për katër vite, por pa Ilir Metën nëpër këmbë. Kjo nuk do të thotë, që nuk do të hyjë në zgjedhjet e ardhshme në koalicion me LSI-në. Nëse merr deputetët që i duhen, hesapet i lan edhe pas zgjedhjeve duke e prishur marrëveshjen ashtu si di të bëjë ai. Meta e ka parë disa herë këtë film.

Prandaj përveç mobilizimit të narkotrafikut dhe 10-11 oligarkëve të rinj që u ka dhënë miliarda nga koncesionet dhe punët publike, ai kërkon të sigurojë votat që i duhen vitin që vjen edhe nëpërmjet “Planit Tahiri”.

Tre mandate të fituara në tavolinë nuk janë pak, kur e mendon që dalin vetëm nga lapsi i llogarive demografike të Tahirit…/syri.net

Share: